17.8 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025

Gjykata e Apelit shqyrton ankesat e palëve për rastin e sulmit ndaj Konsullatës turke në Prizren

Ankesa e Prokurorisë Themelore në Prizren si dhe ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve për sulmin ndaj Konsullatës Turke në Prizren, të ushtruara kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, ishin objekt shqyrtimi në seancën e së martës në Gjykatën e Apelit.

Gjykata Themelore në Prizren, në nëntor të vitit të kaluar,  Ilirjan, Egzon, Bledjan, Edon Saramatin, si dhe Bjeshkan Badallajn, i kishte shpallur fajtorë për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Për këtë vepër, secilit të akuzuarit, gjykata e shkallës së parë u kishte shqiptuar nga një vit burgim efektiv.

Të akuzuarve, brenda dënimit prej një viti burgim, siç kishte vendosur gjykata, do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak prej 28 nëntorit 2016, deri më 27 gusht 2017.

Po ashtu, shkalla e parë kishte vendosur që të konfiskohet vetura me të cilën të akuzuarit kanë kryer veprën penale dhe secilin prej të akuzuarve i ka ngarkuar me shpenzimet procedurale prej 200 euro.

Kurse, të gjithë të akuzuarit ishin liruar nga akuzat për rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare.

E pakënaqur me vendimin e gjykatës së shkallës së parë ka mbetur Prokuroria Themelore në Prizren, e cila me ankesë i është drejtuar gjykatës së shkallës së dytë.

Sipas prokurorisë, dispozitivi i aktgjykimit të shkallës së parë, për sa i përket pjesës liruese është kundërthënës dhe në kundërshtim me provat, pasi siç pretendon prokuroria, nga provat e administruara është vërtetuar pa mëdyshje se të akuzuarit kanë sulmuar objektin e konsullatës turke në Prizren.

Kurse dënimet e shqiptuara ndaj të akuzuarve  për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, prokuroria i ka quajtur si dënime shumë të buta.

Andaj, për këto arsye, prokuroria i ka propozuar Apelit që sa i përket pjesës ku të akuzuarit janë liruar nga akuzat për rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, çështjen ta kthej në rigjykim apo që të akuzuarit t’i shpallë fajtor edhe për këtë vepër.

Ndërsa, sa i përket pjesës dënuese, prokuroria i ka propozuar Apelit që ndaj të akuzuarve të shqipton dënim më të larta.

Kërkesat e prokurorisë i mbështeti edhe avokati Skënder Morina si përfaqësues i palës së dëmtuar, në këtë rast, konsullatës turke.

Morina tha se shkalla e parë i ka interpretuar gabimisht provat e këtij rasti, pasi sipas Morinës, të akuzuarit qëllimisht dhe me dashje kanë sulmuar objektin e konsullatës.

“Njëri nga të akuzuarit në deklaratën e tij të parë, dhënë në polici, ka treguar se atyre ju ka penguar flamuri turk. Asgjë në këtë sulm nuk ka qenë rastësi”, deklaroi avokati Morina.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Ilirjan Saramati, avokati Rexhep Kabashi, në ankesën e tij drejtuar Gjykatës së Apelit, ka theksuar se sa i përket të mbrojturit të tij, nuk ka asnjë element të veprës penale.

Përjashtimisht, siç thotë avokati, tek i mbrojturi i tij mund të kemi manifestim të veprës penale të asgjësimit të pasurisë.

Për këto arsye, avokati i ka propozuar kolegjit të Apelit që çështjen ta kthej në rigjykim, apo që të mbrojturin e tij ta lirojë nga akuzat.

Lirimin nga akuza të të mbrojturit të tij, Bledion Saramati, e kërkoi edhe mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi.

Sipas ankesës së mbrojtjes, nuk ka fakte që inkriminojnë Bledionin dhe se asnjë i akuzuar tjetër nuk ka thënë se Bledionin ka bërë roje në ditën kritike.

Gashi po ashtu i propozoi kolegjit të Apelit që ta refuzoj ankesën e bërë nga ana e prokurorisë.

Dënim më të butë për të mbrojturin e tij, Egzon Saramatin, kërkoi nga Apelit, mbrojtësi Ruzhdi Berisha.

Sipas Berishës, të dy veprat penale për të cilat akuzohet i mbrojturi i tij, kryhen vetëm me dashje, e që në rastin konkret sipas mbrojtjes, dashja nuk ka ekzistuar.

“Edhe në polici edhe në prokurori, i mbrojturi im dhe të gjithë të akuzuarit kanë deklaruar se nuk e kanë ditur se objekti në fjalë është konsullata turke. Po ashtu, edhe kokteji i molotovit i cili është hedhur ka përfunduar në një saksi të luleve aty afër e jo në objekt. Nuk qëndron ajo që thuhet në aktgjykim se në objektin e konsullatës ka pas zjarr. Kjo vërtetohet edhe nga video incizimet por edhe nga dëshmitari i cili ka qenë në ditën kritike roje i konsullatës”,  tha në fjalën e tij, avokati Berisha.

Fakti se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë për veprën penale të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, avokati Berisha e quajti si një rrethanë lehtësuese që duhet marr parasysh nga Apeli pasi si i tillë nuk ishte konsideruar nga gjykata e shkallës së parë.

Edhe përkundër faktit se nuk kishin parashtruar ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, prezent në seancën e Apelit ishin edhe avokatët Esat Gutaj e Hajrip Krasniqi, mbrojtës të Edon Saramatit përkatësisht të Bjeshkan Badallaj.

Në fjalën e tyre para kolegjit të Apelit, të dy avokatët propozuan që ankesa e prokurorisë të refuzohet si e pabazuar.

“Që në fillim i mbrojturi i im ka pranuar fajësinë. I njëjti është penduar dhe ka kërkuar falje nga konsullata, andaj propozojë që ankesa e prokurorisë të refuzohet dhe aktgjykimi të vërtetohet”, tha në fjalën e tij avokati Gutaj.

Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilirijan, Egzon, Bledjan e Edon Saramatit dhe Bjeshkan Badallajt, me të cilën i akuzonte se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzës në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët e hershme të mëngjesit, me automjet “PikUp”, pasi kanë marrë benzinë në një nga pompat e benzinës, i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me koktej molotovi.

Aktakuza përshkruan se si i akuzuari Edon Saramati ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth  konsullatës, ndërsa Ilirjan Saramati dhe Bjeshkan Badallaj, kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.

Organi i akuzës pretendonte se të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

Mundësitë e granteve nga KIESA prezantohen para anëtarëve të shoqatës “Esnaf” në Prizren

Mundësitë e granteve që ofrohen nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) janë prezantuar para anëtarëve të shoqatës së biznesmenëve...

Kryeziu: Presidentja Osmani mund të shpëtojë Kosovën nga kriza

Ditën e djeshme e para e vendit, Vjosa Osmani ka shprehur gatishmëri për një takim bashkë më liderët e partive politike. E lidhur me këtë...

Lajmet e Fundit