Drejtori i gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri, të hënën, gjatë seancës së mbajtur në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin e kthyer në rigjykim ndaj tij dhe ish-drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Prizren (DKA), Nexhat Çoçajt, ka paraqitur një provë të re.
Buduri ka propozuar që të administrohet si provë, një shkresë e tij, dërguar DKA-së me të cilën e kishte njoftuar për mësimdhënësit të cilët janë punësuar sipas konkursit. Me të njëjtën shkresë, DKA-ja është njoftuar se profesori Besnik Krasniqi është duke mbajtur orët mësimore të lëndës “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe”, pa vendim të DKA-së.
Buduri ka thënë se kjo shkresë është e protokolluar në librin e protokollit të shkollës dhe është dorëzuar në sektorin e financave të DKA-së, sepse nuk ka pasur zyre të pranimit.
Ndërsa i akuzuari tjetër, ish-drejtori i DKA-së, Nexhat Çoçaj, ka deklaruar se prej themelimit të kësaj drejtorie, ekziston zyra për pranimin e shkresave, andaj ka thënë se as ai e as DKA-ja nuk kanë qenë të informuar për një shkresë të tillë.
Prokurori i çështjes, Mehdi Sefa, ka kundërshtuar administrimin e kësaj prove, duke thënë se i akuzuari të njëjtën mund ta ketë pasur edhe gjatë gjykimit të parë por nuk e ka prezantuar. Sipas prokurorit Sefa nuk ka prova tjera që e mbështesin besueshmërinë e një prove të tillë.
Në këto rrethana, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, kanë vendosur që zyrtarisht të kërkojnë nga zyra e protokollit të DKA-së, nëse një shkresë e tillë është protokolluar në librat e tyre, e pastaj të vendosin për administrimin ose jo të saj.
Seanca e radhës është caktuar për 22 shkurt 2017, me fillim në ora 09:30.
Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj akuzohen se kanë punësuar profesorin Besnik Krasniqi, në gjimnazin “Gjon Buzuku”, pa konkurs publik.
Sipas aktakuzës, Buduri duke qenë drejtor i shkollës në fjalë, ka lejuar, profesorin Krasniqi, të japë mësim për pesë muaj, pa kontratë të punës.
Ndërsa Çoçaj akuzohet se ia ka lidhur Besnik Krasniqit, kontratën e punës në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk ka shpallur konkurs publik për atë vend të punës.
Shaip Buduri, në maj të këtij viti, është dënuar nga kjo gjykatë me një vit burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër Nexhat Çoçaj ishte liruar nga akuza.
Por, Gjykata e Apelit, ka prishur një aktgjykim të tillë, me arsye se nuk është vërtetuar në tërësi gjendja faktike. Sipas Apelit, gjykata nuk ka arritur të arsyetojë përgjegjësinë e drejtorit të shkollës, në punësimin e profesorit, pasi që punësimin e bënë DKA-ja.
Apeli, poashtu ka gjetur se nuk qëndron arsyetimi se drejtori i DKA-së, ka lidhur kontratën në bazë të UA 08/14, pasi që lidhja e kontratës është bërë me 2 shkurt 2014, ndërsa UA ka hyrë në fuqi me 25 shkurt 2014./betimiperdrejtesi/