Përplasje mes pozitës dhe opozitës ka edhe në komunën e Malishevës, atje ku tash e disa vjet nuk po arrin të përfundojë projekti për ujësjellësin i cili do të furnizonte disa fshatra me ujë të pijshëm. Opozita po akuzon qeverisjen e kësaj komune se nuk po i përfundon projektet jetike për banorët, derisa pozita thotë se po shikon mundësitë për zgjidhjen e këtij problemi.
Komuna e Malishevës llogaritet si një prej zonave që ka probleme të mëdha me mungesën e ujit të pijshëm. Të tilla janë fshati Pagarushë dhe fshatrat përreth të cilëve komuna ishte munduar t’u dalë në ndihmë, por që nga 2017-ta nuk e ka realizuar projektin për ujë të pijshëm. Drejtori i Urbanizmit tregon se në atë zonë nuk është bërë ndonjë studim i saktë.
“Ne me të vërtet ndihemi keq që s’ka përfunduar, por tash isha në takim me Hidrogjenin për të gjetur një mundësi për t’i furnizuar ato fshatra me ujë”, thotë Avdi Morina, drejtor i Urbanizmit, Malishevë.
Por, opozita në Malishevë ka akuzuar qeverisjen e komunës se po i lë në gjysmë projektet e rëndësishme. Sipas tyre, qeverisja e Malishevës u jep prioritet projekteve që kanë pak rëndësi, dhe në ato vende ku ka elektorat.
“Është buxhetuar në mandatet e kaluara, është premtuar vazhdimisht dhe asnjëherë nuk është intervenuar, me keqardhje them, se disa intervenime që kanë qenë, por gypat kanë mbetur mbi tokë, dhe nuk është punuar asgjë dmth ende vazhdon ky shqetësim te banorët e këtyre fshatrave”, tha për RTK, Mevludin Mazreku nga PDK e Malishevës.
“Fatkeqësisht ky nuk është projekti I vetëm, projekti I ujësjellësit në Pagarushë punimet e para kanë filluar më 2017 dhe për secilin vit buxhetor janë ndarë mjetet për realizimin e këtij projekti, por, asnjëherë nuk është realizuar si projekt I tillë kanë filluar disa punime, janë shtri disa gypa, por ashtu kanë mbetur dhe s’është realizua”, u shpreh Veton Zogaj nga LVV e Malishevës.
Çfarë mund të mos keni parë këtë verë te Shatërvani në Prizren?
Ndërkaq, drejtori i Urbanizmit tha se bashkë me Hidroregjionin Jugor po planifikojnë një projekt që do të bëjnë zgjidhje të qëndrueshme me ujë të pijshëm nga Liqeni i Radoniqit, porse për këtë duhet ndihmë nga niveli qendror.
“Nëse qeveria nuk na mbështet me këtë projekt kapital, tashmë kemi edhe planin B, kemi përgatit edhe projektin që nëpërmjet burimeve në fshatin Banjë t’i furnizojmë këto fshatra të cilat kanë nevojë për ujë të pijes”, u shpreh Morina, drejtor i Urbanizmit, Malishevë.
Deri në realizimin e këtij projekti vitin që vjen, që është jetik për banorët, këta gypa do të qëndrojnë të shpërndarë pa mundur t’i furnizojë me ujë.rklive