17.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Gjykata refuzoi marrëveshjen e pranimit të fajësisë për sulmuesin e Stacionit Policor në Prizren

sheki_562774Sulmuesit të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, Shefqet Hallaqi, tënjohur me nofkën “Sheki”, iu refuzua marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur mes mbrojtjes dhe Prokurorisë së Shtetit. Gjykatësja e Krimeve të Rënda, Ajser Skenderi, e refuzoi marrëveshjen për shkak se dënimi i propozuar sipas kësaj marrëveshjeje është shumë i butë.

“Unë juve do t’ju jap një afat shtesë për korrigjimin e marrëveshjes. Sa u përket vendimeve mbi dënimin, unë nuk jam e kënaqur me dënimet e propozuara nga Prokuroria, për atë arsye do t’ju jap një afat shtesë, dhe nëse në afatin ligjor nuk e revidoni marrëveshjen tuaj, do të konsideroj se marrëveshja nuk është arritur dhe do të lëshohemi në shqyrtim gjyqësor”, tha gjyqtarja Skenderi.

Pas refuzimit nga gjykata, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Naim Qelaj, hoqi dorë nga marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe u pajtua që të shkohet në shqyrtim gjyqësor.

Pas leximit të aktakuzës, i akuzuari Shefqet Hallaqi pranoi fajësinë për dy vepra penale, ndërsa për dy të tjera u deklarua i pafajshëm.

Hallaqi nuk pranoi fajësinë për veprat penale “përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”.

Avokati Naim Qelaj propozoi që për dy veprat penale për të cilat klienti i tij nuk ka pranuar fajësinë, të shkohet në shqyrtim kryesor, ndërsa deklaroi se heq dorë nga shqyrtimi i dytë dhe propozoi që të shkohet drejt në shqyrtim kryesor.

“Duke e marrë parasysh faktin se tash do të shkohet në seancën e dytë, ndërsa kundërshtimet që unë do t’ i paraqes kanë të bëjnë vetëm me dy pika të aktakuzës dhe këto kundërshtime do të vërtetohen vetëm me administrim të provave, unë kisha heq dorë nga seanca e dytë”, tha avokati Qelaj.

Avokati po ashtu i propozoi gjykatës që t’i ndërpritet paraburgimi të akuzuarit Shefqet Hallaqi dhe kjo masë të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Prokurori i Shtetit, Genc Nixha, u pajtua me këtë propozim të mbrojtjes.

Ndërsa gjykatësja Ajser Skenderi, mori vendim me të cilin e refuzoi propozimin për zëvendësimin e masës së paraburgimit.

Seanca e shqyrtimit kryesor, do të mbahet më 04 mars 2015.

Shefqet Hallaqi (34 vjeçar), akuzohet nga Prokuroria Themelore e Prizrenit për kryerjen e katër veprave penale: shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm, mbajtje në pronësi, në kontroll, ose në posedim të paautorizuar të armëve dhe asgjësim apo dëmtimi i pasurisë.

Shefqet Hallaqi i njohur me nofkën “Sheki”, akuzohet se më 24 tetor 2014 rreth orës 06:15 minuta në Stacionin Policor “Alfa” në Prizren, shkaktoi rrezik të madh për jetën e njerëzve.

“I pajisur me një pushkë automatike “Type 56” e kalibrit 7.62×39 mm, zbret nga auto-taksi hyn në brendësi të stacionit policor duke bërtitur “ku është ai”, e shkelmon derën e radiolidhjeve të stacionit policor, përsëri pyet “ku është ai”, drejtohet në drejtim të zyrës së deskut dhe me pushkë automatike shkrep në mënyrë të pakontrolluar një rafal duke gjuajtur pesë fishekë,” thuhet në aktakuzë.

Nga goditjet e rafalit, shkakton rrezik të madh për jetën e të dëmtuarve Shenoll Nesha, Sheqere Kastrati, Tafil Gashi, Ahir Memishi, Idaim Maliqaj dhe Hysen Ajgeraj, që të gjithë zyrtarë policorë të Stacionit Policor “Alfa” në Prizren, thuhet në pikën e parë të aktakuzës.

Me këto veprime ngarkohet nga prokuroria se ka kryer veprën penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm, për të cilën vepër Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim prej 6 muajve deri në 5 vjet burg.

Ndërsa pika 2 e aktakuzës e ngarkon Hallaqin se në po të njëjtën ditë në momentin kur hyn në oborrin e stacionit policor, i drejton armën automatike të dëmtuarës Suzana Xhemajli “dhe i drejtohet me fjalët “ta qi…, mos livrit se të vras” , me c’rast te e dëmtuara shkakton frikë të madhe,” thuhet në aktakuzë.

Me këto veprime ka kryer veprën penale përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm për të cilën vepër Kodi Penal parasheh dënim me gjobë deri në 10 mijë euro dhe burg prej 1 deri në 10 vjet.

Ndërsa pika 3 e aktakuzës e ngarkon të akuzuarin se në shtëpinë e tij familjare ka mbajtur armën automatike “Type 56”, bashkë me 49 fishekë të dizajnuar për llojet e pushkëve automatike “AK-47”.

Kjo pikë e aktakuzës e ngarkon me veprën penale mbajtje në pronësi, në kontroll ose në posedim të paautorizuar të armëve” për të cilën vepër kodi penal parasheh dënim me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro, ose burgim deri në 5 vjet.

Ndërsa pika 4 dhe e fundit e aktakuzës e ngarkon Hallaqin, se në Sheshin “Shatërvan” dëmtoi dhe e bëri të papërdorshme një kabinë publike të telefonit, pronë e PTK-së.

“E godet disa herë me grushta dhe me shqelma dhe me këtë rast shkakton dëm PTK-së mbi 5 mijë euro,” përfundon aktakuza.

Me këto veprime, Hallaqi ka kryer veprën penale asgjësim apo dëmtimi i pasurisë për të cilën vepër Kodi Penal ka paraparë dënim prej 1 deri në 3 vjet burg.

Për të gjitha këto vepra penale, parashihen dënime mjaft të larta, por të akuzuarit Shefqet Hallaqi me marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, i është shqiptuar dënim unik me 2 vjet burg dhe 3 mijë euro gjobë./Kallxo.com/

Më Shumë

Deputetja Duda Balje i përgjigjet Kurtit: Jam kundër, nuk e ndryshoj qëndrimin tim rreth Kodit Civil

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje dhe njëherit kryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe...

Ambasada britanike në Beograd e informuar për arrestimin e Sadik Durakut

Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd është e informuar për arrestimin në Serbi të shtetasit të saj Sadik Duraku, me origjinë nga Kosova. Siç...

Lajmet e Fundit