Pronarja e Kooperativës “Krusha”, Fahrije Hoti, është fituesja e sivjetme e çmimit “Evropiania e Vitit”.
Fituesja është shpallur mbrëmë nga ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, gjatë pritjes së organizuar për Ditën e Evropës në Prishtinë.
“Jam i nderuar që po i jap çmimin ‘Evropiania e Vitit 2022’ Fahrije Hotit dhe dua të falënderoj Behare Bajraktarin, Jovana Radosavljeviqin, Samir Karahodën dhe Sebahate Hajdinin për kontributin e tyre të përditshëm në përmirësimin e shoqërisë kosovare”.
“Duke u kujdesur për shoqërinë e tyre dhe duke bërë atë që është e rëndësishme për pjesëtarët e saj, ata po e mbështesin drejtpërdrejt Kosovën në rrugën e saj evropiane dhe si të tillë ata janë të gjithë modele që duhen ndjekur. Uroj që më shumë njerëz në Kosovë të ndjekin gjurmët e fituesve dhe të nominuarve tanë aktualë dhe të mëparshëm të çmimit “Evropiani i Vitit” dhe shpresoj që çmimi për Fahrije Hotin do të ndihmojë në këtë drejtim”, u shpreh ambasadori Szunyog.
Ky është viti i shtatë me radhë që BE-ja i ndan këtë çmim në Kosovë një personi që gjatë dymbëdhjetë muajve të fundit ka kontribuar më së shumti në promovimin e vlerave evropiane.
Të nominuarit për këtë çmim në vitin 2022 ishin:
- Behare Bajraktari, themeluese e “BB Green Kosova”,
- Fahrije Hoti, themeluese e “Kooperativa Bujqësore Krusha”,
- Jovana Radosavljevi?, themeluese e “Neë Social Initiative”,
- Samir Karahoda, prodhues filmash dhe programues i filmave të shkurtër në “DokuFest”, dhe
- Sebahate Hajdini, drejtoreshë ekzekutive e “Doën Syndrome Kosova”.
Të nominuarit i ka propozuar Zyra e BE-së në Kosovë, derisa fituesi është zgjedhur përmes votave në mediat sociale.
Zyra e BE-së ka njoftuar se të pesë kandidatët, katër prej të cilëve janë gra, kanë krijuar interesimin më të madh për këtë çmim deri më tani, me rreth 15,000 vota në mediat sociale.
Profili i nominimit online të Fahrije Hotit thekson:
Fahrije Hoti është shembulli më i mirë se si një përvojë e dhimbshme të shndërrohet në kurajë dhe qëndrueshmëri. Pas luftës, e cila asaj i mori burrin së bashku me 243 burra dhe djem nga fshati i saj, ajo dhe të gjitha gratë e tjera të Krushës u përballën me probleme të jashtëzakonshme se si të rrisnin fëmijët pa asnjë të ardhur. Sot Fahrija është pronare krenare e “Kooperativës Krusha”, një kompani që punëson 50 gra, e cila merret me prodhimin shumë llojeve të turshive dhe ajvarit. Historia e saj frymëzuese e bëri atë personazhin kryesor të filmit “Zgjoi”, të nominuar për çmimin “Oscar”.