14.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Diplomacia e Kosovës po bën punë të mirë

PaskalMiloIsh-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Paskal Milo, ka dhënë vlerësime pozitive për diplomacinë e Kosovës. Si rezultat i një diplomacie të matur, ai ka thënë se kanë ardhur 104 njohje e kjo, sipas tij, është një arritje goxha e mirë.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, ai ka thënë se Kosova një ditë do të jetë anëtare e OKB-së dhe shumë institucioneve të tjera ndërkombëtare, pavarësisht pengesave që mund të ketë në këtë rrugë.

Gjithashtu, Milo i ka vlerësuar zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, sidomos ato në veri që u mbajtën për herë të parë. Ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria ende vazhdojnë të vuajnë nga vështirësi subjektive në shumicën e rasteve për t’i plotësuar standardet ndërkombëtare për zgjedhjet, qofshin ato lokale apo parlamentare.

“Epoka e re”: Z. Milo, cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit në Kosovë?
Milo: Kosova, sikurse edhe Shqipëria, vazhdojnë të vuajnë nga vështirësi subjektive në shumicën e rasteve për t’i plotësuar standardet ndërkombëtare për zgjedhjet, qofshin lokale apo parlamentare. Kjo ndodh për faktin se politika shqiptare kërkon të marrë sa më tepër pushtet dhe sa më pak investim moral. Pra, kërkon të përdorë instrumente jolegjitime për marrjen e pushtetit, që mund të ndikojnë ose jo në rezultatin përfundimtar, duke i vënë një njollë turpi që i bëjnë problematike zgjedhjet. Mendoj se ky është proces kalimtar në politikën shqiptare dhe historinë e zgjedhjeve shqiptare. Maturia e shoqërisë dhe krijimi gjithnjë e më shumë i një shteti ligjor do t’i japë fund kësaj praktike shqiptaro-ballkanike, sepse është një fenomen që e ndeshim me bollëk në vendet tona, por jo në pak raste e kemi parë edhe në vendet e tjera të rajonit, ndoshta shumë vite më parë. Ne kemi një përvojë të paktë të një demokracie funksionale, ku një nga elementet thelbësore është zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

“Epoka e re”: Kosova për herë të parë pas përfundimit të luftës ka organizuar zgjedhje në pjesën veriore që nuk është administruar nga Kosova, por procesi nuk ka shkuar mirë, pavarësisht thirrjeve nga bashkësia ndërkombëtare, nga Kosova e Serbia për proces të rregullt zgjedhor.
Milo: Nuk mund të pritej më shumë. Ky është mendimi im. Një hipotekë e rëndë ka ekzistuar në lidhje me Mitrovicën e veriut sepse ishte vetëm një hap i parë në drejtimin e duhur. Për herë të parë nuk mund të bëhet gjithçka në mënyrë perfekte. Ka gjithnjë një fillim që është problematik, por rëndësi ka tendenca dhe shpresoj në zgjedhje më të mira këtej e tutje. Pra, nuk duhet të kërkojmë që nga fillim të ketë zgjedhje që i plotësojnë të gjitha standardet. Nuk mund të presësh në një mjedis që ka qenë i helmuar nga një nacionalizëm agresiv dhe që u dëshmua se me gjithë presionin e madh, përpjekjet që bën, qoftë edhe autoritetet e Beogradit për të ushtruar një lloj kontrolli, nuk ia arritën qëllimit. Në veri ka forca nacionaliste që nuk i binden asnjë ligji, asnjë autoriteti, që në çdo rast mund të prodhojnë trazira dhe konflikte. Në këtë aspekt duhet edhe durim për t’i administruar më mirë zgjedhjet në procesin që do të vijojë këtë të diel dhe pas dy javësh.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për diplomacinë e Kosovës, rolin e saj për ta shtrirë ndikimin edhe tek ato vende që ende nuk na kanë njohur?
Milo: Çështja e njohjes së Kosovës si shtet i pavarur që nga viti 2008 e deri tani mund t’ju them me bindje se ka qenë në një progres të vazhdueshëm dhe të lavdërueshëm. Nuk duhet harruar se është e pamundur t’i influencosh të gjitha qendrat e mëdha vendimmarrëse të politikës, të cilat kanë influencat e tyre në shtete të vogla dhe të mesme, që nuk mund të kapërcehet brenda një kohe të shkurtër kjo pengesë. Mos të kërkojmë më shumë se ç’kemi mundësi të bëjmë. Janë 104 vende të cilat për pesë vjet kanë njohur Kosovën dhe kjo është një arritje goxha e mirë. Nuk mund t’i kapërcejmë të gjitha pengesat brenda një kohe të shkurtër, sepse janë Rusia dhe Kina, dy vende të fuqishme anëtare të Këshillit të Sigurimit, që pengojnë Kosovën dhe kanë influencat e tyre në botë. Po ashtu, janë pesë vende të BE-së që edhe ato kanë pengesat e tyre. Në anën tjetër është Serbia që ende në shumë vende, që quheshin dikur të Botës së Tretë, kanë influencën e tyre historike dhe vazhdojnë ta pengojnë Kosovën. Pra, këto pengesa nuk mund të kapërcehen menjëherë. Duhet të jemi paksa të ndërgjegjshëm, pavarësisht se duam ta plotësojmë kuorumin e duhur, të njohur në mënyrë që të shtrohet problemi për anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Edhe kjo ditë do të vijë. Prandaj, them se diplomacia e Kosovës ka bërë punë të mirë përkundrejt kritikave që bëhen.
Një njeri që e njeh procesin nga afër dhe punon në diplomaci e di fare mirë se këto çështje nuk zgjidhen me urdhrin e peshkut ose se dua unë, por janë pleksje interesash të cilat duhet t’i trajtosh rast pas rasti dhe që të mundesh ta kapërcesh interesin që ka ai vend që nuk të njehë në raport me kundërshtarin tënd që të pengon të njihesh. Kjo nuk ndodh vetëm në diplomaci, por në çdo transaksion ndërkombëtar ku ka raste të vendeve të cilat luftojnë që Kosova të mos njihet ende nga shtetet e tjera.

“Epoka e re”: Sa mendoni se ka luajtur rol diplomacia shqiptare për njohjen e Kosovës?
Milo: Diplomacia shqiptare në agjendën e vet e ka këtë çështje kryesore kudo që shkohet, bisedohet dhe negociohet. Edhe këtu duhet t’i kemi parasysh kufizimet, forcën që ka shteti i Shqipërisë përkundrejt disa vendeve që refuzojnë ta njohin Kosovën. Shqipëria e ka thënë fjalën e vet, por nuk mjafton ta thuash fjalën sepse duhet që ata të binden dhe të kenë interes. Ka disa interesa që lidhen me gjeopolitikën dhe interesa të tjera të karakterit ekonomik dhe të leverdisë. Shqipëria po e bën përpjekjen e vet, por Shqipëria nuk është SHBA dhe po e bën atë që duhet ta bëjë për Kosovën.

Më Shumë

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

Zbulohet emri i vajzës së Luizit dhe Kiarës, ja detaji që nuk u shpëtoi fansave

Luizi dhe Kiara do të bëhen prindër për herë të parë. Moderatorja është në ditët e fundit të shtatzanisë, ndërsa ditën e djeshme çifti...

Lajmet e Fundit