2.3 C
Prizren
E shtunë, 30 Nëntor, 2024

Fjala përfundimtare në gjykimin për vrasjen e dyfishtë në Malishevë

Pas rihapjes së gjykimit ndaj të akuzuarit për vrasje të dyfishtë, Besim Maloku, me arsyetimin se duheshin sqarime shtesë lidhur me ekspertizat e balistikës dhe asaj mjekoligjore, të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, sërish është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës, me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Blerim Maloku, por ai në seancën fillestare të mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2018, e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse i akuzuari për vrasje të rëndë, Besim Maloku, ishte deklaruar i pafajshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës, të gjitha palët deklaruan se mbesin prapa fjalës përfundimtare së dhënë më 4 shtator të këtij viti, ku prokurori kishte kërkuar dënimin e të akuzuarve, kurse mbrojtja lirimin e tyre.

Pararakisht, i akuzuari Besim Maloku ka dhënë mbrojtjen e tij, sa i përket pjesës për çka ishte rihapur shqyrtimi gjyqësor në këtë çështje.

E pyetje për të akuzuarin nuk kishte prokurori Ramiz Buzhala, mirëpo vetëm përfaqësuesja e autorizuar e palës së dëmtuar, avokatja Fehmije Gashi.

Avokatja Gashi, e pyeti të akuzuarin në lidhje me CD-të e përgjimeve, të cilat ishin realizuar në qendrën e mbajtjes pas arrestimit të të akuzuarve, përkatësisht në lidhje me disa biseda të cilat ishin realizuar ndërmjet dy të akuzuarve.

Ajo kërkoi nga ai të sqaronte se çfarë ka dashur të thoshte në pjesën e bisedës së përgjuar së dy të akuzuarve, ku sipas saj, dëgjohej në përgjime ku i akuzuari Blerim Maloku thotë “janë tu dyshu diqysh”, e ku më pas i akuzuari Besim Maloku përgjigjet “jo bre po provokojnë”, por i akuzuari Besim Maloku deklaroi se nuk i kujtohet.

Ndërsa, i akuzuari tjetër, Blerim Maloku pas marrjes së fjalës nga trupi gjykues, deklaroi se mbetet prapa pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje, të cilën e kishte bërë në seancën fillestare.

Mirëpo, pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Blerim Maloku e ka kundërshtuar avokatja e palës së dëmtuar, pasi që sipas saj, gjykata nuk duhet ta pranojë fajësinë e të akuzuarit, pasi që shumë prova flasin se vrasja është kryer ne bashkëkryerje.

Më pas, trupi gjykues, i kryesuar nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, pas një konsultimi mes vete e kanë refuzuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, me arsyetimin se në këtë çështje penale provat janë të ndërlidhura dhe në mënyrë që palëve t’u jepet mundësia që t’i parashtrojnë pyetje të akuzuarit.

Mirëpo, i pakënaqur me këtë vendim të trupit gjykues u shpreh mbrojtësi i të akuzuarit Besim Maloku, avokati Ndrecë Dodaj. “Çka jeni ka bani kështu, jeni ka bëni shkelje, jeni ka delni përtej aktakuzës”, ka thënë avokati.

Ndërsa, anëtari i trupit gjykues, gjykatësi Ilir Rashkaj i tha avokatit që të qetësohet dhe se çdo shkelje le ta adresojë në ankesë.

Më pas, i akuzuari Blerim Maloku deklaroi se dëshiron të mbrohet në heshtje.

Shpallja e aktgjykimit është caktuar që të bëhet më 14 nëntor, në ora 9:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2018, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se më 9 mars 2018, rreth orës 01:00 në fshatin Plloqicë të Malishevës me dashje ka privuar nga jeta vëllezërit Shani dhe Bahri Maloku.

Ai akuzohet se gjithashtu ka rrezikuar jetën e Uliks, Hysni, Gjemajl dhe Afrim Maloku, në atë mënyrë që i akuzuari Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerim Maloku, kanë hyrë në shtëpinë e viktimave për të vjedhur, ku Besim Maloku ka pasur me vete pushkë automatike “AK-47”, të kalibrit 7.62 x 39mm.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerët Shani dhe Bahri Maloku, kanë qenë duke luajtur me letra së bashku edhe me Hysni, Afrim dhe Uliks Maloku.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Alban Maloku është nisur në shtëpinë e viktimave dhe kur ka hyrë në oborr të shtëpisë ka vërejtur të akuzuarit dhe i njëjti ka bërtitur dhe në atë moment kanë dal të gjithë personat që ishin duke luajtur me letra dhe kanë vrapuar për të zënë të akuzuarit dhe në rrugën e lagjes duke ikur i akuzuari Besim Maloku ka shtënë me pushkë automatike në drejtim të vëllezërve Shani dhe Bahri Maloku dhe të njëjtit i ka privuar nga jeta dhe pastaj së bashku me të akuzuarin Blerim Maloku kanë ikur nga vendi ngjarjes.

Me këtë veprim, i akuzuari Besim Maloku, akuzohet se ka kryer veprat penale të “vrasjes së rëndë”, nga neni 179 par.1 nënpar.1.5, 1.6 dhe 1.11 të KPRK-së dhe “mbajtje në posedim të paautorizuar të armës” nga neni 374 par.1 i KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Blerim Maloku, akuzohet për veprën penale të mbajtjes në posedim të paautorizuar të armës nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Besim Maloku etj foto

Më Shumë

Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhsK) në Hagë ka filluar dëshminë Halil Çadraku i cili përfaqësohet nga avokati Arianit Koci në procesin gjyqësor...

Vetëm hëna ka besë

Shkruan: Qazim Thaçi E si ta takojë hënën besnike Ti them hallin tim të madh Se e dua deri në amshim atë Që dëshmitarë hënën ia pata lënë E...

Lajmet e Fundit