Një 15-vjeçare është martuar me një djalë 5 vjet më të vjetër. E për martesën e së miturës ishin pajtuar edhe prindërit. Pas intervistimit nga policia, e mitura është dërguar në shtëpinë e saj, ndërkaq 20-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt, shkruan Gazeta Express
Ishte martuar me një 20-vjeçar, por e mitura L.M. këtë veprim nuk e kishte bërë krye në vete. Familja e saj e kishte lejuar të martohet, ani pse kjo është e ndaluar.
Por, martesa nuk iu zgjati shumë. Policia i ra në gjurmë çiftit në një fshat të Malishevës, ku edhe i dërgoi në stacionin policor për t’i intervistuar.
20-vjeçari E.M. u intervistua si i dyshuar për veprën penale “Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç”, ndërkaq 15-vjeçarja L.M., në cilësinë e viktimës.
Çifti u intervistua në prani të avokatit mbrojtës, përfaqësuesit të Qendrës për Punë Sociale dhe mbrojtësit të viktimave, ku edhe e kanë pranuar se vepra penale është kryer me pëlqimin e tyre dhe familjarëve të tyre.
Tërë këtë ngjarje e ka konfirmuar për Gazetën Express, drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Gjakovës, Lumni Graishta.
“Më datë 14.01.2020 Sektori i Hetimeve Rajonale në Gjakovë ka pranuar informatë për një rast ”Bashkësi jashtëmartesore me personin nën 16 vjeç” sipas nenit 240 i Kodit Penal të Kosovës. Pas mbledhjes së informatave të nevojshme, sot më datë 16.01.2020 Sektori i Hetimeve Rajonale ka arritur të identifikoj, shoqëroj në objektet policore dhe të intervistoj të dyshuarin E.M. mashkull/shqiptar/kosovar me dl.1999 dhe viktimën L.M. femër/shqiptare/kosovare me dl.2004”, ka thënë Graishta.
Graishta ka treguar se me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt ndërsa viktima është dërguar në familjen e saj, ndërkohë ai ka shtuar se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë nga Sektori i Hetimeve Rajonale të DRP Gjakovë.
Një rast tjetër i martesës së hershme kishte ndodhur në Gjakovë në muajin dhjetor të vitit që lamë pas.
14-vjeçarja nga Peja ishte martuar me një djalë 23-vjeçar nga Rogova e Gjakovës. Në më pak se një muaj martesë, ajo kishte kërkuar ndarjen, por nuk e kishte përkrahur askush. Duke mos parë zgjidhje, ajo kishte tentuar të vetëvritet, duke i prerë venat e dorës.
E mitura ishte kthyer në familjen e saj, por për këtë rast nuk do të mbeteshin pa u ndëshkuar orindërit e vajzës, ish-bashkëshorti dhe ish-vjehrri. Policia pati nisur hetimet ndaj këtyre katër personave të cilët e lejuan të ndodhte martesa nën moshën e pjekurisë.
Ndërkaq kujtojmë se për personat e moshës madhore që martohen me të mitur ka edhe ndëshkime penale të cilat përcaktohen në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Ky Kod Penal specifikon se personi i moshës madhore i cili lidh martesë me një të mitur të moshës 14-16 vjeçare mund të dënohet prej pesë deri në njëzet vjet./Express/