13.8 C
Prizren
E mërkurë, 8 Maj, 2024

Edhe dy mandate gratis për minoritetet?

KuvendiKosoves5-27Të paktën edhe në dy mandate të Kuvendit të Kosovës do të ketë vende të rezervuara për minoritetet, sikurse që ka pasur që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës e deri më sot.

Siç raporton KTV, për t’ua mundësuar minoriteteve që të kenë ulëse në Kuvendin e Kosovës pa fituar asnjë votë në zgjedhje është pajtuar kryeministri Hashim Thaçi, zëvendësi i tij, Behgjet Pacolli si dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, në takimet e mëhershme joformale kundër kësaj ideje është deklaruar lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe ai i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Vazhdimi i rezervimit të vendeve për minoritetet bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Pakon e Ahtisarit, në bazë të së cilës ishte shpallur pavarësia e Kosovës.

Eksperti i të drejtës kushtetuese, Riza Smaka, shprehet kategorikisht kundër rezervimit të vendeve për komunitetet pakicë.
“Kjo kërkesë është tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën, edhe me normat kushtetutare në përgjithësi si vend demokratik. Ne e kemi definuar Kosovën në Kushtetutë si shtet i qytetarëve e jo shtet i etniteteve as i entiteteve”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se gjithçka që del jashtë Kushtetutës dhe Pakos së Ahtisarit duhet të jetë e papranueshme nga ana e pushtetarëve.

“Që pakicat kombëtare të jenë pjesë integrale e shoqërisë kosovare është menduar që të jetë një fazë e përkohshme ku fillimisht dy mandate (mandati i kaluar dhe mandati aktual i Kuvendit) me vende të rezervuara më pas me vende të garantuara, por assesi që vendet e rezervuara të vazhdohen edhe më tutje, të cilat sipas mendimit tonë mund të rrëshqasin nga vende të rezervuara në vende të konservuara, e të cilat assesi Kosova nuk do të mund t’i prekë më pas”, thotë Selmanaj.

Mirëpo, zgjatja e vendeve të rezervuara kërkon edhe ndryshime kushtetuese, ndërsa eksperti Smaka thotë se kjo gjë është e papranueshme, sepse, siç thotë ai, janë të palogjikshme, pa një bazament të fortë, dhe pa argument të fortë.

Më Shumë

Lajmet e Fundit