OKB si organizatë është më e dobët se kurrë që nga formimi i saj (në vitin 1945).
Askush nuk di, në instancat më të larta të shteteve më të fuqishme në Botë, se çka do të ndodhë tash e tutje në vatrat më të mëdha të krizës, të cilat fare lehtë mund të përhapen në të katër anët e Botës.
Gjeneratorë të kësaj krize, e cila për shumë njohës të rrethanave ndërkombëtare cilësohet si më e madhja që nga viti 1945 kur mori fund Lufta e Dytë Botërore, janë dy luftëra: Ajo në Ukrainë, që në shkurtin e vitit 2022 nisi me invazionin apo agresionin e forcave ruse, dhe kjo në Gaza, që filloi në tetorin e vitit të kaluar, pas sulmit terrorist të Hamasit në brendinë e Izraelit.
Qëllimi primar i SHBA-së dhe i Perëndimit në te dy rastet ka qenë që lufta të lokalizohet, të mos del jashtë shtratit të saj origjinal, të mos merr trajtën e një kërcënimi të madh për paqen në rajon dhe në Botë.
Natyrisht, në rastin e Ukrainës, caku kryesor i Washingtonit dhe Brukselit është që Ukraina të mos e humbë luftën nga Rusia, sepse kjo do të ketë pasoja të pariparueshme për Rendin evropian.
Siç dihet, çdo luftë nisë me qëllim të merr fund sipas synimeve të atij që ia krisë i pari, si thuhet.
Por nuk ka luftë që rrjedh dhe konkludohet siç ua merr mendja palëve ndërluftuese.
Luftës nuk i bëhet vonë shumë për planet e palëve që antagonizmat e vjetër politik dhe identitar, i kanë përkthyer në konflikte të armatosura.
Pastaj, çdo luftë ka dinamikën e vet të brendshme dhe atë ndërkombëtare, të cilat mund ta zhvendosin atë drejtimin kryesor të saj, kur nuk dihet më cila palë është më përgjegjëse apo më fajtore për një tragjedi që e sjell lufta.
Më në fund (por më kryesorja për nga rëndësia), një luftë duhet të përmbyllet me një Marrëveshje paqësore, e cila do të synojë ta kodifikojë si të përhershëm një rend të krijuar midis dy shteteve a dy popujve, apo edhe më gjërë, varësisht prej përmasave të asaj lufte.
Gjithashtu, në këtë kontekst, së bashku me Marrëveshjen e paqes, duhet të ndodhë kthimi i refugjatëve të luftës, rindërtimi i vendit, mëkëmbja ekonomike, duke mos harruar këtu edhe organizimin politik të atij vendi, sepse me gjasë, ai i vjetri mund të pësojë dëme të pariparueshme.
Nëse kjo dije e brezave të tërë është para se të gjithash reflektim i një përvoje të madhe (dhe tragjike, duhet shtuar) të njerëzimit, dhe nëse synohet që kjo dije disi të aplikohet në rrethanat e njohura për të gjithë në Ukrainë dhe në Gaza, atëherë lehtë mund të konkludohet që është të thuash e pamundur që të pajisesh me shpresë politike që në një të ardhme të afërt, madje edhe afatmesme, mund të arrihet një paqe e njëmendtë në Ukrainë, në mes të Rusisë dhe Ukrainës, dhe në Gaza, në mes të Izraelit dhe Palestinës.
Në të vërtetë, nëse këto dy raste shikohen nga perspektiva e sotme, me gjithë këtë rrëmujën e përgjakshme që mbretëron si në Ukrainë ashtu edhe në Gaza, edhe pa këtë mundësinë reale që të nisë konfrontimi direkt në mes të Izraelit dhe Iranit (në vijim të ngjarjeve të njohura për të gjithë), i cili pastaj do t’i përkeqësonte në mënyrë dramatike zhvillimet në Lindjen e Mesme, vrojtuesit objektiv të këtyre dy shembujve, do të mund të thonin që si Ukraina ashtu edhe Gaza duken si raste të pandreqshme, të cilat edhe dhjetëra vjet të tjerë do të gjenerojnë tensione dhe probleme të mëdha, sepse në ndërkohë, nuk ka aspak gjasa që palët ndërluftuese të dakordohen për çkadoqoftë, pos eventualisht për armëpushim, i cili në atë variantin më të mirë, do të merr trajtën e një ‘konflikti të ngrirë’.
Kjo është gjendja reale në te dy këto fronte të luftës, dhe e tëra mund të përshkruhet me një fjali të zgjeruar (siç u bë tashmë), apo, edhe me një bibliotekë të tërë librash./Klan Kosova/