2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

A është shuar vërtetë MUP-i serb në veri?

Mitrovice-VeriuPolicia e Kosovës ka njoftuar se Serbia i ka mbyllur te gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës.
Megjithatë partitë politike dhe ekspertë të sigurisë, shuarjen e këtyre zyrave e shohin me një skepticizëm të madh. Sipas tyre, këto struktura do të vazhdojnë të funksionojnë në Kosovë, por pak më ndryshe, shkruan “Express”.

Erzen Vraniqi, zëdhënës i lëvizjes Vetëvendosje, thotë se ata nuk kanë mundur ta verifikojnë këtë njoftim nga burime të pavarura, prandaj edhe nuk mund të thonë nëse njoftimi i policisë për mbylljen e atyre zyrave është i vërtetë.

“Pavarësisht kësaj, marrëveshja e dëmshme me Serbinë parasheh integrimin formal të strukturave paralele serbe në struktura të Kosovës, prandaj ato do të vazhdojnë të funksionojnë dhe ti japin llogari Serbisë, por tani nën petkun e ri, atë të Kosovës”, thotë Vraniqi për “Express”.

Derisa për ekspertin e sigurisë Arben Qirezi, mbyllja e zyrave paraqet vetëm njërin aspekt të pushimit të funksionimit të institucioneve paralele. Problemi më i madh për të tash mbetet integrimi i atyre njerëzve që kanë punuar në këto institucione paralele, që sipas policisë, kanë pushuar së ekzistuari.

“Në këtë kontekst hyn edhe personeli qoftë ai i uniformuar apo edhe ai civil i MUP-it serb i cili ka funksionuar apo funksionon ende sikurse në veri ashtu edhe në pjesët e tjera të Kosovës. Pasi ky është aspekti tjetër i marrëveshjes së arritur në Bruksel”, thotë Qirezi për “Express”.

Megjithëse, sipas tij, mbyllja e këtyre zyrave nuk do të ndikojë edhe aq shumë në stabilizimin e sigurisë në veri. Sipas Qirezit, nuk janë zyrat e Serbisë ato të cilat mënyrë të drejtpërdrejtë e kanë cenuar më së shumti sigurinë në veri.

Sigurinë atje, Qirezi thotë se e kanë cenuar më shumë strukturat e rrugëve të cilat kanë qenë në njëfarë koordinimi të organeve zyrtare të Serbisë.

“Tash varet nga vullneti politik i Serbisë që të heq dorë nga politika e destabilizimit të Kosovës”, thotë Qirezi, sipas të cilit Serbia tash duhet të jetë e gatshme që jo përmes mbylljes fizike të zyrave të kontribuojë në qetësimin e situatës në veri.

“Serbia tash duhet që t’i shpërbërje plotësisht strukturat e veta paralele dhe ta ndërpresë ndërprerjen e njerëzve të cilët nuk pajtohen në krijimin e një qetësie në veri në mënyrë që organet kompetente të Kosovës, të mund të ndërmarrin veprime ligjore që i takojnë”, pohon ai.

Mbyllen të gjitha zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në veri të Kosovës. Kështu të paktën bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë. Zëdhënësi Baki Kelani ka deklaruar se zyrat e MUP-it serb janë mbyllur nga vet ata të cilët i kanë hapur, që do të thotë nga zyrtarët e MPB së Serbisë. Ky proces është monitoruar nga EULEX-i, në një rast edhe nga Policia e Kosovës.

“Mbylljet e para kanë qenë në Leposaviq dhe më pas kanë vijuar me Zveçanin, Zubin Potokun dhe javën e kaluar me Mitrovicën”, ka thënë Kelani.

Një pjesë e zyrtarëve të këtyre strukturave pritet të punësohen në Drejtorinë Rajonale të PK-së në veri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, bazuar në marrëveshjen politike kohë më parë emëroi serbin Nenad Djuric ushtrues detyre të komandantit të policisë për rajonin e veriut. Policia e Kosovës konfirmon se Djuric ka nisur punën si drejtor policor, por shprehet e rezervuar për sa i përket strukturës organizative që do të ketë drejtoria policore në veri.

“Policia e Kosovës ka pasur zyrtarët e vetë që kanë operuar, ndërsa ushtrimi i detyrës së komandantit për veriun do të jetë për stacionin policor që ka ekzistuar atje”, ka sqaruar Kelani.

Mbyllja e zyrave të MUP-it serb bëhet në kohën që Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për amnisti, i cili është garant për të gjithë serbët se nuk do të ndiqen penalisht për vepra penale që ndërlidhen me thirrje për rezistencë ose cenim të rendit kushtetues, me përjashtim të vrasjes.

Më Shumë

Komuna e Dragashit dhe “Advancing Together” bashkëfinancojnë katër projekte

Në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit të nënshkruar ndërmjet Komunës së Dragashit dhe OJQ "Advancing Together", sot u nënshkrua Marrëveshja për Bashkëfinancim të katër...

Mësuesja nga Hasi që ‘jeton’ me 1000 pula: Dashurinë për kafshët ma mësoi njerka

Flora Mulaj, një mësuese e përkushtuar nga Hasi, ka kaluar 37 vite duke edukuar fëmijët e ciklit të ulët në një fshat të zonës. Me...

Lajmet e Fundit