22.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Faik Konica mbi identitetin kombëtar

E ashpër, e vrazhdë, si populli i fuqishëm që e flet, por edhe plot shije e hijeshi, si frutat dhe lulet e malit ku flitet, gjuha shqipe – ndonëse e varfëruar nga një palëvrim shumë herë shekullor – është e aftë të shprehë, me një ndjenjë të mrekullueshme, nuancat, konceptimet më të holla e të mprehta të mendimit njerëzor. (Albania 1, 1897).

Javën e shkuar pashë një ëndërr që s’harrohet. M’u shfaq një grua e hollë, e gjatë, plot me hije fisnikërie, ndonëse e veshur me rrecka. Unë, pa vënë re varfërinë e veshjes së saj, dhe duke marrë me mend sa e bukur do të dukej sikur të ishte e veshur me mëndafshe, u ngrita me respekt dhe iu fala. – “Zonjë, i thashë, cila jeni Fisnikëria Juaj dhe pse dukeni kaq e mallëngjyer dhe e ngrysur?” – “Unë – tha – jam gjuha shqipe, dhe më sheh kështu të hidhëruar nga mundimet që heq dhe nga rreziqet që më rrethojnë”. – “Zonjë, mos rrini më e ngrysur: sa të jemi ne të gjallë, dhe sa të jenë të gjallë të tjerë si ne… dëshirojmë, Nëno, të të shohim të buzëqeshur”. (Maj 1925, Vepra 3, f. 373-374).

Ati ynë që je në qiell, jepna fuqinë të mbajmë gojën të mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë; falna durimin të thellojmë një punë me parë se të shkruajmë përmbi të: frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që jo vetëm të flasim me paanësi, por edhe të sillemi si të paanshëm; shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit. Ashtu qoftë! (Vepra 3, f. 421-422).

Të tëra vendet e dheut kanë një gjuhë letrarishte, domethënë të qëruar dhe të zbukuruar, që me atë shkruhen librat, letrat, punërat… Vetëm shqiptarët s’kanë një gjuhë të tillë; dhe andaj vjen që kemi mbetur të ndarë njëri nga tjetri, andaj kanë rrjedhur aq të këqija për ne të mjerët. Është nevojë dhe shtrëngim [detyrim] të hedhim themelin e një gjuhe letrarishte. (Albania 1, 1897).

Rilindja e gjuhës sonë është rilindje e jetës sonë kombëtare. (Albania 8, 1897).

Gjuha shqipe është sa muskuloze aq edhe të brishtë. (Albania 12, 1898).

Shqiptarët flasin një gjuhë të vjetër që ka lidhje të largëta me latinishten, greqishten, teutonishten, sanskritishten dhe të tjera. Shkurt, është një nga gjuhët që quhet indo-gjermane.

Të përpiqesh të ndryshosh gjuhën e një populli do të thotë të ndryshosh karakterin dhe të prishësh personalitetin e tij. Dialekti toskë, i gjallë, i shkathtë, i leht dhe me një evolucion të vazhdueshëm pasqyron mirë karakterin e toskës që shquhet nga një vrazhdësi e përmbajtur, nga një ndjenjë humori, nga aftësia, nga intriga dhe nga paqëndrueshmëria. Përkundrazi, dialekti gegë, masiv, i pandryshueshëm, pa shprehje me kuptime të dyfishta përfaqëson më së miri karakterin gegë, që është serioz, i sinqertë, shpesh herë i pa të keq dhe mbi të gjitha, armik i të rejave… Dialekti gegë përmban qindra shprehje që toskët i kanë humbur e që janë xhevahire të vërteta, sepse i kemi trashëguar nga paraardhësit tanë të lashtë. (Vepra 1, f. 194-195).

Një zjarr i bukur zien në zemër të djalërisë dhe, plot me dëshirë, trimoshët e dheut tonë po përpiqen për zbukurimin e shqipes. (Vepra 1, f. 224)

 

Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhduknin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tanë të ardhshëm. (Albania 2, 1907).

Letërsia jonë popullore është ruajtur dhe përcjellë vetëm nga gratë e fëmijët dhe nuk mund të mos merrte veçse formën naive të gjuhës së tyre. (Albania 1, 1905).

Të mbetur pa unitet fetar, e vetmja lidhje që ka mbajtur shqiptarët të bashkuar ka qenë gjuha. (Albania 4, 1906).

Pavarësisht nga luftërat, shkeljet dhe turbullimet e paprera në tërë kohën e shkuar, populli shqiptar, me forcën e vullnetit dhe fuqinë e tij të kundërshtimit, ka qenë i zoti të mbajë gjallë, jo vetëm gjuhën e tij të njohur nga filologjistët si më e vjetra në Europën Juglindore, po edhe ca nga traditat e tij të moçme. (Vepra 1, f. 273).

Mbani pra ndër mend se, për mua, atdhesia dhe letërsia janë dy gjëra. Një shkronjës mund të ketë edhe atdhesi edhe talent [letrar], a mund të mos ketë as këtë, as atë, a mund të ketë njërën, pa tjetrën. Nuk duhet pritur prej meje – ngaqë një vetë qenka atdhetar i mirë – që unë të kasnecojë se ipso facto, ai paska edhe vlerë mendore a pendë të bukur. Qëndrimi im përpara Naim bej Frashërit nuk u kuptua për këtë arsye.

Kur shkruani një gjë, këndojeni dhe ndreqeni shumë herë, që të bjerë [tingëllojë] në vesh çdo tog germash si një copë muzikë. (Tani, natën e mirë, se m’u qepnë sytë). (Vepra 1, f. 226).

Më Shumë

Elsa Lila rrëfen qëndrimin e saj në burg

Elsa Lila ka rrëfyer në ‘Ferma Vip’ ditët e qëndrimit të saj në burg. Ajo u arrestua në Itali si pjesë e një grupi kriminal...

Masakra në Krushë të Madhe nga forcat serbe, i mbijetuari Elshani rrëfen se çfarë ndodhi para 25 vitesh

I mbijetuari i masakrës në Krushë të Madhe, Selami Elshani ka rrëfyer në detaje atë se çfarë ndodhi para 25 vitesh në masakrën që...

Lajmet e Fundit