Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, ka mbajtur mbledhjen e gjashtë të rregullt, ku është trajtuar situata e sigurisë së përgjithshme në Komunën e Malishevës.
Nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj dhe nga organet tjera përgjegjëse për siguri, u vlerësua e qetë, stabile dhe pa tendencë të prishjes së kësaj situate.
“Vazhdojmë të mbetemi njëra komunave më të sigurta në vend dhe për këtë, i përgëzoj në rend të parë qytetarët dhe organet e sigurisë dhe uroj që të vazhdojmë të mbetemi një vend i sigurt”, tha Begaj.
Edhe komandanti i stacionit policor në Malishevë, kapiteni Halil Morina, e ka konsideruar të mirë situatën e sigurisë në Komunën e Malishevës.
“Ne si polici, jemi duke u munduar të bëjmë më të mirën të mundshme, në mënyrë që siguria të jetë në nivelin më të lartë. Për këtë qëllim, kemi hapur edhe një zyrë kontaktuese në Kijevë, në mënyrë që të jemi sa më afër me qytetarët”, tha Morina.
Në pas, duke folur edhe për aspekte tjera të sigurisë, nga ana e anëtarëve të KKSB-së, u paraqitën dy shqetësime. E para për prerjen ilegale të pyjeve dhe e dyta për gjuetinë.
Sa i përket prerjes së pyjeve, sikur në tërë vendin edhe në Malishevë, është e shprehur kjo dukuri. Sipas zyrtarëve nga drejtoria për bujqësi dhe pylltari, në Malishevë janë mbi 14 hektar me pyje, prej tyre mbi shtatë mijë hektar i takojnë sektorit shtetëror. Për mbrojtjen e këtyre pyjeve janë të angazhuar pesë roje pylli, mirëpo, prerja ilegale e pyjeve është evidente dhe nga ana e anëtarëve të KKSB-së, u rekomandua që të rritet bashkëpunimi mes rojeve të pyllit, inspektorëve, policisë dhe komunitetit, në mënyrë që të ndërpritet degradimi i pyjeve.
Një shqetësim tjetër i ngritur ishte edhe gjuetia pa kritere, pasi shumë gjuetarë nuk i respektojnë rregullat e gjuetisë.
Ndërsa nga ana e shoqatës së gjuetarëve, i kërkua që të jenë më bashkëpunues dhe më të angazhuar, si dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre dhe përgjegjësit e tyre, jo vetëm në gjuetinë e kafshëve të egra, por edhe për mbrojtjen e tyre. U tha se shumë kafshë të egra dhe shpezë, janë të rrezikuara nga gjuetia e egër, ndërsa në sezonin e vështirë të dimrit, kur kafshëve ju rrezikohet ekzistenca në mungesë të ushqimit, kjo shoqatë, e ka për obligim edhe sigurimin e ushqimit në rast se kafshët e egra kanë nevojë. /PrizrenPress.com