15.1 C
Prizren
E hënë, 12 Maj, 2025

Eksperimentet rrënuan drejtësinë, forcuan oligarkinë

Drejtësisë në Kosovë që nga paslufta, por edhe tani në vazhdimësi, i ka munguar një qasje serioze, por edhe interesimi që ajo të forcohet e të bëhet sa më efikase dhe e mirëfilltë. Veç kësaj, analistët e kësaj fushe, deputetët e Kuvendit të Kosovës, por edhe opozita kanë thënë se me sistemin e drejtësisë janë bërë pandalshëm eksperimente që nga koha e UNMIKU-u dhe më pas edhe nga EULEX-i, por edhe nga njerëzit e mafio-politikës vendore, duke e shkatërruar kësisoj dhe lënë sistemin e drejtësisë në këtë gjendje dhe shumë të dobët.

Analisti Shefqet Dibrani, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se në sistemin e drejtësisë ka pasur eksperimente të shumta dhe të nduarduarta, dhe ato, sipas tij, kanë ndodhur jo vetëm aty, por gjithkund, gjë që ky kaos është reflektuar drejtpërdrejt në jetën qytetare, në administratën shtetërore dhe kudo.

“Pasi këto gjëra janë bërë edhe në drejtësi, dështimi është reflektim i kësaj ndërhyrjeje, duke i ngadalësuar kësisoj proceset e shumta, që janë grumbulluar në kohën e sistemit komunist dhe atë të tranzicionit fillestar, duke bërë që në Kosovë të jenë të paprekshëm bashkëpunëtorët e UDB-së dhe të KOS-it, madje bashkë me bijtë e tyre të shpërndarë nëpër OJQ dhe si këshilltarë të oligarkëve politikë. Rrjedhimisht, ky kaos me ligje e norma, të cilat jo rrallë kanë qenë të pazbatueshme, ka qenë një livadh për të kullotur pa pengesa oligarkët dhe mafio-politika e Kosovës”, thotë ai.

Mafia e shfrytëzoi kaosin ligjor Tutje, në këtë drejtim Dibrani ka thënë se jemi dëshmitarë të asaj se jo pak ligje dhe norma juridike kanë rënë në kundërshtim të njëra-tjetrës, derisa, siç tha, shumë ligje nuk kanë mundur të adaptohen as nga EULEXi, që ishte pasardhës i UNMIK-ut, e lëre më nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.

“Me sa duket, këtë konflikt dhe këtë gjendje kaotike e ka shfrytëzuar me perfiditet mafia e politikës në Kosovë, e cila ka instaluar pa asnjë pengesë sistemin e haraçit, përmes së cilit ka lulëzuar krimi ekonomik dhe ai politik, që e ka prekur gjithë sistemin administrativ në Kosovë, duke filluar nga ai qendror e deri në nivelin lokal”, u shpreh ai.

Veç kësaj, Dibrani shton se edhe vetë fakti se struktura e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga sistemi komunist i kohës së Serbisë, është lejuar që të vazhdojë punën me struktura të paprekshme, sipas tij, kjo nënkupton se një pjesë e tyre duke u përpjekur që t’i mbulojnë veprimet e atij sistemi, kanë bërë gabime të reja, gjë që efikasiteti i drejtësisë nuk ka mundur të preket e përjetohet nga qytetarët e Kosovës.
“Andaj, si duket oligarkët e politikës së Kosovës me mjeshtri i kanë përdorur hipotekat e së kaluarës së tyre duke i shndërruar prokurorë dhe gjyqtarë në levë jo të pushtetit, por të interesave të grupeve të caktuara”, tha ai.

Hipotekat e së kaluarës Sipas Dibranit, njerëzit e sistemit të kaluar, qofshin edhe eprorë të njohur, që kanë punuar në UDB dhe KOS, kanë vazhduar paprekur veprimtarin e tyre në dëm të Kosovës, dhe ata nuk e kanë harruar zanatin e hershëm për t’u shërbyer interesave të Serbisë, në dëm të interesit kombëtar dhe nacional.

“Natyrisht disa i kanë pasur hipotekat nga sistemi paraprak, ku një pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të jenë korruptuar, të tjerë janë shantazhuar, e shumë e shumë të tjerëve u ka pamundësuar veprimi i mirë, që do të thotë se pa spastrimin e listave nëpër partitë politike, dhe pa ua ndaluar me ligj të tillëve, që të jenë përfaqësues të popullit edhe në pushtetin legjislativ, vështirë se do të bëhen hapa konkretë në sistemin e drejtësisë. Por, si duket vetë kupola e krimit lidhet drejtpërdrejt, ose në mënyrë indirekte, me kupolën e politikës, të cilët si duket janë edhe kupola e krimit ekonomik dhe politik në Kosovë”, është shprehur Dibrani.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet nga LDK-ja, Adem Salihaj, tha se Kosova paimagjinueshëm është larg vendosjes së një sundimi të ligjit.

“Në anën tjetër, një shtet ku nuk sundon ligji, por sundon mafia asnjëherë nuk do të bëhet shtet i mirëfilltë, por do të jetë një shtet ku sundojnë kriminelët e të gjitha ngjyrave, e veçanërisht krimi i organizuar dhe i lidhur me politikën”, ka theksuar deputeti Adem Salihaj për gazetën “Kosova Sot”

Duhet të iniciohet reforma Eksperti i fushës së sundimit të ligjit, Blerim Burjani, thotë se eksperimente të shumta janë bërë në këtë drejtim që prej kohës së UNMIK-u, ku ky mision, sipas tij, kishte bërë disa dështime, por edhe kishte zhvilluar një program të rikonstruimit të drejtësisë në Kosovë me kuadro të vjetra, dhe që aty kishte kuadro, të cilët kishin punuar në drejtësinë e dhunshme gjatë viteve të 90-ta, derisa më pas kishte filluar të rekrutojnë kuadër të ri. Ai tha se problemet e drejtësisë së UNMIK-ut ishin edhe në mandatet kontraktuese të dhëna, përderisa EULEX-i kishte marrë kompetenca vendore, duke respektuar ligjet aktuale, por duke vepruar njëjtë për rastet e rënda.

“Andaj, përplot eksperimente janë bërë në drejtësinë vendore, duke vendosur edhe kuadro me ndërhyrje nga bosët e politikes, të cilët i referuan ata për qëllime të caktuara, gjersa ndikimi apo ndërhyrja këtu vlerësohet se bëhet nga njerëzit e të gjitha partive. Andaj, presidenti duhet që të fillojë inicimin e reformës së bashku me KGJK-në dhe KPK-në, ngase është edhe garantues i funksionimit të institucioneve demokratike e të pavarura. Pra, në këtë aspekt, Thaçi ka problem si duket t’i kuptojë kompetencat kushtetuese ose qëllimisht u shmanget atyre kompetencave”, ka potencuar Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi, ka bërë me dije se jo vetëm se është bërë eksperiment, por edhe është lënë qëllimisht niveli i sistemit të drejtësisë i dobët, në mënyrë që, sipas tij, krimi i organizuar dhe korrupsioni të lulëzojnë dhe në të njëjtën kohë të ketë vërejtje edhe nga mekanizmat e ndryshëm vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Ne mendojmë se është dashur që të ketë shumë kujdes, sidomos në rend dhe ligj dhe në drejtësi, sepse funksionimi i shtetit varet shumë nga stabiliteti ligjor e juridik, por nuk ka ecur një projekt i tillë”, tha ai. / Kosova Sot

Më Shumë

Haxhiu për krimin në Prizren: Institucionet përgjegjëse janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë

Ministrja në dorëheqje e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për krimin që ndodhi në një familje turke që po qëndronte në Prizren tash e...

25 vjet nga vrasja e “Drinit”

8 maj 2000. Ish-komandanti i UÇK-së, Ekrem Rexha -‘Drini’, vritet para shtëpisë së tij, në Prizren. Kjo vrasje ndodhi në rrethana misterioze. Drejtësia vendore e ndërkombëtare,...

Lajmet e Fundit