Derisa Këshilli Gjyqësor i Kosovës thotë se nuk është vërejtur se ka ndodhur ndonjë ndikim eventual i politikës në procesin e emërimeve të gjyqtarëve dhe se legjislacioni i tanishëm për këtë çështje është një model i garantuar me praktika ndërkombëtare, janë analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë, por edhe opozitarët e vendit, ata të cilët e thonë të kundërtën e kësaj. Sipas tyre, tani për tani emërimet në Prokurori e Gjyqësor janë të varura direkt prej politikës, ndërsa pasojat janë tepër të rënda ku gjyqësia dhe drejtësia jo vetëm se nuk po ndajnë drejtësi ashtu siç duhet, por gjithashtu po i lënë me qëllim që të parashkruhen lëndët e atyre, që po e dëmtojnë shumë këtë vend. Ndaj është shtruar edhe çështja se a po nis filli i së keqes në sistemin e drejtësisë, pikërisht me emërimet në Prokurori e Gjyqësor, dhe se a duhet të ndryshojë komplet modeli i emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për të shmangur kështu ndikimet aktuale politike në drejtësi!?
Nuk ka përmirësim në drejtësi, derisa kemi interferime të politikës
Analisti Naim Kelmendi thotë se për sa kohë do të kemi gjithnjë vetëm involvimin e plotë të politikës në emërimet në drejtësi, aq kohë do të kemi, siç tha, një sistem të varur të drejtësisë nga politika e inkriminuar, dhe se gjendja do të vazhdojë të mbetet e njëjtë. Sipas tij, nëse shihet ndër vite, çdo procesi të emërimeve dhe përzgjedhjeve të bëra në drejtësi i ka paraprirë një luftë e fortë ‘nën hije nga politika’ për zgjedhjen e bartësve të këtyre funksioneve, siç janë gjyqtarët e prokurorët, por edhe drejtuesit e gjykatave dhe prokurorive të vendit.
“Pra, tërë kjo luftë e paprincip e zhvilluar në vijimësi për këto pozita duket se është bërë për interesa të mafio-politikës, pasi kjo e fundit në ato pozita do që t’i ketë njerëzit e vet, ashtu edhe sikur në të gjitha institucionet e tjera të shtetit, të cilat janë të kapura”, ka shtuar ai. Tutje, Kelmendi ka nënvizuar se kësisoj mafio-politika ka pasur qëllimin e saj gjithnjë dhe në vazhdimësi që të drejtojë institucionet dhe shtetin me njerëz që përfaqësojnë interesat e tyre në rend të parë dhe aspak ato të qytetarit të vendit.
“Një formë e tillë e veprimit dhe menaxhimit do ta çojë shtetin vetëm drejt degradimit të funksionimit të institucioneve të pavarura në punën dhe funksionin e tyre, përfshirë edhe sistemin e drejtësisë, pra të Gjyqësorit e prokurorive. Andaj, sistemi i drejtë- sisë nuk do të funksionojë si i pavarur nga politika dhe ndikimet e saja, as nuk do të ketë ndryshime pozitive në këtë drejtim, përderisa të vazhdojnë interferimet e politikës dhe ndikimet e saja në çdo hallkë të këtij sistemi, përfshirë pra edhe tek emërimet dhe përzgjedhjet e personave në drejtësi përgjithësisht”, ka theksuar për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.
Kurteshi: Menaxhimi në këtë formë i drejtësisë është i patolerueshëm
Deputeti Ismajl Kurteshi, mendon se së pari e keqja tek ne ka filluar në momentin kur ka pasur ndërhyrje qoftë tek ata që i kanë emëruar këta politikanë dhe njerëz, që janë nën ndikim të politikës, apo qoftë edhe përmes formave të tjera të emërimit. Sipas tij, është shumë me rëndësi që ata të cilët marrin përgjegjësi të ndajnë drejtësi duhet të jenë njerëz, siç tha të dinjitetshëm, që ta kryejnë punën e tyre konform ligjit dhe të mos lejojnë ndërhyrje të tilla. “Por, natyrisht se njerëzit, të cilët emërohen nga politika që janë më të ndikueshëm, sepse qëndrimi i tyre në ato pozita varet nga ata që i kanë emëruar. Mendoj se ne si popull, pastaj edhe si kuadro, por edhe si profesionistë duhet që ta avancojmë vetëdijen dhe përgjegjësinë tonë dhe të mos lëshojmë pe atje ku kemi ekspertë, dhe jemi të përzgjedhur si njerëz të kualifikuar për ta zgjedhur një çështje bazuar në profesionet tona. Por, kjo tek ne rrallëherë po ndodh për shkak të njëfarë përvoje të gjatë të nënshtrimit edhe në regjimet e tjera, por që edhe tani kështu po vazhdon”, shprehet Kurteshi. Ai tutje shtoi:”Natyrisht që do duhej bërë çmos për ta ndryshuar këtë formë dhe ajo mund të ndryshojë edhe duke e bërë zgjedhjen përmes disa trupave profesionale, të cilat janë të pavarura nga politika për aq sa mund të jenë të pavarur, sepse tani për tani kjo varësi është direkt prej politikës. Pasojat po i shohim që janë tepër të rënda, ku gjyqësia dhe drejtësia jonë jo vetëm se nuk po ndajnë drejtësi ashtu siç duhet, por gjithashtu po lënë shumë lëndë të pazgjidhura, dhe me qëllim po i lënë që të parashkruhen ato, duke e dëmtuar shumë këtë vend”. Kurteshi thekson se kjo formë dhe mënyrë e të menaxhuarit të drejtësisë është e patolerueshme, sepse një ndër shtyllat kryesore të shtetit është drejtësia, ndërsa pa të nuk ka mundësi që të funksionojë dhe qëndrojë shteti.