Gjykata e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit ndaj inspektorit të ndërtimtarisë të Komunës së Prizrenit, Bashkim Krasniqi, në seancën e mbajtur më 09.10.2024.
Prokuroria për të pandehurin Krasniqi dyshon ta ketë kryer veprën penale – keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar dhe kishte kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Kërkesë që është miratuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Teuta Krusha.
Në vendim thuhet se “duke marrë parasysh peshën e rëndë të veprës penale, mënyrën në të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale, dhe karakteristikat personale të të pandehurit, faktin se është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë për vepër të njëjtë penale (keqpërdorim i pozitës apo autoriteti zyrtar), Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm”.
Ndërsa, në seancë, prokurorja Ervehe Gashi lidhur me dyshimin për të pandehurin tha se më 09.09.2024, në fshatin Landovicë, pikërisht në dy ngastra kadastrale në Landovicë, Bashkim Krasniqi në cilësinë e personit zyrtar – inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare dhe me qëllim të përfitimit të ndonjë dobie për personin tjetër – investitorin e objektit në atë mënyrë që gjatë ekzekutimit të urdhrit të ekzekutimit të datës 12.08.2024, të lëshuar nga Drejtoria e Inspektorateve të Ndërtimtarisë të Komunës së Prizrenit, i cili ishte nxjerrë nga i pandehuri në cilësinë e inspektorit përgjegjës të ndërtimtarisë, nuk i përmbush detyrat e caktuara me këtë urdhër ekzekutimi.
Me këtë urdhër, sipas Prokurorisë, lejohej ekzekutimi i aktvendimit të plotfuqishëm dhe të ekzekutueshëm të Inspektoratit të Ndërtimtarisë të datës 06.03.2024, ku është përcaktuar të zbatohet ekzekutimi i detyrueshëm të objektit Ranch për kalërim në tejkalimin e të gjitha punimeve të kryera jashtë lejes ndërtimore në dy parcelat kadastrale.
Kështu, thuhet tutje në dosjen e Prokurorisë, i pandehuri në tërësi nuk e kryen rrënimin e objektit, duke rrënuar vetëm një pjesë të objektit të ndërtuar pa leje, të cilat nga investitori ishin shënuar me numrin 17, 18, 19 dhe 20, ndërsa pjesën tjetër të ndërtuar pa leje, të shënuar me VIP1, VIP2, 10, 11, 14, 15, dhe objektin për pagesë, nuk i rrënon, ashtu siç e parasheh rrënimin dispozita e nenit 3, paragrafi 1, pika 1.13 e Ligjit për ndërtim.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, në procesverbalin për inspektimin e kryer të Drejtorisë së Inspektorateve, në kundërshtim me gjendjen faktike, konstaton se më 09.09.2024 është bërë rrënimi i tërësishëm i objektit për të cilin nuk posedon leje, ndërsa në pjesën ku ka tejkalim nga leja ndërtimore është bërë demolimi i kulmit, ku është bërë e pamundshme shfrytëzimi i hapësirës në atë pjesë, me ç’rast me veprimet e tij i shkakton dobi pasurore investitorit në vlerën e objekteve të parrënuara.
Përjetoni pushime të paharruar dhe dasma magjike në Hotel “Albes Residence”
Kështu, prokurorja në fjalë potencoi që nga Gjykata kërkon caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin Krasniqi.
Ndërsa mbrojtësi i të pandehurit Bashkim Krasniqi, avokati Blerim Mazreku, e kundërshtoi kërkesën e Prokurorisë së Prizrenit.
Ndër të tjera avokati tha se nuk është plotësuar kushti ligjor i paraprarë në nenin 184, paragrafi 1, pika 1.1, sepse nuk ekziston dyshimi i bazuar se i mbrojturi ka kryer vepër penale. “Kjo për faktin se, siç dëgjuat Prokurorinë, nuk ka asnjë pretendim se i mbrojturi ka çfarëdo raporti familjar, biznesor, shoqëror ose monetar me investitorin. Pra, shtrohet pyetja pse do të duhej Bashkim Krasniqi të kishte qëllim të favorizonte investitorin? A ekziston vepra penale – keqpërdorimi i detyrës zyrtare në mungesë të çfarëdo lloj prove në këtë drejtim?”.
“E njoftoj Gjykatën dhe Prokurorinë se në këtë çështje investitori ka paraqitur edhe një kërkesë që, vullnetarisht, t’i rrënojë, me qëllim që të mos i shkaktohen dëme dhe procedura e rrënimit për këto pjesë t’i kushtojë sa më lirë, e që është edhe ligjore dhe humane. Kjo kërkesë është paraqitur para se të ftohej Bashkim Krasniqi që të paraqitej në zyrën e Policisë, e madje edhe para se të fillohet me rrënim e kjo është data 04.09.2024” – deklaroi avokati Mazreku./Kallxo.com/