Fshati Bregdri i Prizrenit aktualisht numëron 600 banorë rezidentë, derisa llogaritet se 400 të tjerë janë shpërndarë anekënd botës. Shumë nga ta ushtrojnë zejen e bukëpjekësit. Fshati është i banuar nga shqiptarë të besimit mysliman dhe katolik dhe jetojnë në harmoni të plotë mes vete. Kryetari i fshatit, Jakup Çollaku, tregon se të parët që ishin vendosur në këtë fshat kishin qenë nga fshati Zym, kryesisht për arsye të mungesës së ujit.“Banorët u janë ofruar pronave të tyre që i kishin në breg të Drinit të Bardhë dhe për faktin se ashtu afrohen afër ujit që e kishin mungesë në Zym të thatë, siç është quajtur më herët vetë Zymi”, thotë Çollaku. Sipas tij, Zymi njihet si qendër famullitare qysh në shekullin XIV, me kishën që i kushtohet Shën Mërisë. Në famullitë e këtij rajoni, ndër priftërinjtë e hershëm ishin edhe njerëzit e mëdhenj të kulturës shqiptare, si Ndre, Pjetër, Lukë e Gjon Bogdani që ishin nga fshati Gjinan i Hasit (sot fshati Bregdri), pastaj Pjetër Zoganji (Zogaj), Mark Bardhi etj. Rrethanat specifike të periudhave të kaluara historike ndikuan që lokacioni i kishës të mos jetë në një vend të vetëm. Lokacioni i parë i kësaj kishe ishte në luginën e njohur në Shëngjergj (ku punoi Ndre Bogdani) e nga aty u shpërngul në Kodrinën e Lumezeve, apo siç njihej atëherë te Lama e Bubit. “Sot Zymi, Shëngjergji, Bregdrini (Gjinani) dhe Dedaj, që e përbëjnë Famullinë e Zymit, kanë rreth 500 shtëpi me afro 6.000 banorë”, tregon Çollaku.
Traditat që vazhdojnë të mbesin gjallë
“Banorët janë të ty besimeve, mysliman e katolik, por që kurrë në jetën e tyre nuk kanë pasur, tani e një shekull që kur është banuar ky fshat, as edhe një ngatërresë verbale”, tregon Jakup Çollaku, kryetar i këtij fshati. Ndryshe, banorët kanë ankesa rreth infrastrukturës. Ata ankohen se mungon trotuari nga shkolla deri në fshat, pastaj oborri i shkollës është në gjendje të keqe, derisa mungon edhe kanalizimi nëpër lagje. Çollaku shprehet se tradita e këtij fshati nuk dallon nga ato të Hasit.“Banorët e besimit katolik i bëjnë sipas traditës së tyre dhe ata myslimane sipas traditës së vet, por këtu disa nga traditat edhe përbashkohen”, shprehet Çollaku. Megjithatë, ai shprehet se në kohët moderne kanë ndryshuar disa nga traditat e vjetra. Megjithatë, Çollaku shprehet se disa nga familjet preferojnë t’i bëjnë dasmat sipas stilit të vjetër.
Kështu gjatë dasmës, kur krushqit shkojnë të marrin nusen, vetëm një pjesë e dasmorëve hyjnë brenda në shtëpinë e nuses, pjesa tjetër bëjnë aheng jashtë. Janë dajat dhe xhaxhallarët ato që luajnë muhabetin me krushqit. Pasi merret nusja, para portës së shtëpisë së dhëndrit i hidhet ujë të këmbët që të hiqet syri i keq, ose magjia, pastaj në prehër i ulin një djalë të vogël, me qëllim që në të ardhmen të bëjë djalë, lyen me mjaltë parmakët e shtëpisë, hy me këmbën e djathtë, që shtëpisë ti ecë mbarë dhe ëmbël. Të tjerët i hedhin karamele dhe oriz. Në të kaluarën dasmat nisnin të enjten, ditë kur dërgohen rrobat tek nusja dhe shtrohet një drekë me gjithë të mirat, por tani ato zgjasin më pak dhe shpesh nuk ka një ditë të caktuar. Banorët më të vjetër tregojnë se në të kaluarën ka pasur shumë lojëra tradicionale, të cilat kanë mbijetuar deri në kohët e vona, por ato tani kanë nisur të harrohem. Ata kujtojnë veçanërisht lojën me filxhan. Ata që fitojnë ngrihen në këmbë dhe këndojnë dhe me humor e batuta ngacmohet pala e humbur.
“Në dasma, për nusen janë vajzat e fshatit ato që e këndojnë dhe varësisht nga sjellja e nuses shahet ose lavdërohet nëpërmjet këngëve. Tashmë vjen nata e parë e çiftit. Dhëndri futet me të gjuajtura në kurriz nga shokët e tij në dhomë”, tregon mësuesi Beqir Çollaku.
Vajzat e Bregdrinit, aktiviste të palodhura në gjithë Hasin
Beqir Çollaku tregon se fshati ka qenë bartës i shumë proceseve kombëtare, me të cilat ka kaluar vendi. Ai shprehet se nga fshati kanë dalë edhe shumë aktiviste femra, që tregon për emancipimin e hershëm të femrës në këto troje. Pikërisht nga ky fshat kanë dalë vajza para lufte që nga vitet 1990 e këtej që kanë qëndruar në ballë të shumë organizimeve atdhetare ku duhet të veçohen: Marte Prekpalaj, Dile Prekpalaj, Hatixhe Çollaku, Merita Çollaku. Ato ishin edhe vetë ideatore të shumë aktivitete të traditës hasjane, si Marte Prekpalaj, dallohen sa i përket kultivimit të traditës së veshjeve hasjane, e po kështu pas lufte ishin shembull i aktiviteteve të shumta kulturore të këtij rajoni.
(Kosova Sot)