Frikë për manipulim të zgjedhjeve

Zgjedhjet-ksPartitë opozitare kanë frikën se edhe zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të manipulohen, duke përmendur kështu manipulimet me vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, siç thonë ata, nga partia në pushtet, shkruan Zëri.

Sipas tyre, shkuarja në zgjedhje me ligj të vjetër dhe pa u përfunduar reforma zgjedhore dhe mosndëshkimi i vjedhësve të votave nga zgjedhjet e kaluara, paraqet një parakusht potencial të lartë për përsëritjen e manipulimit të rezultatit zgjedhor.

Nga ana tjetër partia në pushtet, PDK-ja thotë se në çdo proces elektoral shfaqen droje të tilla jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon.“Të gjitha përgatitjet teknike janë bërë edhe nga KQZ-ja që të parandalohen vjedhjet e votave. Përveç kësaj edhe kodi penal është tepër i ashpër për ata që vjedhin vota. Kodi i ri penal është një lloj garancie pasi që kushdo që bën vepra penale që lidhet drejtpërdrejt me votën nuk do të dënohet vetëm me të holla, por edhe me burg”, ka thënë për “Zërin” Behar Selimi nga PDK.

Sipas tij, kjo droja e opozitës duhet të hiqet, duke i marrë parasysh këto dy elemente përmirësimet teknike dhe ashpërsimin e dënimit përmes kodit të ri penal për ata që abuzojnë me votën.

Ndërkaq, Ismet Beqiri i LDK-së, thotë se është shqetësues fakti që zgjedhjet janë shtyrë për 3 nëntor dhe në këtë drejtim, sipas tij, ka vend për dyshime se ato sërish do të manipulohen. “Ne do të bëjmë çmos që të mos abuzohet vota e qytetarëve nga militantët dhe struktura e PDK-së, por këtu ka vend për të dëshiruar për faktin se dënimet ndaj atyre që kanë vjedhur me votat e qytetarëve janë stimuluese”, ka thënë Beqiri.

Ky i fundit ka drejtuar “gishtin” nga partia e kryeministrit Hashim Thaçi se është bërë pengesë për ecjen tutje të reformës zgjedhore, duke e bërë të mundur edhe një manipulim të radhës.

Ahmet Isufi nga AAK-ja kërkon që zgjedhjet e 3 nëntorit të monitorohen nga mekanizma vendorë dhe ndërkombëtarë, duke mos lejuar që të përsëritet ajo që ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Megjithatë, sipas tij, në projektligjin ekzistues ka gjasa që të ndodhin manipulime sepse lejohet hapësira për ta bërë një gjë të tillë

Më Shumë

Paradoksi i autenticitetit në epokën e konformitetit Eurovision-ist

Nga Robert Aliaj Ka diçka të çuditshme në faktin që një konkurs që shpall veten si kremtim i diversitetit kulturor, prodhon çdo vit një lloj...

Tre arinj futen në oborrin e një shtëpie në Hoçë të Prizrenit, u vërsulen disa banorëve që i incizonin

Tre arinj janë parë në oborrin e një shtëpie në fshatin Hoçë të Prizrenit. Prezenca e tyre ka krijuar shqetësim te banorët e zonës. TV Prizreni publikoi...

Lajmet e Fundit