11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Elvana Gjata: Dua t’i bëj njerëzit të puthen

ElvanaGjata7-03Elvana Gjata, ylli i muzikës shqiptare ka arritur vetëm brenda pak ditësh ta kthejë në fenomen këngën e saj të re “Puthe”, duke e bërë atë temë të një morie fotografish ‘selfie’ nga të gjithë fansat e saj. Në intervistën e sotme për “Bluetooth”, këngëtarja bukuroshe rrëfen detaje mbi këtë projekt dhe verën e këtij viti, që për kryefjalë do të ketë koncertet. Sa i takon talentit, bukurisë, suksesit dhe karrierës së saj, Elvana tashmë i ka kaluar limitet. Për të nuk është e nevojshme të thuhet më asgjë, pasi gjithçka dihet dhe shihet.

Elvana, a po përmbushen pritshmëritë e tua për këngën “Puthe”? Si po të duken reagimet ndaj saj?

Kënga “Puthe” i ka kaluar pritshmëritë e saj, duke u kthyer në një fenomen, pasi njerëzit çdo ditë në rrjetet sociale postojnë foto të ndryshme me pjesën më interesante të këngës: 1, 2, 3, puthe. Ky është gëzimi më i madh për mua.

Pse “Puthe”, pse ky titull?

“Puthe”, sepse ‘beat’-i i këngës është i fortë, duke iu përshtatur më së miri këtij titulli, dhe ndjesitë që ai sjell janë shumë të mira: pse jo, të puthemi (qesh)! Në vazhdim të kësaj logjike: me baladat e mia i kam bërë njerëzit të preken, me këngët ritmike i kam bërë ata të kërcejnë, këtë herë doja që t’i bëja njerëzit të putheshin. Doja që kur të dëgjonin këtë këngë, të dhuronin dashuri, të puthnin njerëzit që kishin afër, njerëzit që donin.

A e pate të vështirë realizimin e këtij produksioni? Sa zgjatën xhirimet e videoklipit?

Në fakt më është dashur të punoj shumë për të realizuar performancën e videos. Sigurisht, dua të falënderoj Klaudia Pepën dhe Albi Nakon, që më kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti muzikor. Ishte dëshira ime që të shfaqesha krejt ndryshe në këtë video të re. Ka kohë që dua të performoj dhe them që ky është vetëm fillimi. Do të ketë performanca edhe më të forta në projektet e ardhshme (buzëqesh). Xhirimet zgjatën shumë pak, rreth katër orë, sepse gjithçka ishte e qartë që përpara. Dihej se çfarë do bëhej, kështu që na shkoi shumë mirë kjo pjesë.
Pse teksti i këngës është me dialekt verior apo kosovar? Të pëlqen të këndosh në dialekt?
Në këtë këngë, në fakt më tepër është përdorur gjuha jonë sesa ajo që po e quan dialekt verior ose kosovar. Kjo nuk është diçka e re në këngët e mia. Unë e kam përdorur që në këngën time të parë dialektin verior dhe e kam zgjedhur shpesh, mjaft që ai t’i ketë qëndruar mirë melodisë.

Në rrjetet sociale, ka nga ata që akuzojnë se kënga “Puthe” është një kopje e “Dare” nga Shakira dhe imitim i videoklipit të Sia, “Chandelier”. Si u përgjigjesh?

Në fakt, në rrjetet sociale po flitet çdo ditë e më shumë për këtë projekt dhe mua më vjen shumë mirë për këtë, sepse kjo i shërben këngës. Kjo puna e kopjes është një temë shumë e gjerë, nuk është hera e parë që bëhet një video në një dhomë, apo në një ambient të mbyllur dhe të kërcehet. Mund të numëroj me dhjetëra artistë që kanë koncepte të ngjashme. Sot asgjë nuk është lënë pa u bërë, gjithçka është provuar. Është mirë që të sjellësh një ide të realizuar bukur. Edhe pse unë mendoj dhe e kam shprehur disa herë që Sia është një super artiste dhe frymëzohem kryesisht nga muzika dhe nga zëri i saj brilant, por kjo nuk duhet të asociohet absolutisht me konceptin ‘kopje’.

Dimë që ke kënduar në Tiranë këtë të enjte; si të pritën?

Për koncertin e Tiranës të enjten, mund të them me krenari që ka qenë një super mbrëmje dhe me gojën plot mund të pohoj që vendosëm një standard të ri koncertesh, që për ne është një gjë shumë e rëndësishme. Elementi show, është shumë i rëndësishëm në performancën e një artisti dhe mund ta quaj veten me fat që ajo mbrëmje shkoi aq mirë. Bashkë me bandën e Ermal Pepës, që e bënë edhe më të zjarrtë atë mbrëmje, edhe me Andy Gramm, sigurisht!

Kishte më shumë djem apo vajza? Ti në fakt, ke më shumë fansa meshkuj apo femra?

Besoj se kanë qenë të barabartë, edhe pse në karrierën time mbizotërojnë fanset femra dhe kjo është një gjë që më jep një gëzim shumë të madh, sepse është shumë bukur që të jesh model për një femër tjetër.

A janë njësoj të zjarrtë të rinjtë e Tiranës krahasuar me ata të qyteteve të tjera, Kosovës apo diasporës?
Publiku i Tiranës, duke qenë se është kryeqytet, gjithmonë e në zhvillim, është disi më selektiv, por nëse të pranon, të përqafon fort dhe të jep një mbështetje shumë të madhe, të cilën unë gjithmonë e kam ndjerë. Edhe pse më duhet të pranoj që, sa herë që këndoj në Tiranë kam një emocion shumë të fortë. Është një emocion i mirë, një emocion që të jep përgjegjësi, por edhe ndjesi shumë e bukur, sepse është vendi ku unë kam lindur dhe jam rritur, ndaj koncertet e Tiranës mezi i pres.
A është pëlqyer pamja jote e re me gërsheta?
Është mirë kur një artist bën ndryshime, gjithmonë brenda kornizave të figurës së tij. Unë tek gërshetat e kam gjetur shumë veten dhe më bëhet qejfi që është pritur mirë ky ndryshim, edhe pse sigurisht, për një kohë shumë të shkurtër. Gërshetat i kam pëlqyer që e vogël dhe m’i bënte mami shumë shpesh; së fundmi gjeta mundësinë për t’i bërë në një formë më profesionale jashtë Shqipërie dhe, pse jo, i provova!
Je në formë të shkëlqyer fizike. Si ia del? Bën sport, palestër, mban dietë?
Dietë jo, por mbaj një regjim, kujdesem për ushqimin, sepse jam me parimin që, shtëpia jonë e vërtetë është trupi. Merrem dhe me palestër. I kushtoj rëndësi kësaj pjese. Cila është axhenda e Elvanës, ku do të këndosh këtë verë? Edhe këtë verë kam një axhendë shumë të ngjeshur me koncerte dhe mezi pres të bëj turin tim nëpër të gjitha trevat shqipfolëse me këngën e re “Puthe”.
Pushime, do të bësh sivjet? Ku dhe me kë do i kalosh?
Vera është stina kur unë mendoj më pak se kurrë për pushime, sepse është stina kur unë bëj turin më të gjatë të koncerteve gjatë vitit dhe për këtë shkak është edhe periudha që dua më shumë, sepse unë jetoj për muzikën dhe e adhuroj ballafaqimin me fansat në koncerte… Këto janë pushimet më të bukura për mua.
Ndërkohë, sa e largët është dita e këngës tënde të radhës?
Dita e hitit të radhës, e afërt.
Po dita jote e martesës?
Po më presin hitet, a të iki unë? (qesh)

Më Shumë

Vdes në QKUK personi që u aksidentua javën e kaluar në Prizren

Ka vdekur në QKUK personi i cili u aksidentua gjashtë ditë më herët në Prizren. Policia ka bërë të ditur se viktima ishte duke u...

Malishevë: Arrestohet një person për sulm seksual

Një person është arrestuar nga policia në Malishevë. Ai dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një femër. Rasti është raportuar të mërkuren, më 17 prill rreth...

Lajmet e Fundit