17.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Dështon formimi i Këshillit për Hoçën e Madhe

Hoca e madhe rahoveciKomuna e Rahovecit nuk po arrin që të marr vendim për themelimin e Këshillit për Hoqën e Madhe, siç e parasheh Ligji për Hoqën e Madhe, i miratuar në Kuvendin e Kosovës. Këshilltarët komunal të Rahovecit janë duke kundërshtuar në disa mbledhje të Kuvendit formimin e tij, duke e vlerësuar si të dëmshëm pasi po i ndan qytetarët e kësaj komune.

Edhe në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Rahovecit të mbajtur me 28 gusht, këshilltarët komunal kanë polemizuar mjaft shumë me qëndrime pro dhe kundër formimit të këtij këshilli.

Madje kundër kanë qenë edhe dy këshilltarët komunal të PDK-së, Ejup Kabashi e Kadri Dellova, derisa pas shumë kundërshtimeve, kryesuesi i Kuvendit Nahit Elshani, propozoi që marrja e këtij vendimi të shtyhet për mbledhjen e radhës.

Mirëpo, në anën tjetër pavarësisht mos miratimit të vendimit për themelimin e Këshillit për Hoqën e Madhe, Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi thotë për KosovaPress se në këtë drejtim nuk kanë problem, pasi ligji i obligon që t’i fillojnë të gjitha procedurat për konstituimin e Këshillit për Hoçën e Madhe.

“Deri tash nuk ka probleme sepse kjo është e rregulluar me ligj, me udhëzime administrative të cilat ligje dhe udhëzime administrative janë të institucioneve tona, të Kuvendit të Kosovës, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe të cilat komuna është e obliguar, pjesën të cilës i takon komunës me nda”, ka thënë Vehapi për KosovaPress.

Po ashtu, në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal të Rahovecit, kundër këtij këshilli janë shprehur edhe këshilltari Azbi Gashi nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili madje paraqiti një deklaratë me shkrim, me të cilën u kërkonte këshilltarëve komunal të mos e votojnë vendimin për shpalljen e konkursit publik për anëtarë të këtij Këshilli.

Këtë kërkesë e ka mbështetur këshilltari, Bahtjar Hoti nga Lëvizja për Bashkim i cili tha se në këtë mënyrë krijohet pabarazia ndërmjet qytetarëve të komunës së Rahovecit, ndërsa privilegjet për një grup etnik ndikojnë në thellim të ndarjeve etnike.

Derisa, nënkryetari i Komunës, Xhemali Haxhimustafa tha se Kuvendi i Komunës është para një vendimi të vështirë, mirëpo duhet të kenë parasysh faktin se kanë të bëjnë me një vendim të Kuvendit të Kosovës, ndërsa, ata i kanë shteruar të gjitha mundësitë e tyre për të kundërshtuar miratimin e këtij ligji.

Ligji për Hoçën e Madhe, është miratuar më 20 prill 2012 me shumicë votash nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Sipas Ligjit, Kuvendi i Komunës obligohet që të formojë Këshillin e fshatit prej pesë anëtarësh; anëtarët do të zgjidhen me konkurs publik, dy do të jenë nga komuniteti serb i fshatit, dy nga komuniteti shqiptar, ndërsa një do ta delegojë kisha ortodokse serbe.

Më Shumë

Humb jetën një grua shtatzënë në Spitalin e Prizrenit

Të premten në Spitalin Rajonal të Prizrenit, më saktësisht në repartin e Gjinekologjisë ka ndërruar jetë një grua shtatzënë. Siç bëhet e ditur në raportin...

24 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Lajmet e Fundit