9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

EULEX-i: Institucionet ta sjellin “Grupin e Drenicës” në Mitrovicë

EULEX-kosoveMisioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) të enjten do të sfidojë fuqinë e institucioneve të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Policia e Kosovës do të jenë përgjegjës që tre anëtarët e “Grupit të Drenicës”, Sami Lushtaku, Ismet Haxha dhe Sahit Jashari, të paraqiten ditën e enjte, në orën 9:30, në seancën e parë dëgjimore në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë.

EULEX-i gjatë ditës se mërkurë ka thënë se pret që këta tre persona të paraqiten në gjykatë.

Familjarët kanë mohuar një mundësi të tillë, ndërsa Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate për media ka thënë se Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka marrë vendim për transferim, për shkak se nuk ka marrë garanci nga organet kompetente të EULEX-it.

Por EULEX-i deri në orët e vona të mbrëmjes ka thënë se nuk ka ndryshuar urdhri i gjykatësit lidhur me transferimin e të gjithë të të pandehurve në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, përgjatë periudhës kur do të mbahen seancat gjyqësore.

“Ne jemi të bindur se ashtu siç është planifikuar, seanca e parë dëgjimore e shqyrtimit kryesor do të mbahet nesër në orën 09:30 në Gjykatën Themelore të Mitrovicës. Qëllimi i misionit është të mos lejojë përshkallëzimin e situatës. EULEX-i do të ndihmojë autoritetet e Shërbimit Korrektues të Kosovës me vëzhgues policorë shtesë në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicë, gjatë kohës sa të pandehurit janë atje”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.

Ky mision ka hedhur poshtë deklaratat e familjarëve dhe të ekipeve mbrojtëse të “Grupit të Drenicës”, se dy ditë rresht kanë negociuar me gjykatësit e EULEX-it që të ky grup të mos transferohet në veri.

“Misioni thekson edhe njëherë se sundimi i ligjit nuk është i negociueshëm”, ka thënë EULEX-i.

Por familjarët gjatë tërë kohës kanë këmbëngulur që janë duke negociuar me EULEX-in.

Në orët e mëngjesit, djali i Sami Lushtakut, Mergimi, ka thënë se shumë shpejt ky mision do të ndryshojë vendimin për transferim.

Ai është treguar optimist pasi që sipas tij nga bisedat që i kishin zhvilluar me zyrtarët e këtij misioni kishte pasur sinjale se EULEX-i do të tërhiqej nga vendimi për transferim, të cilin e kishte marrë dy ditë me parë.

Por orët e mbrëmjes e kanë zhgënjyer turmën e mbledhur në oborrin e QKUK-së. Mërgim Lushtakun e ka acaruar vendimi i këtij misioni që të mos ndryshojë qëndrimin.

“Pritëm që po kryhet sot. Por nuk ndryshuan qëndrimin”, ka thënë Lushtaku.

Zëdhënësi i këtij misioni, Blerim Krasniqi, gjatë ditës se mërkurë ka deklaruar për media se EULEX-i ka kërkuar nga Policia e Kosovës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës që t’i sjellin të pandehurit të enjten në gjykatë. Sipas Krasniqit, këto dy institucione janë të obliguara për gjetjen dhe sjelljen në gjykatë të arratisurve.

Por Ministria e Drejtësisë ka thënë se transferimi dhe çështjet e tjera rreth “Grupit të Drenicës” janë kompetencë e EULEX-it.

“Në rastin konkret duke pasur parasysh natyrën e rastit, EULEX-i në bazë të kompetencave ekskluzive për rastet e supozuara të krimeve të luftës që e ka sipas ligjeve në fuqi në Kosovë, ka pasur kompetenca edhe në rastin konkret të njohur si ‘Grupi i Drenicës’”, ka deklaruar kjo ministri.

Përkundër se kjo ministri ka nën mbikëqyrje Shërbimin Korrektues të Kosovës, ky institucion as gjatë ditës se mërkurë nuk ka qenë në gjendje që të deklarojë se ku gjenden këta tre të burgosur. Kanë thënë se janë informuar përmes medieve dhe se nuk dëshirojnë të ndërhyjnë në punën e Prokurorisë dhe gjyqësorit.

“Misteri” i vendndodhjes së Sami Lushtakut, Ismet Haxhës dhe Sahit Jasharit

As Policia e Kosovës nuk ka sqaruar për opinionin se ku gjenden Sami Lushtaku, Ismet Haxha si dhe Sahit Jashari.

I vetmi institucion i cili është deklaruar për media në lidhje me këta tre persona është drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Shemsi Hajrizi.

Ai në orët e vona për “Kohën Ditore” ka thënë se nga të gjitha informatat zyrtare që u kanë ardhur, askush zyrtarisht nuk iu ka thënë që këta persona gjenden në QKUK.

“Nuk e di se çfarë thotë familja. Ne nuk kemi informata zyrtare që ai gjendet në QKUK”, ka thënë Hajrizi.

Por, Hysni Ngucati nga Organizata e Veteranëve të Luftës ka këmbëngulur që Lushtaku dhe dy të tjerët gjenden në QKUK.

“Ju mund t’i pyesni gardianet. Ata janë non stop në kontakt me të burgosurit”, ka thënë Ngucati.

Një gjë të tillë e ka mohuar Hajrizi. “Asnjëri nga gardianët qe dy ditë nuk ka raportuar se i ka parë asnjërin nga këta tre persona”, ka thënë Hajrizi.

Por nga OVL-ja, Ngucati ka këmbëngulur se askush nuk është arratisur nga QKUK-ja. Sipas tij, Lushtaku është duke u mjekuar brenda në QKUK. Por pak minuta pas kësaj deklarate këtë gjë e ka demantuar për “Kohën Ditore”, drejtori i Klinikës se Kardiologjisë, Bedri Zaiti.

Ai ka thënë se nuk e di se a ndodhen ose jo këta persona në QKUK. Gjëja e vetme që sipas tij mund ta sigurojë gazetën është se qe tri ditë askush nga mjekët e kësaj klinike nuk e ka kontrolluar asnjërin nga këta persona.

“Sot është mbajtur mbledhja e Kolegjiumit të QKUK-së, dhe është thënë që askush këto ditë nuk i ka parë e as nuk i ka kontrolluar asnjërin nga këta persona”, ka deklaruar Zaiti. Ndërsa ka thënë se mjekët nuk kanë hyrë në këtë dhomë pasi që për momentin nuk kanë qasje.

Vazhdojnë tensionet në QKUK

Përderisa askush nuk e di saktë se a ndodhen ose jo këta persona në QKUK, në oborrin e këtij institucioni gjendja vazhdon të jetë e tensionuar. Dhjetëra familjarë dhe simpatizantë të këtij grupi po qëndrojnë në “gjendje gatishmërie” për të ndërhyrë.

Një numër i madh i tyre kanë vendosur që ta kalojnë natën në një tendë të cilën e kanë ngritur në orët e pasdites në hapësirat e QKUK-së. Ata kanë thënë se nuk do të tërhiqen nga realizimi i kërkesave të tyre.

Gjatë ditës se mërkurë ka pasur më pak lëvizje. Megjithatë, të pranishmit gjatë tërë kohës kanë qëndruar në dispozicion që të ndërhyjnë.

Hyrja e Klinikës se Nefrologjisë nga e cila klinikë mund të kalosh tek dhoma në të cilën pretendohet se ka qenë Lushtaku, edhe gjatë se mërkurës ka qenë gjatë tërë ditës e kontrolluar nga familjarë dhe përkrahës të këtij grupi.

Askush përpos tyre “nuk ka guxuar” të kalojë nga kjo hyrje. Një djalë i gjatë rreth të tridhjetave ka qëndruar gjatë tërë ditës si rojë. Ai i ka koordinuar lëvizjet e krejt grupit.

Rreth orës 16:30 ai ka ftuar mbi 30 meshkuj të pranishëm që të hyjnë urgjent në QKUK. Posa u ka bërë me shenjë të gjithë kanë vrapuar për të hyrë në objekt brenda. Përjashtim bënin vetëm femrat.

Por atyre ua kanë caktuar një “mision” tjetër. Ato do të bllokonin hyrjen për gazetarë.

“Asnjë gazetar nuk guxon me u fut brenda”, ka thënë vajza e Sahit Jasharit. Ajo ka thënë se kush “nuk i bindet urdhrit të saj” mund ta pësojë keq.

“Mos u keshni se nuk guxoni me hi. Hajt provoni nëse guxoni”, ka thënë ajo, e cila është mbështetur edhe nga vajzat e tjera të pranishme. Kjo turmë i ka ofenduar gjatë tërë kohës gazetarët e mediumeve të ndryshme.

“Hupni, mos t’jau shohim sytë. Çka keni ardhë”, u janë drejtuar disa herë gazetarëve. Ndërsa kanë kërkuar që “gazetarët mos t’i kqyrin”.

“Largomi sytë mos me kqyr, oj budallicë”, ka thënë njëra nga të pranishmet. Gjatë këtyre ditëve gazetarët janë përballur vazhdimisht me probleme, të cilat u kanë shkaktuar turma e mbledhur.

“Heke atë kamerë. Mos incizo se ta thej kamerën”, i është drejtuar njëri nga të pranishmit një kameramani. Turmën e kanë penguar edhe realizimi i fotografive.

“As mos fotografo e as mos incizo sen. Falenderoju Allahut se je femër se ndryshe ishim marrë vesh”, i është drejtuar njëri nga pjesëmarrësit e turmës ekipit të “Kohës Ditore”. Por shpejt ka ndërhyrë i afërmi i Samiut, Basri Lushtaku.

“Mos u merr as ti e askush me gazetarë. Këta po e bajnë vetëm punën e tyre”, ua ka tërhequr vërejtën ai disa të pranishmëve.

Por sulmet verbale ndaj gazetarëve nuk janë ndalur.

“Koket qu në taksirat me qeta aparata. Shpejt po shihet që ka me ju nxan taksirati”, ka thënë një tjetër i pranishëm.

Gjendjen janë munduar ta qetësojnë ekipi mbrojtës i Lushtakut, të cilët kanë thënë se kanë biseduar me gazetarë dhe që me nuk do të sulmohet, ofendohet e as të pengohet asnjëri nga përfaqësuesit e medieve.

Pretendojnë se me forcë nuk po e lejojnë EULEX-in t’i transferojë të dyshuarit

QKUK-ja ka vazhduar të mbetet e “uzurpuar” nga përkrahësit e “Grupit të Drenicës”. Por sipas Organizatës se Veteranëve të Luftës (OVL) nga dita e enjte turma do të rritet, ndërsa QKUK-ja do të bllokohet komplet.

Husni Ngucati nga kjo organizatë ka thënë se të enjten që nga ora 7 e mëngjesit kjo organizatë do ta bllokojë QKUK-në.

“Nesër do të bllokohet QKUK-ja. Ne kurrë nuk do t’i lejojmë EULEX-in që t’i transferojnë gjeneralët në një burg me udhëheqës serbë”, ka thënë ai.

Ngucati ka thënë se kjo gjendje do të zgjasë derisa të plotësohen kërkesat e tyre, ndërsa ka deklaruar se po i vendosin tendat për shkak që mund të jenë të obliguar të qëndrojnë me gjatë në këtë qendër.

Por përkundër se OVL-ja ka paralajmëruar që do ta bllokojë QKUK-në ditën e enjte, një gjë të tillë e kanë bërë edhe ditën e martë dhe të mërkurë.

Turma ka kontrolluar hyrjen, ndërsa asnjë gazetar nuk ka mundur as t’i ofrohet hyrjes e cila të lidhë direkt me dhomën në të cilën familja pretendon që është Sami Lushtaku. Personi i cili ka qëndruar tek porta 2-3 herë ka thirrur tumën me “urgjencë” që të futen brenda për të intervenuar.

“Hajdeni krejt. Ngani shpejt”, ka thirrur ai. Pas çdo ftese turma ka vrapuar, në oborr kanë mbetur vetëm gazetarët. Megjithëse ata këmbëngulnin se sa herë që po futeshin në QKUK me “urgjencë” po e ndalonin EULEX-in që të futej në dhomën e Sami Lushtakut, këtë gjë nuk e kanë pranuar zyrtarët e EULEX-it.

Rreth orës 17:00, në QKUK kanë arritur tre zyrtarë të EULEX-it, të cilët kanë hyrë nga hyrja kryesore, ndërsa turma ka hyrë nga një hyrje tjetër anësore duke vrapuar. Pjesëmarrësit kanë deklaruar se po shkonin që t’i largonin EULEX-in me forcë nga klinika.

Megjithatë “Koha Ditore” ka arritur të futet tek dera kryesore nga e cila janë larguar edhe EULEX-i, por edhe pjesëmarrësit të gjithë në mënyrë të qetë.

Për punëtorët e kësaj klinike hyrja me forcë “është vetëm lojë e familjarëve”. Një infermiere i ka thënë gazetës se turma vrapon vetëm shkallëve për të tërhequr vëmendjen e medieve, ndërsa brenda në klinikë nuk bëjnë asgjë me forcë.

“Në klinikë po sillen shumë qetë. Nuk kanë provuar asnjëherë të ndalojnë EULEX-in pasi që Sami Lushtaku nuk gjendet në atë dhomë”, e ka siguruar një punëtor i klinikës gazetën. Ndërsa EULEX-it i është dukur qesharake pyetja se a i ka larguar tre zyrtarët e këtij misioni me forcë kjo turmë nga QKUK-ja.

Ndryshe, të tre të dyshuarit janë pjesë e lëndës së njohur si “Grupi i Drenicës”, në përbërje të të cilit janë pesëmbëdhjetë persona.

Ndaj tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur më 8 nëntor të vitit të kaluar aktakuzë në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, nën dyshimet se kanë “kryer krime lufte kundër popullatës civile, përfshirë tortura, keqtrajtim të të burgosurve, dhe vrasje”, të cilat supozohen të jenë kryer në një qendër paraburgimi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likoc të Komunës së Skënderajt, në vitin 1998.

Më Shumë

Prizren, deklarohen rreth fajësisë dy të akuzuarit për rastin e aksidentit fatal nga gara në autostradë

Gjykata e Prizrenit ia ka ndëprerë paraburgimin Arlind Sylës, njërit prej të akuzuarëve për aksidentin tragjik në një garë automobilistike që ndodhi më 2023...

25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më...

Lajmet e Fundit