18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Dyfishohet numri i maturantëve, barra mbi UP

UP-studentetUniversitetet Publike ende nuk kanë dorëzuar në Ministrinë e Arsimit propozimet e tyre për numrin e studentëve që do të pranojnë në vitin e ri akademik 2014/2015.

Pritet që numri i kuotave të rritet, pasi sivjet është dyfishuar numri maturantëve.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, thonë se përgjegjësia më e madhe do të bjerë në Universitetin e Prishtinës, sepse është universiteti më i madh me numër më të madh të personelit akademik. Mirëpo, do të ketë rritje të numrit të studentëve edhe në universitetet e tjera publike.

Këtë vit është dyfishuar numri i maturantëve, që pritet të konkurrojnë në institucionet e arsimit të lartë. Universitetet publike ende nuk kanë paraqitur kuotat se sa studentë do të pranojnë për vitin e ri akademik. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën, se janë duke pritur kërkesat nga universitetet publike sa u përket kuotave. Ai theksoi se universitetet duhet të bëjnë një analizë të kapaciteteve që kanë dhe në bazë të tyre, të kërkojnë edhe numrin e kuotave.

“Jemi shumë të bindur që numri i vendeve që do të jenë në universitetet publike por edhe në kolegjet private, do të jetë numër i mjaftueshëm ku çdo maturant që kalon provimin e maturës dhe shpreh ambicie për të ndjekur arsimin e lartë, do t’i jepet kjo mundësi.”

Megjithatë, universiteti që do të ketë fluksin më të madh është ai i Prishtinës, pasi ka edhe numrin më të madh të programeve dhe stafit akademik. Mustafa tha se mund të rritet numri i kuotave edhe në universitetet e tjera publike, në mënyrë që të bëhet një shpërndarje e studentëve në të gjitha institucionet.

“Ministria e Arsimit, nëse e sheh që numri që ata kanë kërkuar është jashtë kapaciteteve që kanë do t’i diskutojmë, por në të njëjtën kohë, nesh ne vlerësojmë se universitetet kanë kapacitete më shumë se sa kuotat që kërkojnë atëherë do të kërkojmë përgjegjësi. Është e vërtetë që përgjegjësia më e madhe do të bjerë në Universitetin e Prishtinës, sepse është universiteti më i madh me numër më të madh të personelit akademik. Mirëpo do të ketë rritje të numrit të studentëve edhe në universitetet e tjera publike.”

Ndërkohë, në shtatë fakultete të Universitetit të Prishtinës pranohen studentë pa provim pranues, duke u bazuar vetëm në rezultatin e testit të maturës. Ndërsa, në fakultetet e tjera ku maturantët i nënshtrohen provimit pranues, 50 për qind e rezultateve varet edhe nga provimi i maturës.

Më Shumë

Lajmet e Fundit