Ishte ditë e hënë kur po hynim në ditën e parë të verës. Ishin ditët më të nxehta. Lulet ishin të gjitha të çelura. Vendi kishte marrë plotësisht një pamje tjetër. Ngjyrat po jepnin jetë dhe gjallëri, dielli sikur shikonte me një buzëqeshje të mrekullueshme. Sigurisht që fëmijët janë ata që gëzohen më së shumti. Luanin, vallëzonin e qeshnin me të madhe.
Me familjen kishim vendosur të shkonim në Shqipëri.
Plazhet ishin mbushur përplot me njerëz. Shumë fëmijë e të rritur notonin në ujë, e të tjerët kënaqeshin duke marrë rrezet e diellit. Aty pashë edhe shokun tim Donin. U gëzova shumë. Me të luanim me top, bënim gara se kush notonte më shpejt në ujë. Ai ishte shumë afër ndërtesës ku ishim vendosur ne. Sa qëndrova në Shqipëri me Donin dilnim çdo ditë të shëtisnim. Qytetet ishin mbushur përplot me turist, të cilët vinin t’i vizitonin monumentet historike dhe shumë bukuri magjepsëse që ka Shqipëria.
Familja ime dhe familja e shokut tim Donit, shkuam që të vizitonim Kalanë e Shkodrës, ishte një bukuri e paparë. Duke ecur në kalldrëmët e saj më dukej se po zbrisja në historinë e Rozafës, flijimin e saj për të qëndruar kështjella. Nga lart mund të shikoje tërë pamjen e bukur të Shkodrës. Motra e Donit, Poema filloi të qante sepse ishte lodhur duke ecur. Ne përpiqeshim ta qetësonim e ajo si për inat qante edhe më shumë. Derisa ecnim, shikuam se një njeri po shiste lodra prej pellushi.
Unë e pyeta Poemën dëshiron ta blej një kukull prej pellushi? Ajo mes lotësh u gëzua shumë dhe vetëm pohoi me kokë. Unë ia bleva lodrën që i pëlqeu. Poema më përqafoi. Pasi ishim duke u kthyer për në shtëpi familja e Donit më falënderuan shumë që e qetësova vajzën e tyre. Të gjithë të lumtur e të rreshkur nga dielli me shumë kujtime të bukura, u kthyem në shtëpitë tona.
Ngadhënjim Brahaj kl.VIII/2,shkolla “Zenun Çoçaj” në Gjonaj