Shfaqja nga Kosova, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, prodhim i Qendrës Multimedia nga Prishtina, është nderuar me Çmimin Special në edicionin e 8-të të Festivalit Ndërkombëtar “JoakimInterFest”, që është mbajtur nga 7 – deri me 14 tetor në Kragujevc (Serbi).Juria e festivalit, në përbërje: Gorana Markovia, Vladimir Milçin dhe Laslo Keseg, çmimin ia ka dhënë autorit Jeton Nezirajt, me motivimin “për tekst jashtëzakonisht të guximshëm dhe të pakompromis”.
Shfaqja “Fluturimi…” e autorit Jeton Neziraj, në regji të Blerta Nezirajt, dhe me aktorët: Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu është dhënë si premierë me datë 5 dhjetor të vitit të shkuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, për t’u shfaqur pastaj edhe në Tiranë, Shkup e Beograd.
Përderisa artistë serb disa herë kan fituar cmime në festivalet në Kosovë, ky është cmimi i parë që ndahet në Serbi për një artist nga Kosova.
Muzikantë në shfaqje janë Susanna Tognella (violinë) dhe Gabriele Marangoni (harmonikë), dramaturg dhe bashkëpunëtor artistik: Ilir Gjocaj, koreografia: Arthur Kuggeleyn, kompozitor: Gabriele Marangoni, skenografia dhe kostumet: Susanne Maier-Staufen, realizimi i skenografisë: Kërste S. Xhidrov, asistente e kostumografisë: Leonora Mehmeti.
“Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” është një komedi politike mbi njërën nga ngjarjet më të rëndësishme globale të këtij shekulli – lindjen e shtetit të Kosovës. Shfaqja flet për Kosovën e re që, e lodhur dhe e rrënuar nga lufta, varfëria, korrupsioni dhe tutelat e pafundme të misioneve ndërkombëtare, përpiqet ta gjejë rrugën e vet drejt të ardhmes.