3.9 C
Prizren
E martë, 19 Tetor, 2021

Fjalimi i Gjergj Kastriotit sipas Marin Barletit

 Fjala e heroit legjendar para ushtrisë, në momentet kur po bëhej gati për mësymje ndaj qyteteve të tjera, për t’i çliruar nga pushtimi osman. Ky është përshkrimi më autentik i fjalimit të famshëm të Skënderbeut, që njohim sipas Marin Barletit.

“Asgjë të re, as të papritur nuk shoh këtu, kapedanë dhe ushtarë kryetrima, që të mos ma ndjente me parë zemra dhe të mos më mbushte me shpresë, sa herë që unë sillja ndër mend tërë mall edhe bujarinë e lashtë të popullit, edhe shërbimet e veçanta dhe zyrtare tuaja ndaj atit tim, Gjonit. Dhe me të vërtetë, mos ma merrni për mburrje, por unë s ‘kam dyshuar kurrë, në asnjë çast të jetës sime kur ruaja në zemer këtë qëllim, këtë dashuri për atdhe, kur ushqeja këto ndjenja për liri, këto dëshira të miat, që s’më ndaheshin, ishin edhe tuajat, Kur ju më ftonit shpesh, në kohën që unë isha pranë Tiranit, me tërë dashurinë dhe gatishmërinë tuaj për këtë vepër, gjë që unë tani e kujtoj me kënaqësi dhe them me mburrje, ju shkonte ndoshta në mend se e kisha harruar atdheun, se e kisha harruar nderin tim dhe lirinë, meqë ju ktheja prapë në shtëpi fort të pikëlluar pa asnjë shpresë të sigurte, pa asnjë shenjë të qartë të qëllimit tim. Por s’ka dyshim, qytetarë, se me atë heshtjen time, me atë përulësi të shtime të shpirtit tim, una mendoja për vete dhe për ju, sepse punët ishin të atilla, që duheshin bërë ma tepër sesa thënë, kurse ju kishit nevojë më fort për fre sesa për mamuze. Po e them se unë jua fsheha planet e mia, se s’ju thashë asnjë fjalë gjatë gjithë asaj kohe për dëshirat e mia, jo sepse dyshoja për besnikërinë tuaj apo s’ju a dija mirë shpirtin, posa ju vetë m’i shfaqët të parët qëllimet tuaja në atë kohë aq të rrezikshme, por sepse më mbante frika që më shtinte brishtësia e vdekatarëve dhe papërmbajtshmëria” e njerëzve, e cila lëshohet me ngut në çdo punë dhe, kur është rasti për lirinë, rrëmbehet e s’bëhet dot zap, nuk peshon asgjë, nuk ia var asnjë rregulli. Dhe, sikur t’i paraqitet rasti më i vogël, jo vetëm për ta fituar, por për ta provuar lirinë, atëherë s’mund ta largojnë atë nga qëllimi as një mijë shpata, siç i thonë një fjale, as një mijë rreziqe, as vdekja e sigurt dhe as rreziku i padyshimtë i të mirave të jetës. Por, kur në një punë të tillë, të nisur kot, përpjekjet dalin pa gjë, atëherë s’mbetet veçse vdekja më mizore, apo skllavëria edhe më e keqe dhe çdo shpresë për të nesërmen fluturon e rasti, që të shket një herë nga duart, s’kthehet më kurrë prapë. Kjo punë niset një herë e mirë e, në mos vaftë mbarë, mundësia zhduket përgjithmonë. Prandaj unë, po jua them sheshit, nuk e shikoja as veten time si një pjesëtar të sigurtë në këtë plan. Kisha frikë se mos gjuha, që s’i durohej para një pune kaq të madhe, se mos muret e shtëpisë më tradhtonin.

 

Për dëshmitar kam Hamzën, nipin, që u bë pastaj përkrahësi kryesor i planit dhe shoku i mundit, si edhe disa të tjerë fare të paktë, me ndihmën besnike dhe te papërtuar të të cilëve jemi duke e kryer këtë punë. Dhe, sado që neve na qëlloi të jetonim bashkë, të ushqeheshim dhe sidomos të kishim një shpirt e një zemër, megjithëkëtë asnjë nga këta s’më mori vesh që unë s’e kisha harruar atdheun, veçse në Luftën Hungareze, asnjë s’ma dëgjoi zërin, të flisja si njeri i krishterë e i lirë, veçse atëherë, kur e pati mundësinë pa frikë ndëshkimi.

Ju, epiriotët, mund të gjenit një tjetër mbrojtës të lirisë, një tjetër përkryes të qëllimeve dhe të aspiratave tuaja, sepse, në këtë vend, s’kanë munguar mendjet e ndritura, por juve ju pëlqeu, megjithëkëtë, se ndoshta kështu e deshën perënditë, që këtë liri ta prisnit më mirë nga unë, qoftë edhe vonë, sesa nga të tjerë, apo ta fitonit vetë me dorën tuaj. Ju, si burra aq të fortë, të rritur në këtë liri, që qëndruat kaq kohë nën mënxyrën barbare, nuk u mërzitët derisa të më shihnit. Po përse doni që unë ta mbaj për vete me pa të drejtë, emrin e çlirimtarit? Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta këtu. Sapo më shkeli këmba truallin tuaj, sapo dëgjuat emrin tim, m’u derdhët me vrap të gjithë, më dolët përpara kush e kush më parë, sikur të kishit dëgjuar se u ngritën nga varret etërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishin zbritur këtu gjithë perënditë, Ju më latë prapa, ju m’i lidhët menjëherë duart, ju më mbytët me shërbime aq të mëdha dhe me një gaz shpirtëror aq të madh, saqë duket se ju më keni bërë tani aq rob, sa edhe të lirë. Mbretërinë dhe këtë qytet nuk jua dhashë unë, po ju m’i dorëzuat mua. Armët nuk jua solla unë, por ju gjeta të armatosur. Lirinë e pashë se e keni kudo, në kraharor, në ballë, në shpatat e në ushtat, dhe si kujdestar të pashoq, të lënë nga ati im, e vutë përsëri në vend, me kujdes e besnikëri të pandryshuar, skeptrin, që ma ruajtët gjer në këtë ditë, dhe më bëtë përsëri, me mundin e punën tuaj të papërtuar, zot të mbretërisë së të parëve të mi, pa derdhur gjak. Përpara tani, për të shtënë në dorë me ndihmën e perëndive edhe ç’ka mbetet! Pjesën më të madhe të punës e kemi mbaruar. Kruja është fituar, krahina e gjithë është jona, Dibrat dhe pastaj popullsitë e tjera janë bashkuar me ne dhe emri i armiqve është zhdukur nga fusha; mbeten qytetet. Po të mendoj gjendjen e tyre të vështirë, duke parë se të gjitha janë të rrethuara nga ne, të zëna në befasi, se të rrethuarve u kanë mbetur vetëm muret e zhveshura, kam shpresa të mira. Po të marr parasysh vështirësitë që paraqitin këto vende dhe trupat që janë vendosur brenda nga Tirani, duket se do të jetë nevoja të përdorim ndonjë zgjuarsi apo këmbëngulje shumë të madhe, Por këto do t’i gjykojmë më mirë, kur të ndodhemi në vende e të kemi përpara armikun e kur të mbajmë shpatën në të djathtën tonë shkrumbuese, sesa tani për së largu e në tym. Të nisemi, pra, pangurrim dhe kudo të tregohemi me guxim prej fitimtarësh; fati do të na ndihmojë në përpjekjet tona, fati, që gjer më sot s’na është ndarë në çdo punë e na ka ecur për bukuri.

Megjithëkëtë, duhet t’ia nisim, para së gjithash, nga Petrela, jo sepse kjo kështjellë mbetet prapa të tjerave për nga vështirësia e pozitës, apo nga mbrojtja natyrore, por sepse është më afër këtij qyteti. Unë besoj se do t? gjejmë atje emrin dhe frikën e fatit të Krujës më të madhe, sepse ata i panë me sy trimëritë tuaja, edhe fatkeqësitë e veta. Këto mund t’u kallin atyre një frikë ndoshta jo të vogël e, në mos ua kallshin tamam këtë, atëherë do të veproj sigurisht këmbëngulja jonë. Një gjë vetëm duhet të na ngulitet mirë në kokë dhe të mos na dalë asnjërit nga mendja: në mos u pushtoftë ai qytet e në mos qofshim të zotët t’ia plotësojmë dëshirat tona, atëherë s’kemi pse të kthehemi prapë në shtëpi. Na duhet të provojmë çdo mjet, mundim, durimin, shpatën, arin dhe argjendin, me qëllim që fitores sonë t’ia fillojmë që këndej. Në qoftë se perënditë do të duan që ne ta marrim qytetin me forcë, atëherë nuk duhet të ketë vend nga ana jonë për asnjë mëshirë kundër kokëfortëve, por t’ia arrijmë fitores qoftë edhe në mënyrën më të pazakontë, me qëllim që t’ua thyejmë guximin të tjerëve. Në qoftë se do të na jepet mundësia që ta shtiem atë në dorë pa derdhur gjak, duke na e dorëzuar vetë vendasit, atëherë do të na duhet që të gjithëve të veprojmë me urtësi të madhe si publikisht ashtu dhe privatisht, me qëllimn që të nxitim kështu edhe të tjerët për dorëzim.”

 

Shkëputur nga “Historia e Skënderbeut”

Më Shumë

Haskuka: Komuna e Prizrenit është vetmja që i ka liruar bizneset nga pagesa

Kandidati i vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, së bashku me deputetët Artan Abrashi dhe Arber Rexhaj dhe kandidatët për asamblistë vizituan afaristët...

Haskuka në Reçan: Jemi bërë bashkë për Prizrenin

Kanidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, bashkë me zv.ministrin Almir Veliji, nënkryetaren e Komunës për Komunitete, Memnuna Ajdini, kryetarin e...

Hajnat bëjnë kërdi në një shtëpi në Rahovec, vjedhin ari dhe para me vlerë mbi 25 mijë euro

Mbrëmë në fshatin Brestovc të komunës së Rahovecit disa persona të panjohur kanë hyrë në shtëpinë e ankuesit dhe kanë vjedhur para të gatshme,...

Totaj tregon se si e ka planifikuar ta bëjë rregullimin urbanistik në Prizren

Kandidati i PDK-së në garë për të parin e Prizrenit, Shqir Totaj, ka treguar planin e tij se di do ta vë në zbatim...

Ronaldo kurrë s’do ta njollosë historinë duke iu bashkuar Barcelonës apo Manchester Cityt, thotë ish-bashkëlojtari i tij Fabio

Cristiano Ronaldo ka punuar zellshëm për ta fituar një reputacion si njëri prej më të mirëve i të gjitha kohëve dhe ai kurrë nuk...

109 vjeçarja voton në Prizren (VIDEO)

109 vjeçarja, Xhevahire Mustafa nga Prizreni e ka hedhur votën e saj. Ajo tha se në të gjitha zgjedhjet e ka shfrytëzuar të drejtën e...

Totaj: Do t’ia rikthejmë investimet dhe dinjitetin Hasit

Dje hasjanët e Gjonaj e Romajës me një mikëpritje të jashtëzakonshme kanë zhvilluar një takim të përzemërt me Kandidatin për Kryetar të Prizrenit nga...

Totaj: Jam optimist se do të gjejmë gjuhë të përbashkët dhe të arrijmë të formojmë koalicion

Kandidati për Prizrenin nga radhët e PDK-së, Shaqir Totaj, nuk e ka mohuar faktin e formimit të një koalicioni. “Jemi në balotazh akoma nuk e...

Aksident me fatalitet në Rahovec

Ka vdekur dje personi i gjinisë mashkullore i aksidentuar më 14 tetor të këtij viti, në Rahovec. Njoftimi i plotë i policisë: AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET...

Qeveria shpall Majlinda Kelmendin “Qytetare me merita të veçanta”

Qeveria e Kosovës e ka shpallur xhudisten Majlinda Kelmendin “Qytetare me merita të veçanta”. Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se Kelmendi...

Kur Balzaku… do të bëhej deputet!

“Journal des débats politiques et littéraires” ka botuar, të dielën e 19 marsit 1848, në faqen n°3, letrën e Honoré de Balzac në lidhje...

Kurti thotë që do të fitojnë pa balotazh në Prizren

Lëvizja Vetëvendosje në tubimin përmbyllës të kësaj partie në Prizren ka shprehur besimin se kandidati i kësaj partie Mytaher Haskuka do të fitojë në...

Totti: Nga Roma do të isha larguar vetëm për Real Madridin

Legjenda e Romës, Francesco Totti, ka theksuar se gjiganti spanjoll Real Madridi është klubi i vetëm për të cilin do ta kishte lënë Romën. Historia...

Quni kërkon votëbesim për kryetar të Prizrenit

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit, Anton Quni, në kuadër të fushatës zgjedhore edhe sot ka kërkuar votën e qytetarëve për 17 tetor. Ai,...

Nesër protestojnë gjahtarët e Prizrenit

Shoqata e gjahtarëve “Sharri” në Prizren do të organizojë nesër një protestë para shtëpisë së bardhë, selisë qendrore të kryetarit të Prizrenit Mytaher Haskuka,...

Vrasja e të riut në Prizren, vëllai thotë se kur arriti në spital policët e informuan se kush e vrau

Në cilësinë e dëshmitarit, vëllau i të ndjerit M.K, Pajtim Kurtishaj deklaroi se posa kishte mbërritur në spital, policët e kishin njoftuar se vëllai...

Lajmet e Fundit