11.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Gjykimi për keqpërdorime lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur/Dëmi shkaktuar është rreth 65 mijë euro

Në gjykimin ndaj Almir Saiti, Muhamet Bajrami, Drenusha Behluli Mehmeti dhe Hatixhe Përzhella, të cilët po akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar lidhur me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur, të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren është deklaruar eksperti i ndërtimtarisë Mustafa Gjurgjealo.

Sipas ekspertizës së punuar nga eksperti Mustafa Gjurgjealo, dëmi llogaritet nga punët e papunuara duke përfshirë mangësitë dhe kualitetin e punës, raporton, “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjet parashtruara nga mbrojtësi i të akuzuarit Muhamet Bajrami, avokat Rexhep Kabashi, eksperti i ndërtimtarisë Mustafa Gjurgjealo deklaruar se aktvendimin  e datës 7 qershor 2018 për kryerjen e eskpertizës e kishte marrë nga prokurori Genc Nixha, me të cilën është caktuar të kryej ekspertizën që ka të bëjë me ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur.

Tutje, ai ka deklaruar se gjatë përpunimit të ekspertizës në vendin e ngjarjes ka qenë me ekspertin e financiarit Hamdi Kastratin, dhe kryerësin e punimeve Mehdi Elshani, por që i njëjti nuk ka qenë prezent gjatë gjithë kohës sa janë kryer punimet.

Eksperti i ndërtimtarisë, Gjurgjealo po ashtu ka deklaruar se për punimet shtesë në ekspertizën të cilën e ka dorëzuar, e ka ndihmuar kolegu i tij, i akuzuari Muhamet Bajrami, me të cilën ai i ka treguar se cilat punime janë kryer në fazën së dytë prej fazës së parë të ndërtimeve.

Në pyetjen e avokatit Kabashi se cili është dëmi i vërtet sipas ekspertizës së përgatitur nga eksperti Gjurgjealo, ai deklaroi se vlera e dëmit kap shumën prej 64.864.90 euro.

Pas kësaj, pyetjet ndaj ekspertit Gjurgjealo ka vazhduar mbrojtësi i të akuzuarës Hatixhe Përzhella, avokat Rexhep Hasani, ku eksperti Gjurgjealo ka deklaruar se pasi që Komuna e Prizrenit ka caktuar komisionin për pranimin teknik të objektit, anëtarët e komisionit kanë kërkuar një inxhinier me përvojë për të bërë pranimin teknik të objektit dhe të njëjtit është dashur të thërrasin operatorin ekonomik, në mënyrë që të evitojnë mangësitë e kryerjes së punimeve.

Ai më tutje ka deklaruar se punimet e firmës “Er Kotori”, punimet e papunuara kapin shumën prej 2.266,65 euro, kurse punimet e pakryera të ofertës së dytë kap shumën prej 5.581,52 euro si dhe shumën prej 300 euro që gjithsej kapin shumën prej 7.748,17 euro, dhe kjo shumë sipas ekspertit është paguar përkundër faktit që nuk janë kryer punimet.

Eksperti Gjurgjealo, në deklaratën e tij ka shtuar se objekti i ndërtuar ka shumë gabime gjatë ndërtimit që nuk kanë punuar sipas projektit të arkitekturës, sipas tij llogarisë statike i duhet një inxhinier i eskpertit të ndërtimtarisë të bënë projektin e sanimit të objektit.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 26 maj 2022.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 16 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Almir Saitit, Refki Muzbegut, Muhamet Bajramit, Hatixhe Përzhellës dhe Drenusha Behluli-Mehmetit për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës, Almir Saiti akuzohet se gjatë periudhës 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i caktuar si menaxher-drejtor i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Saiti edhe pse është vërtetuar se pozicionet nuk janë punuar si duhet ashtu siç kanë qenë të parapara sipas kontratës edhe për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” nga fshati Metvec, Komuna e Prizrenit, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Refki Muzbegu akuzohej se gjatë periudhës 22 tetor 2009 e deri më 30 qershor 2011, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e parë ka qenë i përcaktuar operatori ekonomik “Alkom-Konstruksin” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në gjashtë raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 324 mijë e 623 euro e 82 centë, të përshkruara më hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Në aktakuzë thuhet se edhe pse është vërtetuar se punimet nuk ishin kryer si duhet dhe siç kanë qenë të parapara sipas kontratës dhe për faktin se pranimi teknik për këtë objekt nuk është bërë  deri me datën e dorëzimit të ekspertizës më 1 mars 2019, i njëjti ka lejuar pagesat.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Muhamet Bajrami akuzohet se gjatë periudhës 24 dhjetor 2010 e deri më 22 tetor 2015, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit.

Ai akuzohet se si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e dytë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Elshani” punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në 15 raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 573 mijë e 154 euro e 90 centë, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati

Kurse, Hatixhe Përzhella akuzohet se prej periudhës dhjetor 2013 e deri më 27 maj 2014, duke mos i përmbush detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Shërbime Publike në bashkëpunim me Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport, si organ mbikëqyrës i projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “Kosova Erh-Kotori” nga Prizreni, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në tre raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 67 mijë e 633 euro, të përshkruara hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Sipas prokurorisë për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe Drenusha Behluli-Mehmeti, ku ajo akuzohet se prej periudhës 3 nëntor 2017 e deri më 12 dhjetor 2017, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për veten apo për tjetrin, i shkakton dëm buxhetit të Komunës së Prizrenit, ku si person i caktuar nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport, për mbikëqyrjen e projektit për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur, ku për fazën e tretë për të cilën ka qenë i kontraktuar operatori ekonomik “NNT TONI” nga Malisheva, punime të cilat nuk janë kryer sipas pozicioneve të paracaktuar, pa mbajtur librin ndërtimor dhe pa pranimin e punimeve për punët e zbatuara, ka lejuar ekzekutimin e pagesave duke nënshkruar procesverbalet për lejimin e kryerjes së pagesave në dy raste për këtë kompani, në shumë të përgjithshme prej 64 mijë e 609 euro e 23 centë, të përshkruar hollësisht sikurse në ekspertizën financiare të ekspertit financiar Hamid Kastrati.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragraf 1 të KPRK-së.

Ndërsa, i akuzuari Refki Muzbeg është liruar nga akuzat për shkak të parashkrimit absolut të veprës penale. /BetimipërDrejtësi 

Më Shumë

Moti sot me vranësira dhe intervale me diell

Për të mërkurën parashikohet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell, ku ndonjë rajon mund të ketë reshje të izoluara shiu. Në orët...

Totaj: Amerikanët janë lodhur me Albin Kurtin

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, deklaroi se amerikanët janë lodhur nga qasja e Qeverisë Kurti dhe se durimi i tyre po përfundon. “Duhet...

Lajmet e Fundit