7.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Diktatori: Në fotot e nënës

helidon-gjergji-e-mages-11-200x200Pas një karriere në galeri të ndryshme arti në Europë apo SHBA ku jeton tani, Helidon Gjergji vjen për herë të parë me një ekspozitë personale në vendin e tij. Punët e tij janë komentuar në revista të njohura për artin pamor, por ajo çfarë i ka munguar gjithnjë artistit ka qenë komunikimi me median dhe publikun që flet gjuhën e tij. “E-Mages” e ka quajtur ai ekspozitën, e cila u hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve. Një video-instalacion, i cili hulumton të shkuarën, por dhe hap debate mbi rrjetet sociale, rolin që po marrin çdo ditë e më tepër në shoqëri. “Video-instalacioni, ‘E-Mages’ (imazh në internet, elektronik), është një lojë fjalësh me imazhin se si ai ka ndryshuar tani në kohën e internetit, ndryshe nga imazhi në letër. Ideja e projektit ka ardhur nga mediat sociale, të cilat janë dominuese në të gjithë botën. Është një reflektim mbi këtë situatë, duke qenë se fëmijët që lindin sot, pothuajse nuk e njohin letrën”, thotë Gjergji. E për ta treguar forcën e “Facebook”-ut dhe imazheve që ai përcjell, Gjergji ka zgjedhur një fabul, e cila të çon në kohë në Rusinë staliniste, në një epokë që i kujton diktaturën komuniste.

“Kam ardhur me një pjesë të historisë sime personale. Isha 20 vjeç kur komunizmi ra. Mendoj që personalja mbetet gjithnjë personale, dhe në art ajo duhet të marrë një dimension më të gjerë”, thotë Gjergji. Vetëm një artist që ka jetuar komunizmin mund të kuptojë atë çfarë ka ndodhur në Rusinë e largët. “Video-instalacioni im, ‘E-Mages’, sjell një histori të sajuar për nënën e Stalinit, Ketevan Geladze, e cila ka hapur një profil në ‘Facebook’ dhe çdo ditë hedh foto të familjes.

Në ekranin e madh që projektohet në muret e Galerisë së Arteve mund të shohësh Stalinin fëmijë në krahët e Geladzes, adoleshent apo në momente të tjera familjare. Kjo familje duket kaq e lumtur, ashtu si mijëra njerëz në rrjetet sociale që e fshehin realitetin e tyre. Shoqëruar me një vals nga Shostakovitch (të orkestruar nga Andrea Rieu), këto imazhe fshehin gjithçka nga njeriu që bëri aq krime njerëzimit. Kjo video, si ‘një matrioshka (kukull) ruse hiperreale’, projektohet fillimisht mbi një pasqyrë të thyer e më pas pasqyrohet e copëzuar në mur. Në jetën reale jeta e Ketevan Geladze nuk ka qenë e lumtur. Ajo u martua me Besarion Jughashvilin kur ishte 17 vjeçe. Dy fëmijët e parë i vdiqën vetëm pak pas lindjes. Fëmija i saj i tretë dhe i vetëm Joseph (Stalini) u rrit në një ambient të dhunshëm. Babai e dhunonte atë dhe të shoqen.

Njëherë ai e torturoi atë aq shumë, sa Stalini fëmijë doli jashtë dhe kërkoi ndihmë, duke thënë: ‘Ndihmë ai po e vret nënën!’. I ati do të largohej nga shtëpia pas dhembjeve që shkaktoi. Ajo punoi në familjet e tregtarëve çifutë duke mbledhur të holla për shkollimin e djalit. Ajo donte ta bënte atë Peshkop… Kur Stalini drejtonte Rusinë, nëna e tij jetonte në pallat në Kaukaz. Në një dhomë të vogël ajo shkruante letra në gjeorgjisht, pasi nuk arriti asnjëherë të mësonte mirë rusisht. Ai e vizitoi atë edhe pas revolucionit, dhe në momente zemërimi i kujtonte fëmijërinë. Kjo është me disa fjali jeta e Ketevan Geladze, të cilën Stalini e thërriste Keke që në faqen e saj në ‘Facebook’, duket kaq e lumtur.

Videoja nuk projektohet direkt në mur, por projektohet në një pasqyrë, e cila më pas e reflekton në mure. Kjo punë është realizuar nga Gjergji vite më parë, dhe është ekspozuar në disa galeri arti në botë. Ai zgjodhi të sillte Stalinin në Galerinë e Arteve si një moment reflektimi për të shkuarën, por dhe për faktin se këtu i sheh njerëzit të fiksuar pas rrjeteve sociale”. Asnjë lloj pasqyrimi nuk jep të vërtetën, por është thjesht pasqyrim. Unë e thyej pasqyrën në një farë mënyre edhe për t’i zgjuar njerëzit: kjo është pasqyrë, është sipërfaqe dydimensionale, realiteti qëndron diku tjetër”, thotë ai. Pasqyra dhe thyerja e pasqyrës është për të treguar se interneti vetë nuk është realitet, është pasqyrim i diçkaje.

Zgjedhja e Stalinit si personazh për këtë video, erdhi për faktin se figura e tij është më e njohur në botë se diktatori shqiptar Hoxha. “Arti nuk është një pasqyrë e vendosur përpara realitetit, por më së shumti një çekan që i jep formë”, do të shprehej Breht. Por Gjergji vendos të bëjë të kundërtën. Ai reflekton mbi realitetin duke e riformuar, duke përdorur një kornizë strategjike, më shumë se një çekan. “Duke bërë një gjë të tillë çon sinjale alarmi dhe jo atë final, siç bën një çekan. Duke treguar realitetin të jepet mundësia që ta riformosh në një mënyrë të thjeshtë, duke sugjeruar strategji dhe jo duke u imponuar, siç bën një çekan”, thotë ai. Helidon Gjergji ka lindur më 1970-n dhe është diplomuar në Akademinë e Arteve, Tiranë, në vitin 1994, në Akademinë e Arteve të Bukura të Napolit në vitin 1996, dhe ka një Master për Artet Pamore nga Universiteti Northwestern në Çikago, SHBA. Ai ka qenë pjesëmarrës në Bienalen e Venecias. Nga viti 2004 jeton dhe punon në Nju Jork.

Më Shumë

Lajmet e Fundit