9.8 C
Prizren
E enjte, 25 Prill, 2024

Edhe PDK për mini-reformë zgjedhore

Behar Selimi PDKDy partitë më të mëdha në vend, PDK dhe LDK, ndajnë mendim të njëjtë sa i përket reformës zgjedhore.

Të dy taborret politike janë shprehur të gatshme që ta pranojnë një mini-reformë, për shkak se reforma rrënjësore, ashtu siç ishte menduar në fillim, do t’u merrte atyre shumë kohë.

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Reformë Zgjedhore nga PDK, Behar Selimi, ka thënë se për lajmi.net se Kushtetuta e vendit ka peshë më të madhe se zgjedhjet.

Selimi deklaroi se shumica e çështjeve sa i përket kodit zgjedhorë janë mbyllur, dhe sipas tij do të varet gjithçka nga vullneti i partive politike në vend.

Deklaratat e Selimit janë në vijë me ato të Kryetarit të LDK’së, Isa Mustafa i cili një ditë më parë doli hapur me qëndrimin se Kosovës i duhet një reformë më e shpejtë, por e tillë që nuk e prek Kushtetutën e vendit.

“Sa i përket ndonjë ndryshimi që kërkon ndryshim kushtetues mendoj që është shumë vonë. Na merr shumë kohë. Çfarëdo amandamentimi, pas amandamentimit pastaj kërkohet një kohë relativisht disa mujore për këto zgjedhje”, ka thënë Behar Selimi.

“Mendoj se nuk ka kohë për reformë zgjedhore e cila prek Kushtetutën dhe nuk kemi nevojë për të nxituar për ta ndryshuar Kushtetutën për shkak të zgjedhjeve”.

“Kushtetuta është më e madhe se zgjedhjet”.

Puna Komisionit për Reformë Zgjedhore kishte filluar dy vjet më parë por që është bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve mes subjekteve politike.

Por deputeti i PDK`së Selimi ka thënë reforma e ligjit për zgjedhje është pothuajse në përfundim duke e përkufizuar atë si ligj të mirë. Ndryshimet e mëdha sipas Selimit pritet të ndodhin në legjislacionin sekondar dhe në mbikëqyrjen e procesit.

“Problemi kryesor ka qenë dhe vazhdon të jetë mbikëqyrja e procesit, monitorimi i procesit, privimi i keqpërdorimit të votës, gjatë votimit. Këto kanë qenë problemet më të mëdha”.

“Për mendimin tim shumica e atyre çështjeve të mëdha janë rregulluar me projektligjin të cilin e kemi punuar si komision dhe na ka mbetur shumë pak punë. Mendoj që për një kohë shumë të shkurt do t`i përfundojmë edhe ato punë që na kanë mbetur nëse liderët politik kanë vullnetin që të merren vesh”.

Por spektri politik kosovar gjendet nën presion të madh nga bashkësia ndërkombëtare që zgjedhjet e përgjithshme të cilat pritet të mbahen vitin e ardhshëm të zhvillohen me kod të ri zgjedhor.

Deputeti Selimi nuk preferon zgjedhje të jashtëzakonshme pasi që, sipas tij, kjo mund të reflektojë negativisht karshi bashkësisë ndërkombëtare.

“Nuk konsideroj që të futemi në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është rrezik i madh politik sidomos për politikën tonë të jashtme të Kosovës karshi bashkësisë ndërkombëtare”.

Sipas tij, zgjedhjet mund të mbahen atëherë kur komisioni ta finalizojë edhe pjesën e mbetur të reformës.

“Nëse duhet të shkojë vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme, po e them hipotetikisht, atëherë reforma zgjedhore i ka diku 5% të çështjeve të cilat nuk jemi marrë vesh, të cilat me dy mbledhje të komisionit për reformë zgjedhore dhe në bazë të vullnetit të liderëve politik mund të merremi vesh dhe projektligji do të jetë i gatshëm”.

“Mund ta fusim në procedurë dhe jemi të gatshëm për zgjedhje”.

“Ndërkohë që na është thënë shprehimisht që nuk bënë të futemi në zgjedhje të jashtëzakonshme sepse dëmtohet imazhi”.

“Është krijuar perceptimi sikur reforma është shumë e rëndësishme, reforma nuk është esenciale për mendimin tim personal”, ka thënë Selimi për lajmi.net.

Selimi thotë se nëse gjithçka shkon në rregull projektligji do të përfundohet janar dhe pas procedimit në Kuvend mund të aprovohet diku kah muaj mars.

Më Shumë

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Liria në shtëpi pret Dukagjinin

Në Prizren, Liria tashmë e dorëzuar e pret Dukagjinin e Klinës që synon fitore pas barazimit në xhiron e kaluar me Llapin. Vendasit nuk e...

Lajmet e Fundit