4.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

Gjykimi ndaj zyrtarit të QRA në Malishevë, dëshmitari thotë se kishte raste kur s’kishte rrjet dhe punët e klientëve janë kryer pa pagesë të taksës

Në seancën e së hënës, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dëshmitari Ali Sahiti tha se ka pasur raste kur nuk kishte internet në Komunë, ka shkuar në Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve (QRA), për t’iu kryer punë klientëve dhe se këtë e ka bërë me raste, pa pagesë të taksës, të cilën e kishte lejuar i akuzuari Besart Gashi.

Gashi po ngarkohet se në cilësinë e zyrtarit të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve (QRA) në Malishevë, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 euro Komunës së Malishevës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Sahiti tha se ka pasur raste kur ka shkuar vetë në komunë për të kryer pagesat e taksës dhe me raste ka shkuar edhe te i akuzuari Besart, e kur nuk ka pasur rrjet në Komunë ka shkuar në QRA për t’i kryer punë më shpejtë klientëve dhe se këtë e ka bërë me raste pa pagesë të taksës.

“Besarti i ka lejuar, ne ia kemi dërguar dokumentet dhe i njëjti ka vazhduar procedurën e regjistrimit pa taksë. Nga Besarti, nuk kemi pranuar fletëpagesë të taksës komunale për automjetin e regjistruar”, tha dëshmitari Sahiti.

Paraprakisht, u dëgjua dëshmitari Mujë Sahitaj, përfaqësues i të dëmtuarës Komuna e Malishevës, i cili duke u përgjigjur në pyetje të prokurores Dëshirë Jusaj, ka deklaruar se për rastin që është ftuar të dëshmojë nuk ka pasur njohuri, deri në ditën kur është ftuar të deklarojë në Prokurori.

“Nuk kam pasur njohuri deri në momentin që kam dhënë deklaratë në Prokurori. Më duhet të theksoj se as auditimi i brendshëm dhe as auditimi i jashtëm gjeneral, i cili bëhet për çdo vit nuk kanë pasur të gjetura për këtë pjesë, e as që na kanë rekomanduar diçka, pasi auditorët janë ata që i përcjellin hyrjet dhe daljet financiare”, tha Sahitaj.

Tutje, dëshmitari deklaroi se pasi që ka kuptuar për rastin, e ka pyetur të akuzuarin Gashi, ku i njëjti i kishte thënë se procesi për regjistrim të automjetit fillon kur komuna e lëshon fletëpagesën, duke theksuar se taksa prej 10 euro e ka një kod të veçantë dhe se kjo taksë krijon të hyra vetanake që shkojnë në buxhetin e komunës.

Më pas, u dëgjua dëshmitari Shkëlqim Shasivari, i cili tha se pasi e kishte blerë veturën në Malishevë, kishte shkuar te QRA në Malishevë për ta marrë transferin, me qëllim që të njëjtën ta regjistrojë në Prishtinë dhe se nuk ka pasur probleme me të, për aq kohë sa e kishte në posedim.

Pasi veturën e kishte shitur, Shasivari tha se blerësi i saj kishte shkuar në QRA në Prishtinë për ta marrë transferin për në QRA në Drenas dhe atëherë e kishte njoftuar se ka pasur problem sa i përket xhamave të errësuar.

Në këtë seancë u dëgjua edhe dëshmitari Zaim Kadiri, i cili tha se pala e cila dëshiron që të regjistrojë automjetin, është e obliguar që të shkojë në Komunë, ta paguajë taksën dhe të kthehet në Qendrën për Regjistrim të Automjeteve (QRA) dhe se nuk është e lejuar që zyrtari i  saj të bëjë pagesë për taksë.

I pyetur nga prokurorja Jusaj në lidhje me veturën “VW Polo” se a ka pasur njohuri për librezën e qarkullimit e cila është ndryshuar për nga numri, dëshmitari tha se nuk i kujtohet ngase ka pasur shumë gabime.

“Nuk më kujtohet se ndryshimet kanë qenë të njëpasnjëshme të plota, sepse aty ka pasur gabime enorme më tepër se sa është dashur të jenë, ka qenë fluks i lartë dhe gabime të ndryshme, me të cilët unë kam qenë i vetmi që kam pasur mundësi t’i korrigjoj”, tha Kadiri.

Në lidhje me atë se a është vepruar sipas detyrës zyrtare me automjetin, dëshmitari Kadiri tha se nuk e di se si ka shkuar rrjedha, por që e ka parë që libreza ka qenë e vulosur, por që nuk ka pasur nënshkrim.

Në fund, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Ilir Rashkaj, seancën e radhës e ka caktuar për 31 mars 2023, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët tjerë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, nga 22 gushti 2017 e deri më 15 dhjetor 2020, duke qenë në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, me dashje, në mënyrë të kundërligjshme, dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e organit ku punon nuk përmbush detyrat e tij duke bërë shkeljen e udhëzimit administrativ Nr.01/2018 dhe 07/2019, saktësisht neneve 6 dhe 7.

Sipas aktakuzës, në procedurën e regjistrimit të automjeteve për gjithsej 623 raste të regjistruara janë hasur parregullsi dhe shkelje ligjore, e që prej tyre 570 raste kanë rezultuar të jenë pa pagesë të taksës komunale, 43 raste të tjera janë hasur në parregullsi në kompletimin e dokumentacionit për patentë shofer dhe letërnjoftime, 5 raste të tjera me afat të skaduar të kontrollës teknike, 4 raste të tjera janë me regjistrime të reja e që në dokumentacion ka munguar libreza e vendit të origjinës së veturës, të cilat në tërësi janë të evidentuara tek pjesa e arsyetimit, me ç’rast Komunës së Malishevës i ka shkaktuar dëm në shumën prej 5 mijë e 700 euro.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, ai po akuzohet edhe se më 19 maj 2017, në QRA në Malishevë, në cilësi të personit zyrtar ka përpiluar dokument të falsifikuar me qëllim të shfrytëzimit të tij.

Sipas aktakuzës, në librezën e veturës “Polo VW”, në rubrikën e vërejtjes kishte shënuar se vetura posedonte xhama të errësuara, ku nga libreza e kësaj veture e cila ishte importuar nga Zvicra, me pronar Gezim Mazreku, dhe në dokumentet e QAK rezulton se vetura nuk i posedonte xhamat e pasme të errësuara, ndërsa në automjetin me numër të shasisë …591 i është bërë evidentimi në sistemin elektronik të automjeteve në rubrikën vërejtje, kinse automjeti posedon xhama të pasme të errësuara nga prodhuesi, për çka rezulton nga kopja e dokumentit  të CRA-së me nr.085013 dhe të pronarit tjetër të CRA-së 1002180.

Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” nga neni 398 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal./BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot: I vranët e me shi, rikthehet pluhuri saharian

Këtë të martë në Kosovë pritet të mbajë mot me vranësira të shpeshta dhe me intervale të shkurtra me diell, ku pasdite dhe në...

Arrestohet një person në Prizren, dyshohet për dhunë në familje

Është arrestuar një person në Prizren. Ai akuzohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj anëtarëve të familjes së tij dhe gjithashtu ka dëmtuar dhe demoluar...

Lajmet e Fundit