Eksperti i ndërtimtarisë, Mustafa Gjurgjealo, ka thënë se ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës në Zhur të Prizrenit ishte bërë në kundërshtim me kontratën derisa mbikëqyrësi i kontratës kishte lejuar pagesën.
Një deklarim të tillë eksperti Gjurgjealo e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, në gjykimin për keqpërdorimin e detyrës zyrtare ndaj të akuzuarve Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Drenusha Behluli Mehmeti dhe Hatixhe Përzhella, raporton “Betim për Drejtësi”. “
Seanca ka filluar me marrjen në pyetje të ekspertit të ndërtimtarisë Mustafa Gjurgjealo, nga të akuzuarit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me ndërtimin e objektit të Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.
Në pyetjen e të akuzuarit Saiti, se objekti i Kulturës në fshatin Zhur, a është ndërtuar në bazë të skicës së objektit ideor, eksperti Gjurgjealo ka deklaruar se projekti i arkitekturës është dorëzuar me mangësi të projektit dhe se llogaria statike është dorëzuar komplet pasi që kryerësi i punimeve i ka kryer punimet.
Tutje, eksperti Gjurgjealo ka deklaruar se kontrata e nënshkruar të datës 22 dhjetor 2010, që e ka bërë Komuna e Prizrenit për fazën e dytë të punimeve për ndërtimin e objektit në Zhur, kap shumën prej 526.210,06 euro, si dhe për këtë është nënshkruar edhe një aneks kontratë për suvatimin e mureve të brendshme të objektit.
Lidhur me aneks kontratën, eksperti tha se vlera e caktuar kap shumën prej 51.942,40 euro, mirëpo për këtë organi mbikëqyrës kishte ndaluar pagesën, sepse realizimi i punimeve nga kryerësi i punimeve nuk është bërë sipas kontratës.
Eskperti gjithashtu thekson se i akuzuari Saiti në cilësinë e Drejtorit të Rinisë, Kulturës dhe Sportit ka bërë caktimin e organit mbikëqyrës për fazën ndërtimit, Hatixhe Përzhella dhe Ylber Gashi, gjithashtu ai ka bërë formimin e komisionit për pranim teknik, i cili ka pasur për detyrë të verifikojë realizimin e punimeve sipas kontratës përkatëse.
Më pas seanca ka vazhduar me pyetjet e të akuzuarit Muhamet Bajrami, i cili ka pyetur ekspertin Gjurgjealo lidhur me punimin e ekspertizës dhe në çfarë baze është bërë kjo.
I njejti është përgjigjur se ekspertiza është përpiluar sipas kontraktimit të punimeve dhe se ai ka konstatuar çdo ndryshim që është bërë nga punimet e realizuara.
Po ashtu, ai shtoi se për çdo fazë të punimeve ka bërë llogarinë për punimet që janë realizuar jashtë kontratës, ku për këtë ai tha se vlera kap shumën prej 12.811,08 euro.
Seancat e radhës janë caktuar të mbahen me datë 19 korrik 2022 dhe datë 20 korrik 2022.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.
Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.
Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.
Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi