15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ermonela Jaho: Të gjitha gratë shqiptare janë Madame Butterfly

ermonela-Jaho-300x199I mungonte skenës së Teatrit të Operas dhe Baletit prej 7 vitesh, por nga pas e ndjek një publik i tërë që e adhuron ermonela Jahodhe e duartroket edhe pse për së largu. Publiku shqiptar ka përshëndetur sukseset e saj në skenat më prestigjioze të botës, është mburrur me emrin e saj dhe te marten ne mbrëmje e tregoi këtë me praninë e tij në sallën e Teatrit të Operas dhe Baletit. Ermonela Jaho mbushi jo vetëm sallën plot, por dhe shkallët e ftohta të Teatrit të Operas. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që një opera të mblidhte kaq shumë njerëz në sallë. Në fakt ishte vetë sopranoja Ermonela Jaho që hapi dyert e Teatrit të Operas për publikun kryeqytetas në provën gjenerale të operas “Madame Butterfly”, sikur ta dinte etjen e publikut për ta dëgjuar live e për ta duartrokitur ashtu siç vetëm ai di.

Nën regjinë e Nikolin Gurakuqit dhe dirigjim të Bujar Llapajt, premiera e operas “Madame Butterfly” jepet më 3 dhe 5 prill, në orën 19:00, ku do të performojë sopranoja Ermonela Jaho, ndërsa në datat 7 dhe 9 prill, Madame Butterfly do të interpretohet nga sopranoja e skenës së TKOB, Marjana Leka. Biletat për shfaqjen e datave 3-5 prill ku interpreton Jaho janë shitur në kohë rekord, por sopranoja premton se tani vizitat e saj në Shqipëri do të jenë më të shpeshta. Madame Butterfly është vetëm një copë e mozaikut të projekteve që Jaho ka me Teatrin e Operas dhe Baletit. Optimiste për projektet e ardhshme, Jaho shfaqet edhe në konferencën e parë për shtyp me gazetarët. E veshur me të kuqe dhe me modestinë e një njeriu që suksesin e ka arritur falë pasionit për profesionin, punës dhe përkushtimit, sopranoja na zbulon shumë më tepër sesa projektet e saj në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit.

Një Madame Butterfly që mbushi plot sallën e TKOB. Ç’vështirësi patët me këtë interpretim në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit?

Unë kam realizuar 8 produksione deri më sot të “Madame Butterfly”. Hera e parë ka qenë 5 apo 6 vjet më parë. E kam shtyrë këtë rol paksa në axhendën time, sepse në fakt dëshiroja ta interpretoja shumë më herët. “Madame Butterfly” ishte një opera që doja t’ua dhuroja prindërve të mi. Nuk qe e mundur atëherë për shkak të vështirësive të mëdha. Madame Butterfly është një rol tepër impenjativ, qoftë nga ana vokale, ashtu dhe nga ana dramatike, por për mua këndimi është një ushqim shpirtëror, një lloj katarsisi ku unë gjej paqe, është mënyra e vetme ku unë shpreh shpirtin tim. Por nga të gjitha Madame Butterfly-t që kam interpretuar deri më sot, ajo para publikut tim në provat gjenerale ishte më emocionuesja, gjë që nuk e kam provuar as kur kam debutuar me këtë rol, pasi kemi folur të gjithë artistët në skenë me të njëjtën gjuhë; atë shpirtërore. Kjo opera u realizua në bashkëpunim me të gjithë artistët, regjisorin, dirigjentin etj. etj. Dua t’i falenderoj të gjithë.

Ishte zgjedhja juaj që të riktheheshit pas kaq vitesh me “Madame Butterfly”, apo e drejtuesve të Teatrit të Operas?

Ftesën ma ka bërë drejtori i TKOB, Ilir Kerni. Mund të kisha ardhur dhe më herët, por problemi ka qenë se unë nuk kam mundur për arsye të axhendës sime artistike. Vendosëm në bashkëpunim për “Madame Butterfly” dhe për mua qe një dëshirë që m’u realizua nga stafi i TKOB. Sepse siç ju thashë, është një rol shumë dramatik, shumë emocional dhe mendoj se ne shqiptarët jemi kaq dramatikë dhe kaq emocionalë. Përzgjedhja e kësaj pjese ishte si një homazh i virtyteve të shpirtit të femrës shqiptare. Madame Butterfly është një rezonim që unë e kam parë, e kam asimiluar ndjeshmërinë e kësaj femre te nënat dhe vajzat shqiptare dhe në njëfarë mënyre jam ndjerë sikur jam unë, sepse dhe unë jam grua shqiptare. Sakrificat që bëjnë çdo ditë gratë shqiptare, janë simbolika e kësaj opere.

Për herë të fundit jeni ngjitur në skenën shqiptare para 7 vitesh dhe i keni munguar kësaj skene për kaq kohë. Në këtë rikthim shfaqeni optimiste për të ardhmen? Çfarë ka ndryshuar në Teatrin e Operas dhe Baletit?

Ana njerëzore. Shoh disiplinë, korrektesë dhe respekt reciprok. Kemi folur dhe bashkëpunuar si artisti me artistin, dhe jo si artisti me biznesmenin apo politikanin. Disiplina dhe korrektësia mendoj se janë parimi kryesor i respektit reciprok. Mbi këto parime kemi komunikuar dhe kemi shkëmbyer mendime dhe jo unë jam më i madh, ti më e vogël, ato që di unë, ti s’i di, etj. etj. Kemi qenë të hapur të dyja palët për bashkëpunim. Për mua që vij nga larg, kjo mendoj se ka ndryshuar dhe nuk është pak. Është një hap përpara për ta kthyer TKOB në atë shtëpinë me krahë gjigantë që mbështjell gjithë artistët kudo që janë. Kjo është shumë pozitive për mua dhe mendoj se është rruga që duhet ndjekur për të ngritur nivelin artistik të këtij teatri.

Me sa kuptoj, dëshira nuk ju ka munguar në këto 7 vjet, por keni patur pengesa të tjera…?

Jo, dëshira nuk më ka munguar. Kemi bërë dhe më përpara hapa për të bashkëpunuar, por fatkeqësisht ka munguar korrektesa dhe në fund asgjë nuk ka funksionuar. Në momentin që nuk respektojmë gjërat minimale midis njëri-tjetrit, atëherë…

Dhe cilat janë projektet që keni me Teatrin e Operas në të ardhmen?

Opera “Madame Butterfly” është një copë e vogël e mozaikut që do të plotësohet më vonë me copëza të tjera. Kemi shumë projekte, të cilat do t’i konkretizojmë në të ardhmen. Ky është hapi i parë ku unë ndjeva dashurinë e madhe dhe pranimin, ndaj do ta vizitoj Shqipërinë shumë shpesh.

Më Shumë

Muhamed Thaçi: Besoj se Ylli fiton në fund, e mposht në finale Trepçën

Trepça dhe Golden Eagle Ylli janë me një këmbë në finalen e basketbollit kosovar pasi kanë krijuar avantazh prej 2-0 në ndeshjet gjysmëfinale ndaj...

S’ka fitues në klasiken evropiane, gjithçka vendoset në ‘Santiago Bernabeu’

Ka mbaruar pa fitues derbi i gjysmëfinales të Ligës së Kampionëve mes Bayern Munichut dhe Real Madridit. Përballja ishte e zjarrtë nga minuta e parë,...

Lajmet e Fundit