22.8 C
Prizren
E martë, 21 Maj, 2024

Dënohet inspektori i Komunës së Prizrenit

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Prizrenit, Bashkim Krasniqi, të hënën, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe është dënuar me pesë muaj burgim efektiv, por që ky dënim i është zëvendësuar me gjobë, në vlerë prej pesë mijë eurosh.

Gjatë shqyrtimit të dytë në këtë rast penal, prokurori i rastit, Genc Nixha, ka paraqitur një marrëveshje për pranimin e fajësisë të arritur me të akuzuarin Krasniqi, sipas të cilës marrëveshje ai do të dënohej me 5 muaj burgim.

I akuzuari dhe mbrojtësi i tij, avokati Rasim Krasniqi, kanë deklaruar se marrëveshja është arritur me vullnet të lirë dhe kanë kërkuar që marrëveshja si e tillë të pranohet nga gjykata.

Kryetari i trupit gjykues, Skender Çoçaj, duke u bazuar në marrëveshjen për pranimin e fajësisë, i ka shqiptuar të akuzuarit dënimin me burgim efektiv prej pesë muajsh.

I akuzuari Krasniqi, përmes avokatit të tij ka kërkuar që dënimi me burgim t’i zëvendësohet me dënim me gjobë.

Çoçaj ka pranuar kërkesën e palës pasi që një kërkesë e tillë është e bazuar në ligj dhe dënimin me burgim prej pesë muajsh ia ka zëvendësuar me dënim me gjobë prej pesë mijë euro.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e cila fillimisht akuzonte 6 biznesmenët Zyber Halili, Afrim Selimi, Selim Selimi, Hasan Rahmanaj, Mustaf Shala dhe Arafat Abazaj, për ndërtime të paligjshme dhe Bashkim Krasniqin, për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Biznesmenët akuzoheshin se kanë tejkaluar lejet e ndërtimit, në objektet e tyre banesore, ku secili prej tyre ka shtuar nga një kat më shumë se leja e ndërtimit, ndërsa inspektori Krasniqi akuzohej e nuk i ka ndaluar punimet e tilla të paligjshme të biznesmenëve.

Mirëpo, Prokuroria Themelore në Prizren, në seancën e kaluar, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit, me të cilin ky rast ishte kthyer ne rigjykim, ka hequr dorë nga ndjekja penale për biznesmenët, ndërsa ka qëndruar pranë akuzës për inspektorin komunal, Krasniqi.

Në shkurt 2017, në bazë të marrëveshjes për pranimin e fajësisë, gjykata i pati dënuar biznesmenët dhe inspektorin me nga 6 muaj burgim efektiv, të cilin dënim, me kërkesë të tyre, u pati zëvendësuar me dënim me gjobë prej 20 mijë euro për ndërtuesit, ndërsa 10 mijë euro për inspektorin Krasniqi.

Mbrojtësit e të akuzuarve, brenda afatit ligjor, patën parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, ku kanë kundërshtuar lartësinë e dënimit në të holla, duke pretenduar se lartësia e dënimit në të holla do të duhej të llogaritej 20 euro për një ditë burgim.

Por, përkundër që ankesa kishte të bënte vetëm me lartësinë e dënimit, Gjykata e Apelit më 12 qershor 2017, sipas detyrës zyrtare ka shqyrtuar edhe provat e lëndës, andaj pati marrë vendim që rasti tërësisht të kthehet në rigjykim.

Sipas Apelit, marrëveshja për pranimin e fajësisë nuk është bazuar në provat dhe faktet që përmban aktakuza andaj nuk është dashur të pranohej nga gjykata e shkallës së parë sepse, sipas tyre, vërehet se në veprimet e të akuzuarve ka veprime të cilat mund t’i shfajësojnë nga veprat penale me të cilat ngarkohen./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Prizren/Dy persona të ndaluar dhe gjashtë kërkesa për paraburgim

Prokurorisë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm ka ndaluar dy persona për 48 orë, tw dyshuar për veprën penale "Lëndimi i lehtë trupor" sipas...

Dueli i tretë final mes Trepçës dhe Yllit

Trepça dhe Golden Eagle Ylli do të përballen në ndeshjen e tretë të serisë finale të play-offit në Superligën e Kosovës në basketboll. Pas dy...

Lajmet e Fundit