18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Duke përjetuar vargjet e poetit Jeton Kelmendi

Jeton Kelmendi2Sa herë më shfaqet fjala e një krijuesi në të shkuarën dhe në të sotmen, e di se brenda saj më lind një mendim i hershëm ose i tanishëm, lidhja e poezisë me kohën dhe jetën. Kam dashur të besoj se këto reflekse të veçanta letrare brenda për brenda tyre kishin një formë sa të brendshme po aq edhe të jashtme estetike që përbënin atë çka quhet sot në artin e fjalës poetike harmonizimin artistiko- estetik. Poeti që ka jetën dhe vargun e përjetësisë në tërësinë e të bukurës, specifike për një shkrimtar që hyn në oazin e gjerë të poezisë universale, na tregon një zë të fuqishëm në realitetin e botës dhe jetës, pasi tek poeti Kelmendi vargjet lindin me ëndrrën. Kjo dukuri ndryshe e një krijuesi në sytë e lexuesit kthehet në një perceptim të thellë si për poetikën, ashtu edhe për letërsinë.

Sapo lexon librin më të ri të tij « Thërras Gjërat e Harruara » me ndjesi nga imagjinata tek realiteti ku temë të kahershme ka dashurinë dhe vetveten, më ngjan se autori e ndan me të gjithë shpirtin e tij poetik me një zë ndryshe, i cili dëgjohet deri thellë në rrashtin e asaj çka poeti krijon.

Në këtë poezi ndjenja e mendimit është sa origjinale po aq edhe meditative në ritmin e frymëzimit, e cila grish atë që quhet bota e madhe emocionale me një kulturë të domosdoshme për një poet. Universalizmi i poezisë së Kelmendit komunikon jo vetëm me « Unin » e poetit që udhërrëfen jetën e dashurisë njerëzore, por edhe me universin e tij tokësor të mëvetësishëm përjetësues. Nëpër vargje lëvizin idetë e njohura dhe të panjohura në kohë dhe hapësirë, motivet e ndjenjave njerëzore në larminë e figurave letrare, simbolet e metaforat me nuanca të pafundme semantike.

Ai di të zbulojë jo vetëm botën vetjake në poezi, por edhe të përbotshmen që e fut në përjetimet e tij. Ky përcaktim i realizimit të vargut të drejtpërdrejtë e lidh ndjesinë njerëzore me artin, funksionin e misionin e tij, në dobi të të shkruarit dhe mendimin e përhershëm të realitetit estetik brenda njeriut.
Duke qenë një shkrimtar idealist i përfshirë mes atdheut të vet dhe perëndimit Jeton Kelmendi kërkon të gjejë në poezinë e tij atë krijesë unike të formësuar nga vargjet.

Ai ngjan i papërsëritshëm, i mirëfilltë, shpirtëror, ekzistues në deshifrimin e mistereve të poetikës në kontekstin e të tashmes. Me aftësi krijuese e ndërkohore qenia e shfaqjes së poezisë është vetëm një formë e lirisë dhe funksionit kulturor për të vlerësuar fjalën e autorit. Hipotezën se fjala mbetet një përshkrim me domethënie të larmishme për njeriun, atdheun e poetit, dashurinë, gjendjen, sharmin tokësor, ku harmonizohet jeta metafizike brenda jetës universale e gjen si provë, ku së pari flet krijuesi me materjen e tij. Aty Kelmendi gjen atë çka e quan të « paemërt » ose dilemë.

Në jetën e tij shpirtërore gjallojnë mitet e epokës kulturore, idetë se universalja është po aq e madhe sa edhe madhësia e lëvizjes në legjendat e vendlindjes, të cilin ai nuk e ndan nga universalizmi. Edhe pse vetëdija e poetit vargëzohet mes gjendjes dhe ëndrrës ai emërton gjithsesi kahun e ligjërimit. Në krye të herës figura e njeriut dhe e vetvetes, konceptuar nga dinamika e njëkohshme e ritmikës lirike nëpërmjet lidhjes së njeriut me jetën, dhe autorit me realitetin, na sjell këtë strukturë në hapësirën letrare nëpërmjet gjuhës së poezisë. Kjo gjuhë përbën një bashkësi mes shpirtërores e mendimit, ku lindin themelet e shfaqjes së brendashkrimit së poetikës dhe evoluimit letrar.

Ashtu si shtrirja e rrezeve mbi tokë, Jeton Kelmendi dukurinë e vargjeve e quan jetësore, (Poezia : Peja në pesë të mëngjesit), ku ai sundimin e jetës e riemërton « ikje » nga ëndrrat. Ripohimi i ëndrrës si një identifikim i lindjes dhe qenies në mendimin e poetit na bën ta quajmë çdo ëndërr, « kujtim ëndërrues » ose meditim i thellë i jetës dhe realitetit jetësor. Gjatë ngadhënjimit të qenies njerëzore letrare, aty kur vijnë shkuarjet e poetit ndihet fryma që e mban poezinë në shpirtin e tij, me shenjtërinë e fjalës së dashurisë. (Poezia : Afrohmu pak). Është ky dualitet mes shpirtërores dhe dashurisë që i prin Kelmendit deri në fund të veprës poetike dhe që përbën thelbin e tij poetik. (Shpirtin ta shpaloj si librin e shenjtë, të mësoj ty, qysh me të dashtë thekshëm).

Duke e kërkuar dhe gjetur materjen tek krijesat njerëzore apo dëshmimin e kohës Kelmendi trupon të thënat e të pathënat për atë që ai e quan ëndërr apo zhgjëndërr. Ai identifikon me anë të perceptimit të tij realitetin e botës poetike me intonacion nëpërmjet krijimit filozofik, me një delikatesë dhe një komunikim universal. ( Brenda saj, në mendimet e mia, pa format të caktuar, m’i nxjerr parametrat e materies. (poezia Materje). Estetika ose ajo çka duam të përjetojmë si lexues brenda kompleksitetit të mënyrës së të shkruarit na bën të ndjejmë atë çka shpërthen në vargjet poetike dhe ku na shfaqet origjinaliteti si mision i veçantë i Jeton Kelmendit.

Teksa ripohon « meditimin » në poezinë e tij, si një krijim letrar ose një kuptim për artin e fjalës që përkon edhe me hapësirën si përkufizim të lirisë, ai depërton në çlirimin e vargut si akti i depërtimit të poezisë tek lexuesi, përkatësisht për vetjakësimin e krijimit artistik. Kelmendi nëpërmjet lirisë është frymëzuar dhe dashuruar me poezinë ashtu siç është pasuruar me kohën e jetës letrare ku ka përfshirë edhe jetën njerëzore. Ai e ka pasuruar e kthyer vargun në një dashuri të madhe edhe me lajtmotive humane për lexuesit e tij. Tematika e zgjedhur nga motivet origjinale të përjetimeve të jetës plotëson unitetin e veprës letrare me elementë të mbizotërimit jetësor, të atdheut ku ka lindur dhe të poetit në hapësira të tjera duke lëvizur edhe brenda qenies së tij poetike.

Poeti Kelmendi di të zbulojë të panjohurat si një element që i ndjek vargjet për t’i bërë të njohura para vetes dhe lexuesit. (Nanë është, më e bukura gjë për të cilën flitet, ajo i ka dy kuptime: ky që e marrim vesh të gjithë dhe kuptimi i saj për mua: Jeta në kuptimin e parë (poezia Fjala Nanë). E panjohura për poetin lind e shfaqet tek vetvetja. Fjala pra, nëpërmjet një gjuhe të kthjellët, si përkatësi e madhe e krijimit letrar vjen si mendim e rishfaqet krejt e re, selektive, duke u formuar nga filli i së njohurës si një zëdhënëse për shtjellimin ku kohët nuk humbin por vijojnë. (S’më pret pak kohë, Koha, tutje nuk shkohet vetëm, marr me vete kohën, dita po shkon drejt mesdite, sërish bashkë vazhdojmë, ecim, dita po shkon drejt mesdite). (Poezia, Ecje Lirike).

Bashkimi i të panjohurës me të njohurën tek Jeton Kelmendi është një element i ri i poezisë sonë bashkëkohore shqipe, që dëshmon se kjo arritje kulmore vetjakëson me fuqinë e saj bashkimin e dy kohëve, të së kaluarës dhe të së ardhmes. Duke hyrë në kryqëzatën e poezisë mes kohëve, për një autor, vargu mbart atë çka është më shumë sipërthënës, burimin poetik dhe Kelmendi na sjell prurje të reja mbi vështrimin e botës shpirtërore të fenomeneve letrare si një krijues mjaft i talentuar.

Atëhere kur autori kalon nga ëndrra për të takuar realitetin të cilin e shpall nëpërmjet vargjeve, ai thërret gjërat e harruara, për të mos harruar ardhjet e reja të tashme që do të ndodhin brenda botës së tij. Poetin e thith jeta me lëngun e vargjeve plot ndjenjë në fronin e shkrimit të planetit njerëzor. Udhëtimi i tij për të gjetur të panjohurën nëpërmjet vargjeve është zgjedhur si i tillë, pasi vetë poezia vezullon edhe në ditën kur bëhet natë, apo kur errësira vjen e ikën në pikënisje.

Duke pasur si shkallë përjetimin e tij në botën e dashurisë, temë e cila në këtë libër ze pjesën më të prekshme sa intime aq edhe si mesazh poetik vjen edhe nga një filtrim i thellë i vargjeve që marrin kuptimin ekzistencial. I pari akt i domosdoshëm për mënyrën e shtrirjes së vjershërisë, është perfeksionimi i saj në konotacionin e realitetit të jetës dhe diskursit poetik ku shfaqet pesha e fjalës.

Kelmendi e percepton botën sipas vetes dhe mendimit të tij. Përdorimi i figurave letrare, në veçanti i metaforës me të cilat perfeksionon stilin dhe vetë poezinë vjen nga përvoja e hershme e autorit në botimet e kaluara, të cilat për hir të së vërtetës e kanë ngjitur poezinë e këtij autori dukshëm në lartësinë e poezisë shqipe, ku përveç magjikes autori përcjell edhe harmoninë e vlerës së artit poetik.

Po aq e vërtetë është kjo sa emri i tij tashmë intuitivisht është përcjellë edhe në poezinë europiane e më gjerë, një parandjenjë kjo që ishte vërejtur edhe nga kritika shqiptare dhe ajo botërore. Poeti i ardhur nga një vend me legjenda të njohura, ka sjellë edhe në poezinë universale kodin e poezisë së atdheut nga i cili vjen, duke i kthyer motivet në nuanca të gërshetuara me universalen, nga një akt abstrakt në vlim shpirtëror.

Kjo poezi mbetet frymëzuese, me vetëdije origjinale në mjeshtrinë e vargut, një zbulim ekzistencial deri në pikën e mendimit të shpirtit të tij shqiptar me frymëmarrje dhe ndjenjë që e përafron poezinë me botën e jashtme. Duke shijuar esencialisht një poet që na bën të përjetojmë thellësisht edhe mendimin estetik me ide të dallueshme, autori ka gjetur kodin e përjetimit në poezinë e së ardhmes që mesa duket është bërë jeta e dytë e Jeton Kelmendit. /VIOLETA ALLMUÇA, shkrimtare/

Më Shumë

Letër dashurie: Nuk di se si ta përshkruaj atë çka përjetoj… vazhdimisht të pres…

Shkrimtari amerikan Henri Miller dhe shkrimtarja franceze, Anais Nin, edhe pse të dy të martuar, asgjë nuk i ndali të përjetonin një romancë e cila i...

Policia shqiptoi për 24 orë, 1702 gjoba në trafik

Policia e Kosovës njofton se për 24 orë, ka shqiptuar 1702 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar disa aksidente...

Lajmet e Fundit