Organizata Joqeveritare “Ec Ma ndryshe”, ka filluar sot aktivitetin sensibilizues për largimin e veturave nga trotuaret para shkollave në qytetin e Prizrenit.
Zyrtarja Fjolla Gashi, tha se ky aktivitet është rezultat i bashkëpunimit me shumë grupe të qytetarëve që kontaktohen nga OJQ “Ec Ma ndryshe”.“Përmes shpërndarjes së fletushkave po mundohemi që së pari të ngrisim vetëdijen e qytetarëve për këtë problem”.
“Kërkesa për zhbllokimin e trotuareve,do t’i dorëzohet edhe institucioneve përkatëse komunale”,tha ajo,transmeton TV Prizreni
Gashi shprehu besimin se një gjë e tillë do të përkrahet nga pushteti lokal i Prizrenit. Sipas saj, përmbyllja e aktivitetit do të bëhet përmes përpilimit të një kërkese bashkërisht me të rinjtë, e cila do të dërgohet tek drejtoritë komunale për marrjen e masave gjithëpërfshirëse në ndalimin e kësaj dukurie.
Ndërsa, qytetarët e mirëpresin këtë aktivitet. Ata thonë se ky aktivitet duhet të mbështetet edhe nga institucionet lokale.
Aktiviteti është duke u zhvilluar në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës– Planifikim me pjesëmarrje për zhvillim të qëndrueshëm urban në Prizren”, ku të rinjtë dhe nxënësit e shkollave të mesme shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar lidhur me zhbllokimin e trotuareve nga automjetet gjegjësisht nga vozitësit e pandërgjegjshëm.
Ky aktivitet do të vijojë me shpërndarjen e fletushkave vetëdijesuese nëpër makina, institucione komunale, polici, prokurori, shkolla të mesme dhe fillor./PrizrenPress.com/