Dhjetë prej tyre vdiqën në vend, dhe megjithëse fillimisht ishte e vështirë për t’i identifikuar, disa orë pas tragjedisë, policia arriti të lidhte njerëzit me dokumentet e tyre, duke krijuar parakushtet për identifikimin e viktimave.
Ndërkohë është bërë identifikimi i dy personave të tjerë, familjarët e të cilëve, për arsye të kuptueshme, nuk ishin në gjendje të flisnin. Ata thjesht po kërkonin ngushëllim te njëri-tjetri, shkruan Jutarnji.hr, transmeton Gazeta Blic.
Policia kroate ka lëshuar ??një deklaratë duke detajuar rrethanat e aksidentit tragjik me autobus në autostradën afër qytetit Slavonski Brod.
Policia kroate tha se në orën 6:19 të mëngjesit të sotëm pranoi raportin e aksidentit në autostradën A3 Bregana-Lipovac, në korsinë jugore, afër qytetit Slavonski Brod. Në deklaratën e Policisë është përshkruar se si autobusi me 67 pasagjerë dhe dy shoferë, doli nga autostrada.
Ndërkohë, 14 persona që i mbijetuan pa lëndime aksidentit të tmerrshëm të mëngjesit të sotëm në autostradën në hyrje të Slavonski Brod të Kroacisë, aktualisht janë strehuar dhe përkujdesur në objektin Pansion Antonio në këtë qytet që ofron shërbime hotelierike, raporton Index.hr.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur të hënën ditë zie, për shkak të këtij aksidenti i cili ua mori jetën 10 personave, kryesisht mërmitarë që po vinin nga Gjermania për pushime në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me disa prej ministrave është nisur drejt Kroacisë, ndërsa ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka qenë paraprakisht në spitalin rajonal në Slavonski Brod, ku po marrin trajtim mbi 40 persona që u lënduan nga aksidenti në autostradën A3 Zagreb – Lipovac, i autobusit kosovar të “Deva Tours”, që ua mori jetën 10 personave.
Ai është parë i përlotur, teksa ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, duke thënë se ata dhe të aksidentuarit që mbetën të lënduar “janë njerëzit tanë që punojnë në Gjermani”.
Shefi i Mbrojtjes Civile në Kroaci, Damir Trut dhe Ministri i Shëndetësisë Vili Berosh ishin po ashtu në vendin e ngjarjes tragjike ku vdiqën 10 persona si pasojë e aksidentimit të një autobusi kosovar i cili po vinte nga Frankfurti në Prishtinë.
Pasi e vizitoi spitalin në Slavonski Brod, ku 45 të lënduar kërkuan ndihmë, Vili Berosh iu drejtua publikut, duke treguar se 15 persona janë lënduar rëndë, në mesin e të cilëve një vajzë e mitur, raporton Index.hr.
Drejtori i spitalit rajonal, Dr. Josip Samarxhiq tha se 45 persona ishin pranuar në spital që nga mëngjes, të cilët kishin kërkuar ndihmë mjekësore pas këtij aksidenti të rëndë në autostradë afër Slavonski Brod, dhe se tetë prej tyre u lënduan rëndë.
Sipas mediumit kroat, 24sata.hr, shoferët e autobusit nga Kosova që po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë kishin pushuar në Bregana për gjysmë ore para aksidentit. Aty ata ishin ndërruar dhe drejtimin e autobusit e kishte marrë shoferi tjetër.