11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Drejt zgjedhjeve të reja, me telashet e vjetra

Pavarësisht që sistemi aktual zgjedhor vazhdon të jetë lehtësisht i manipulueshëm, me shumë hapësira të përshtatshme të boshllëkut ligjor për trafikim, shitje dhe blerje të votës, edhe pse po kalojnë dy vjet të kësaj legjislature, nuk ka një vullnet politik të inicimit të reformës së thellë as nga pozita dhe as nga opozita. Derisa partitë politike në pushtet po qëndrojnë komode me fuqinë e numrave që kanë, opozita parlamentare po kërkon zgjedhje të reja të parakohshme, por në fokus nuk e ka edhe inicimin paraprak të reformës së thellë zgjedhore, për të pasur një sistem më të qëndrueshëm dhe të pamanipulueshëm zgjedhor. Për opozitën e ndarë në dy pole, blloku AAK-Nisma dhe lëvizja ‘VETËVENDOSJE’, shumë më me interes është shkapja e shtetit nga kjo klasë politike, që po merr vendime të dëmshme në interes të vendit sesa inicimi i reformës zgjedhore, një proces të cilin qëllimisht e kanë dështuar subjektet e mëdha politike LDK dhe PDK në mandatin e kaluar të Kuvendit të Kosovës. “Reforma për Ligjin zgjedhor është dashur të bëhet para 5 vjetëve, mirëpo PDK-ja dhe LDK-ja, edhe pse kanë pasur një marrëveshje me ndërmjetësim ndërkombë- tar për reformën zgjedhore, në kohën kur e bënë presidente Atifete Jahjagen, çështjen e reformës zgjedhore e dështuan, nuk e vazhduan për arsye që të dy subjekteve të mëdha politike u konvenon akoma anarkia zgjedhore”, theksoi deputet i Nismës, Zafir Berisha.

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se reforma zgjedhore po mbetet në harresë nga të gjithë taborët politikë, sepse reforma e mirë- filltë që garanton përfaqësim të vërtetë të vullnetit qytetar në institucione, me vota të pastra të patrafikuara pothuajse nuk i konvenon as pozitës dhe as opozitës. Sipas prof. Kelmendit, çështja e sistemit zgjedhor në Kosovë është vendosur nga subjektet relevante politike asisoj, me qëllim që të krijohet një gjendje, e cila fillimisht mundëson udhëheqjen e çdo subjekti veç e veç politik, por edhe në raport me të tjerët, në mënyrë që të përzgjidhen njerëzit e përcaktuar nga vetë subjektet edhe në Parlament.

“Zgjedhja e një kandidati nuk është adekuate dhe e mundshme, sepse detyrimisht një votues duhet të votojë pesë veta në një listë zgjedhore. Me këtë lloj sistemi, me formën e tanishme caktohet tërësisht fitorja e subjektit politik dhe fitorja e këtij apo atij kandidati për deputet. Kjo është arsyeja kryesore pse subjektet politike nuk janë të interesuara për të shkuar në ndërtimin e një reforme të re zgjedhore, e ku një votues do të votonte vetëm një kandidat, apo që të shkohet më tutje në forcimin e demokracisë përfaqësuese, në krijimin e zonave zgjedhore”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”.

Partitë hezitojnë të bëjnë ndryshime Sipas Kelmendit, vetë reformimi i sistemit zgjedhor në mënyrë indirekte do të ndikonte në reformimin dhe ristrukturimin kualitativ të partive politike, prandaj kjo qasje e re nuk u konvenon liderëve aktualë, që kanë marrë pozita autoritare nëpër parti dhe nuk duan ndryshime. “Reformimi i sistemit zgjedhor do të pamundësonte udhëheqjen e partive politike, që si deputetë të zgjidhen kandidatët që partia i imponon dhe i dëshiron. Kjo për faktin se me sistemin një votë – një kandidat nuk ka mundësi të manovrimi me grupe e grupacuione, apo me zona elektorale, nuk ka mundësi që kandidatët të jenë kandidatë në disa zona, veç në një zonë, e kësisoj edhe manovrimet dhe manipulimet do të mungonin dhe do të pamundësoheshin në maksimumin e mundshëm”, tha prof. Kelmendi. Mirëpo, e keqja dhe manipulimi do të vazhdojë, derisa subjektet politike nuk kanë vullnet ta ndërrojnë sistemin. “Me formën e tashme, fillimisht krijohet grupi. Ai votohet, sepse partia qëndron pas grupeve të veçanta, duke planifikuar prioritetet e grupeve dhe të kandidateve. Të tjerët janë vetëm për rregull të strukturës në Listën zgjedhore. Pikërisht kjo formë e manipulimit të partisë me deputetë, me reformë do të luftohet. Prandaj, edhe nuk po punohet në reformë”, ka pohuar njohësi i mirë i kësaj fushe prof. Muhamet Kelmendi/kosova sot/

Më Shumë

Përfundon shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe Shpenadi

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se sot është përfunduar shtrimi i shtresës së parë me asfalt në aksin rrugor që lidh fshatrat Novakë dhe...

Osmani: Kosova tashmë është Republikë, e kemi obligim angazhimin për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit

  Presidentja Vjosa Osmani e ka kujtuar veprimtarin Ukshin Hoti në 25-vjetorin e zhdukjes së tij. Ajo ka thënë se prej 25-vjetësh, emri i intelektualit e...

Lajmet e Fundit