15.5 C
Prizren
E shtunë, 19 Prill, 2025

Gazetarët “proserbë” dhe “antishqiptarë”

fahrii usliuKanë zgjedhur të punojnë si gazetarë, në mesin e atyre ku një numër i konsiderueshëm shqiptarin e konsiderojnë “armik të përbetuar”. Madje janë paragjykuar edhe nga vendasit e tyre. Janë quajtur edhe “kopilë serbë”… Por asgjë nuk e ka ndalur gazetarin Fahri Musliu që të punojë plot 42 vjet në Beograd, e sot gazetarin e gjeneratës së re, Idro Seferin, i cili filloi karrierën në Serbi, 8 vjet më parë.

Në tetor të vitit 1972 si jo pak shqiptarë të Kosovës, kishte zgjedhur kryeqendrën e ish-Jugosllavisë, Beogradin, për të studiuar. Pasi përfundon gazetarinë në Fakultetin e Shkencave Politike, zhvilloi karrierën e tij gazetareske në Beograd, ku qëndroi plot 42 vjet.

Bëhet korrespodenti i vetëm shqiptar i paraluftës në Serbi, madje nuk heq dorë as atëherë kur situata bëhet e vështirë, kur Kosovës i hiqet autonomia, kur Beogradi mbushet me histeri nacionaliste e ulërima fashiste antishqiptare e antikosovare.

Musliu mbijetoi, vazhdoi të punojë jo vetëm si korrespodent i të përditshmeve në Kosovë, por edhe si korrespodent i mediave ndërkombëtare si “Zëri i Amerikës” dhe BBC.

Ai nuk u shpëtoi as paragjykimeve të shqiptarëve nga Kosova, të cilët kanë ditur ta quajnë edhe proserb. Jo vetëm kaq, në vitin 2000 Musliu arrestohet nga autoritetet e Beogradit, për siç thotë ai, “arsye banale”. Megjithatë as arrestimi e asnjë sfidë tjetër, nuk e kthyen atë prapa.

1987-1989, periudha më e vështirë

Në fillim thotë se nuk e kishte të vështirë të punonte nga Beogradi, por me inicimin e rrënimit të autonomisë së Kosovës, me histerinë nacionaliste e ulërimat fashiste antishqiptare e antikosovare, me “mitingjet e të vërtetës” të organizuar nga serbët e Kosovës nëpër qytetet e ish-Jugosllavisë, kur dëgjoheshin klithjet “duam armë”, “vritni shqiptarët”, etj., është keqësuar atmosfera dhe u bë shumë vështirë.

“Megjithatë nuk e kam lejuar veten që të bie në ndikimin e asaj euforie, por shpesh ka ndodhur që pastaj të mbyllem në dhomë dhe të qaj me zë të lartë”, thotë Musliu, duke kujtuar periudhën e vitit 1987, kur ai pësoi një goditje të lehtë në zemër, dhe periudhën e vitit 1989, kur Kosovës iu suprimua autonomia, kohë kjo kur nga Kosova atij i shkonin lajmet për vrasjen e shumë shqiptarëve; kur u mbyll “Rilindja” e Radiotelevizioni i Prishtinës dhe kur faktikisht Kosova u vu nën administrim të dhunshëm të pushtetit serb.

“Por pas fillimit të luftës në Bosnjë dhe Kroaci ishte më lehtë, sepse vëmendja e opinionit u zhvendos atje”, tregon më tej Musliu.

E thërrisnin “proserb”

Për 42 vjet pune në Serbi, Musliu thotë se fatmirësisht nuk ka përjetuar kërcënime nga serbët, përveç gjatë luftës së vitit 1999, kur është kërcënuar përmes telefonit, dhe kur në prill të vitit 2000 është arrestuar nga policia për, siç thotë ai, “diç banale”.

“Por për arrestimin e tij kanë ardhur reagime të shumta të mediave dhe të subjekteve politike të Beogradit. Kjo ndoshta edhe për shkakun se më ka vlerësuar edhe pushteti, të cilin nuk e kam kursyer nga kritikat e ashpra, edhe opozita, intelektualët, ekstremistët, kolegët, miqtë e simpatizantët e mi, si njeri e gazetar me integritet, dinjitet e sinqeritet të lartë dhe si profesionist dhe guximtar”, tregon Musliu. Ai është vlerësuar edhe nga shqiptarët në Kosovë, për punën që po bën në Beograd, por ka pasur të tillë që edhe e kanë paragjykuar dhe e kanë ofenduar.

“Ka pasur të tillë që më kanë quajtur “proserb”, apo bashkëpunëtor i UDB-së”, thotë Musliu, por shumë e kanë vlerësuar punën e tij dhe guximin për të raportuar nga Beogradi.

Beogradi, pjesa më e bukur e jetës dhe punës sime…

“Po të kthehesha në fillim të jetës me siguri do ta zgjidhja këtë rrugë, sepse gazetaria ka qenë dhe mbetet dashuria ime më e madhe në përjashtim të fëmijëve dhe familjes. Nga ajo kam jetuar dhe për atë jetoj edhe më tutje”, shprehet Musliu.

Sot pas 46 vjetësh në gazetari, Musliut i vjen keq që profesionin aktiv e ka përfunduar në mënyrë siç thotë ai “më të keqe të mundshme”, meqë drejtuesit e RTK-së, nuk e kanë respektuar marrëveshjen për ta vazhduar punën edhe për dy vjet pas pensionimit, e pos kësaj thotë se janë munduar edhe ta “denigrojnë e poshtërojnë si njeri e profesionist”.

Musliu sot po punon në publikimin e një libër-broshure kushtuar RTK-së, po ashtu në qershor të vitit 2015, pret që të promovojë dorëshkrimin serbisht të monografisë mbi Bekim Fehmiun, (pasi që në shqip e ka përfunduar më parë).

Citat: “Ka pasur raste të shpeshta kur jam mbyllur në dhomë dhe kam qarë me zë të lartë” Fahri Musliu

Gazetari që pas luftës zgjodhi Beogradin

Në fund të vitit 2006, atëherë si gazetar i të përditshmes “Zëri” në Prishtinë, Idro Seferi (22 vjeç) udhëton për në Serbi për të përcjellë një gjykim për krimet e luftës në Gjykatën Speciale në Beograd, një nga gjykimet e para ku të akuzuarit ishin serbë dhe viktimat shqiptarë. “Bashkë me familjarët e viktimave, shkuam nga Prishtina dhe në kufi na prisnin njësitet e policisë dhe deri në Beograd udhëtuam nën shoqërinë e tyre. Na vendosën në një hotel që dukej sikur në periferi të Beogradit dhe sikur nuk mund të shkoje askund në këmbë. Zakonisht policia ishte me ne dhe dilnim pak”, kujton Seferi.

Përveç gjykimit, Seferi fillon dhe shkruan edhe për tema të tjera, dhe aty, ai thotë se “e pashë që mund të kishte shumë për çka të shkruhej”.

“Kur e pashë që mund të shkruhej më shumë, mendova: ne kishim konflikt me Serbinë, kemi kaluar një luftë dhe nuk kemi arritur të kuptojmë shumë aspekte të tjera të panjohura dhe doja të dija më shumë se kush ishin serbët. E hodha idenë që të punoja në Beograd. Në fillim nuk e besoja as vetë se çfarë po synoja”, tregon Seferi.

Vendosi ta lërë Kosovën …

Pas kthimit në Prishtinë, Seferi menjëherë fillon të kërkojë lidhje për të shkuar në Beograd, pasi që në atë kohë me dokumentet e UNMIK-ut ishte pothuajse e pamundur të bëhej një gjë e tillë.

“Kur e vendosa dhe lashë gjithçka në Kosovë, kam provuar tre herë të kaloj kufirin. Të tretën herë e kalova dhe u nisa”, tregon Seferi, i cili arrin në Beograd, përmes Kragujevcit, ku merr letërnjoftimin e ish-Jugosllavisë (të cilin Serbia vazhdonte ta jepte për shqiptarët).

Fillimi për të ishte i frikshëm, nuk kishte shumë para me vete, dhe ditët e para kërkon nga miku i tij, Sven Peters, një gjuhëtar belg dhe shkrimtar që në atë kohë punonte në Fakultetin e Filologjisë në Beograd, që të qëndronte tek ai për një kohë.

Si fillim e kishte vetëm një punë, për gazetën “Ekspress”, e cila nuk i zgjati shumë.

Me “Top Channel”, (për të cilin punon akoma sot) ishte i lidhur që në Kosovë përmes kolegëve të “Topit”, por udhëheqësit e saj atë kohë, nuk e besonin se Seferi vërtet do të jetonte në Serbi.

Ndër kontaktet e para të tij ishte edhe ai me gazetarin Fahri Musliu, që atë kohë punonte për RTK-në, tregon Seferi.

Ndihma nga ndërkombëtarët

Millani, taksisti serb i lindur në Mitrovicë, të cilin e takoi përmes mikut të tij Sven Peters, e ndihmoi Seferin që të gjejë një banesë, në të cilën jetoi për një vit rresht.

Në konferencën e parë në Serbi të prokurores Carla del Ponte, Seferi takon Thomas Roser, gazetarin gjerman, i cili e ndihmon atë për punët në terren.

“Fillimisht për të huajt, për korrespodentët e huaj ishte interesante puna që bëja dhe punoja shumë edhe me ta, kurse për serbët, përveç gazetarëve, kishte drojë, por kishin edhe jetën e tyre dhe nuk thelloheshim shumë”.

Por me kalimin e kohës, sot Idro Seferi ka arritur që në çdo konferencë, institucion… të njohë dhe ta njohin njerëzit. “Pas shumë vitesh edhe paraqitjeve të shpeshta nëpër media njerëzit më konsiderojnë si beogradas”, shton ai. Para pak kohësh, Seferi ka qenë i ftuar në emisionin e njohur “24 minuta” të Zoran Kesiq.

Ishte pak ditë pas ndeshjes Shqipëri – Serbi, situata akoma tensionuese dhe Seferi në emision lëshon dronin e famshëm, që për çudi reagimet e serbëve ishin pozitive, ai merr edhe dhurata.

E quajtën “kopili serb”

Kërcënimin më serioz që Idro Seferi e ka përjetuar nga serbët, ka qenë kur ka raportuar në veri të Mitrovicës, në zgjedhjet e 3 nëntorit 2013. Ishte momenti kur Seferi me televizionin “Top Channel” shkon tek ura e Ibrit kah pjesa e veriut, dhe bën lidhjet direkte në gjuhën shqipe, kur i afrohen grupe ultra radikale, të cilët e kërcënojnë rëndë dhe atë në praninë e karabinierëve italianë dhe Policisë së Kosovës.

“Përveç disa rrethanave, kur bëhet fjalë për tubime nacionaliste në Beograd të cilat janë të ashpra, në raste të tjera nuk ka rrezik që të punosh në Serbi. Kurse në veri situata është më e pallogaritshme”, shton Seferi.

Si situatë të vështirë në Beograd, kujton kohën e protestave të dhunshme, kur është shpallur pavarësia e Kosovës, pastaj kur janë bërë arrestimet e të akuzuarve të Hagës, e deri së fundmi në aeroport, në pritje të kthimit të radikalit Vojisllav Sheshel.

Por, Idro Seferi nuk u ka shpëtuar as paragjykimeve të shqiptarëve nga Kosova, të atillë që e kanë quajtur “kopili serb”, por ky grup njerëzish, siç thotë ai, janë pakicë, sepse shumica e vlerësojnë për të mirë.

I lumtur për rrugën që ka zgjedhur

Seferi, sot, pos që është korrespodent i rregullt për “Top Channel”, punon edhe për televizionin zviceran SRF, në ndërkohë merret edhe me projekte të tjera. “Nëse do të kthehesha mbrapa, besoj se sërish do të nisesha për në Beograd dhe do të punoja shumë më fuqishëm sesa në fillim”, e përfundon rrëfimin e tij, gazetari Idro Seferi./zeri/

Më Shumë

LVV dështon për herë të dytë të zgjedhë Albulena Haxhiun kryeparlamentare

Me 57 vota për, 19 kundër dhe 3 abstenime, deputetja e zgjedhur Albulena Haxhiu ka dështuar edhe për të dytën herë të zgjidhet kryeparlamentare. “Propozimi...

Policia në Suharekë ka shtuar masat e kontrollit gjatë natës

Komandanti i Stacionit Policor në Suharekë, Afrim Sylaj në kuadër të takimit për koordinimin lokal të sigurisë ka njoftuar se zyrtarët policorë kanë shtuar...

Lajmet e Fundit