15.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Fati i njeriut

ArturZheji-gazetarEsse

Një nga fjalët e urta shqiptare që më ka lënë mbresën më të thellë në jetën time rinore thotë: “Mos u gëzo, o i gëzuar, mos u hidhëro, o i hidhëruar!”

Është padyshim kjo fjalë e urtë, një pus i thellë mençurie dhe përvoje të lashtë. Sepse në thelb, simbas kësaj thënieje, Fati i Njeriut, sado mistike apo ekzoterike të duket kjo fjali, “Fati i Njeriut” pra, është i papërcaktuar dhe i papërcaktueshëm. Në krye të herës dhe në fund të fundit.

Për shumicën e njerëzve të kësaj toke, që vrapojnë, shpesh e më shpesh pa menduar, majtas djathtas, apo lart poshtë, që përllogarisin vetëm paranë, tapinë, plaçkën apo përfitimin, që thurin ëndrra për të ardhmen e tyre, apo thurin plane dhe intriga për zhbërjen e ëndrrave të të tjerëve, në rastet kur futen në skenë aksidentet fatale, të gjitha përllogaritjet, skemat apo planet përmbysen sakaq, sikur të mos kishin qenë kurrë. Në ato çaste, njerëzit, Njeriu pra, ndjen përmes vdekjes praninë e ftohtë të një bote tjetër. Të një bote që të merr gjithçka të shtrenjtë në pak sekonda, duke shpërfillur përkushtimin shumëvjeçar dhe vaditjen shumëvjeçare të jetës.

Aksidentet tragjike në familjen Peka janë tronditëse. Dhe nuk gjenden dot fjalë ngushëllonjëse. Është e kotë. Ajo që ndodhi me djalin 19-vjeçar të Visar Zhitit, është e thekshme. Një padrejtësi, të cilën Andon Zako Çajupi, edhe ai me djalë të humbur tragjikisht, e perifrazonte në një nga vargjet më hyjnore të gjuhës shqipe:

“Doje Dritë o Qiell, more Dritën time!”

Një vit më parë u këput në kulmin e vet Sokol Olldashi. Pak kohë më parë, djali i Gjergjit dhe Luizës, rritur me pekule në prehrin e të urtit shkrimtar Dhimitër Xhuvani, vret si në jerm 4 veta, mbasi kish marrë edhe një jetë tjetër më parë. Duke shembur në tragjedi ata që vrau dhe të afërmit e tyre, prindërit e vet dhe së fundi edhe veten.

Dhe mund të rreshtoja këtu edhe gjëma, aksidente të tjera, të dhimbshme, turbullonjëse, gjakësore. Them aksidente, sepse në këto raste dhe plot të tjera që nuk po përmend, siç ishte edhe tragjedia e Dritan Hoxhës, në kulmin e suksesit të tij dhe të Top Channel, ngjarja që ndodh, këput papritur atë jetë, duke shthurur sakaq dhe në mënyrë dramatike një pëlhurë të tërë kombinacionesh, të arsyeshme, të logjikshme, plot talent apo edhe gjeniale, siç ishte rasti i Dritanit. Dhe befas, shumëçka rreth kraterit të tragjedisë aksidentale kthehet në pluhur dhe asgjësohet në mënyrë të palogjikshme.

Të palogjikshme?

Apo simbas një logjike tjetër, të cilën më së shumti ne tokësorët e përjashtojmë?

“Mos u gëzo, o i gëzuar, mos u hidhëro, o i hidhëruar!”, thotë Fjala e Urtë shqiptare, që me siguri rrjedh nga një gurrë buronjëse mijëravjeçare.

Sepse e Keqja nuk ka fund dhe e Mira nuk është kurrë e mjaftueshme. Për askënd. Pa përjashtim. Sa pushtet, sa prona, apo sa para ke në bankë.

Është ky pra, një këndvështrim fatalist, që fut në ngërç energjinë njerëzore? Dhe e paralizon atë?

Ndoshta.

Ndoshta po, por edhe ndoshta jo. Sepse në këto raste, që priremi t’i ambalazhojmë me shpejtësi në një skutë të kujtesës, e më pas të gjejmë shërim duke i harruar, hyn në jetën dhe në të përditshmen tonë të vogël një koordinatë fatale, që përmbyt koordinatat tona të zakonshme, përllogaritjet e tipit të zakonshëm tregtar ku këmbëngulet se: 2+2 = 4, apo të tipit:

“Unë Jam ajo që unë Kam!”

Por nga ana tjetër, nëse do të besojmë te Fati, nuk do të gjenim dot energjitë e sfidave të përditshme, që secila qenie njerëzore duhet të ndërmarrë, ashtu si një ushtar që shkon në luftë. Në lashtësi, mbretërit apo heronjtë këshilloheshin me Orakujt, që lexonin Orët e tyre.

(Sa interesante, përqasja Orakull dhe Orë. Sa e madhe Gjuha Shqipe!)

E më pas, mbretërit apo heronjtë e lashtësisë, vendosnin vetë se cilën rrugë do të zgjidhnin, në të njëjtën hulli apo kundër hullisë së Orës së tyre.

Sot, Orakujt, pushtetarët i kanë zëvendësuar me shërbimet sekrete, ndërsa tregtarët me Bursat që përgjojnë tregun. Por rrëshqet gjithsesi diçka në mes.

Jeta.

“Paparashikueshmëria” e saj. Prandaj dhe, siç këshillon edhe Fjala e Urtë shqipe, Thjeshtësia, (ndonëse përfytyrohet shpesh si një grua e shëmtuar dhe e dalë jashtë mode), të të mos Gëzuarit, në mënyrë fodulle kur Gëzimi të troket në derë, të të mos Hidhëruarit në mënyrë vetëvrasëse, kur hidhërimi të shqyen derën, është pra e vetmja mjeshtëri e vetëmbajtjes së qenies në baraspeshë.

Kjo është në të vërtetë një Platformë Morale, pa moralizim dhe aspak ideologjike. Sot, pjesë e qytetërimeve të mëdha, që drejtojnë Planetin tonë. Që i vajtojnë tragjeditë jo kaq thekshëm sa ne, kanë kujtesë më të mirë dhe parapërgatitje më të mirë për të Paparashikueshmen që ndodh.

Në sajë të themelimit të Ekzistencializmit, jo vetëm si filozofi, por edhe si modestia e të jetuarit të jetës, pavarësisht se sa lart je ngjitur në piramidën sociale.

Që ende nuk ka pasaportë për të hyrë në mjediset tona, me qytetërim ekzistencial, që gjendet ende në katet përdhese./Nga Artur Zheji/

TweetLikePlusPin It

Më Shumë

Hyseni për herë të gjashtë rrëmben çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 32-të...

Tre të lënduar në një aksident në Suharekë

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në Suharekë, konkretisht në Zonën Industriale në Shirokë. Kështu tha për Klankosova.tv zëdhënësi...

Lajmet e Fundit