3.3 C
Prizren
E martë, 20 Janar, 2026

Dyvjeçarit me leukemi nga Damjani i Hasit, i duhen 160 mijë euro për shërim

Në fillim u mendua se ishte në pyetje vetëm një ftohje dhe pezmatim i fytit, pasi kështu i thoshin edhe mjekët, por më vonë Asdren Krasniqi nga fshati Damjan i Gjakovës u diagnostikua me leukemi dhe tash i duhen rreth 160 mijë euro për shërim jashtë vendit, para këto që familja e Asdrenit nuk i ka

Jo rastësisht thuhet se shëndeti është pasuria më e madhe e njeriut. Dihet shumë mirë se një person i sëmurë në familje ka ndikim të drejtpërdrejtë në gjendjen e anëtarëve të tjerë të asaj familjeje, posaçërisht në raste kur ata nuk janë në gjendje t’i ndihmojnë të sëmurit. Këtë, në lëkurën e vet, drejtpërdrejt e ka përjetuar familja e Agim Krasniqit nga lagja e Shehut në fshatin Damjan të komunës së Gjakovës. Deri para disa muajsh, Agimi, bashkëshortja e tij dhe 5 fëmijët e tyre përbënin një familje të lumtur. Pavarësisht se edhe ata, sikurse edhe shumë familje të tjera kosovare, nuk ishin të kursyer nga problemet e natyrës financiare, ato arrinin t’i përballonin me optimizëm dhe shpresë se do të bëhet më mirë. Ai disponim i mirë në këtë familje tash mungon, lumturia e tyre disi ka tretur! Në fakt mungon tash e më shumë se dy muaj, prejse anëtarit më të vogël të kësaj familjeje, Asdrenit dyvjeçar, iu është keqësua seriozisht gjendja shëndetësore. Tash, të gjithë anëtarët e kësaj familjeje, por edhe farefisi i ngushtë nuk bëjnë “verë me gojë”.

Image

U tret lumturia e familjes

Janë shumë të brengosur me gjendjen shëndetësore të Asdrenit dhe të dëshpëruar që nuk janë në situatë t’i ndihmojnë vetë.

“Aty, pak para Vitit të Ri, Asdreni ishte pak i sëmurë. E dërguam te mjeku për kontroll dhe vlerësimi i parë i mjekëve ishte se është ftohur dhe se ka infeksion në fyt, për ç’arsye ai vazhdimisht djersitej. Ia përcaktuan disa terapi të cilat ne me rregull i aplikuam, por gjendja e djalit nuk përmirësohej”, fliste të premten, me mjaft mundime, babai i Asdrenit, Agim Krasniqi, i cili, për një moment e ndërpreu rrëfimin e tij, pasi mezi merrte frymë dhe nga syri i pikuan dy pika lot, të cilat i fshiu me shpejtësi dhe në mënyrë diskrete që të mos e shohin anëtarët e tjerë të familjes.

Meqenëse, përkundër terapisë së rregullt të përcaktuar nga mjekët, gjendja e Asdrenit nuk përmirësohej, babai i tij e dërgoi edhe te mjekë të tjerë dhe pas shumë kontrollimeve dhe analizave, mjekët në Prishtinë e konstatuan se çuni dyvjeçar vuan nga një sëmundje e rëndë, vuan nga leukemia.

“Ky konstatim i mjekëve ishte sikur të pëlciste një bombë e madhe në shtëpinë tonë, në familjen tonë. Ngelëm pa fjalë, nuk dinim si të reagonim. Kishim dëshirë të besonim se ky është një gabim i mjekëve i cili do të ndryshoi së shpejti dhe ata do të dalin me një diagnozë tjetër, më të volitshme. Mirëpo, nga dita në ditë, kjo dëshirë jona sa vinte e zbehej. Nga dita në ditë, bëhej gjithnjë e më e qartë se, pavarësisht se nuk na pëlqente, diagnoza ishte e saktë, dhe befasinë tonë e zëvendësuan dëshpërimi dhe brenga e madhe se çka të bëjmë tash, si të veprojmë, si t’i ndihmojmë djalit? Net të tëra, unë dhe gruaja nuk kemi futur gjumë në sy, duke u munduar të gjejmë zgjidhje për këtë situatë shumë të papritur për ne” e përshkruante Agimi periudhën e kaluar prej dy muajve, që nga Viti i Ri e deri më tash. /Kosova Sot/

Më Shumë

Komuna e Malishevës me shumicë votash miraton buxhetin për vitin 2026

Kuvendi Komunës së Malishevës, sot në mbledhje të jashtëzakonshme me shumicë votash ka miratuar buxhetin për vitin 2026/ 2028, përkatësisht për vitin 2026. Në një...

Kanosi dhe sulmoi qytetarin, i dyshuari në Prizren kapet me pushkë dhe pistoletë

Një person është arrestuar pasi dyshohet se kishte kanosur dhe sulmuar një tjetër qytetar, duke prezantuar gjatë incidentit një pistoletë. Rasti ka ndodhur në fshatin...

Lajmet e Fundit