Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar “DokuFest” është përfshirë në mesin e shtatë festivaleve kryesore të dokumentarëve në Evropë për të nominuar një film të metrazhit të gjatë dhe një film të shkurtër për çmimet “Doc Alliance 2023” (Aleance e Dokumentarëve).
Përmes një njoftimi, “DokuFest” bën të ditur se përzgjedhja e nominimeve për këtë çmim do të bëhet gjatë edicionit të 22-të të këtij festivali (4-12 gusht), në Prizren.
“Çdo vit, programuesit dhe drejtorët artistikë të të shtatë festivaleve nominojnë një film të shkurtër dhe një film me metrazh të gjatë. Një juri e përbërë nga gazetarë dhe profesionistë të filmit kryesorëe evropianë më pas përzgjedh filmat fitues në të dyja kategoritë nga lista e filmave të nominuar” – thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, dy filmat që “DokuFest” ka nominuar janë “Disturbed Earth” (2021) me regji të Kumjana Novakova dhe Guillermo Carreras-Candi – si kandidati për filmin më të mirë të gjatë, dhe ‘Adjusting’ (2021) me regji të Dejan Petrovi? – si kandidati për filmin më të mirë të shkurtër.
Fituesit e çmimit “Doc Alliance” do të fitojnë 5,000 euro (për çmimin e filmit më të mirë të gjatë) dhe 3,000 euro (për çmimin e filmit më të mirë të shkurtër).
“Aleanca Doc” (Doc Alliance) u themelua në vitin 2008 si bashkëpunim mes shtatë festivaleve evropiane të filmit dokumentar: CPH:DOX, Doclisboa, Docs Against Gravity FF, DOK Leipzig, Festivali i Filmit Dokumentar në Marsejë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar “Jihlava” dhe Visions du Réel, me seli në Pragë.
Konkursi vjetor i “Doc Alliance” fokusohet në filmat e parë dhe të dytë me metrazh të gjatë nga filmbërësit në zhvillim për të mbështetur karrierën e tyre filmike.
KËTU mund ta gjeni listën e plotë të filmave të nominuar për “Doc Alliance Awards 2023”.