13.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Gjykimi për vrasjen mizore në Suharekë, dy zyrtarë policorë thonë se një DVD-recorder u gjet gjatë kontrollit në market

Në Gjykatën Themelore në Prizren, të hënën, dëshmitarët Fatmir Bacaliu dhe Besim Rexhepi, që të dy zyrtarë policorë, kanë dhënë dëshmitë e tyre në rastin ku Murat Ademi, Reshat Ademi, Resmije Bytyqi dhe Fadil Fetiu, po akuzohen për vrasjen në mënyrë mizore të A.B nga Suhareka. Dëshmitarët thanë se një DVD-recorder ishte gjetur gjatë kontrollit në market “Bunari”.

Në këtë rast, Murat dhe Reshat Ademi, po akuzohen se më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes, ndërsa Fadil Fetiu për veprën penale të ndihmës në kryerjen e vrasjes së rëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Bacaliu, fillimsht tha se qëndron në tërësi pranë deklaratës që kishte dhënë në shqyrtimin e 21 janarit 2021, ndërsa tha se nuk ka qenë hetues i rastit, por ka udhëhequr Njësinë për Hetime të Përgjithshme.

Bacaliu tha se nuk e di saktë numrin e CD-ve të dorëzuara si prova pranë Prokurorisë Themelore në Prizren.

Ai ka pohuar se nga Rahime Kryeziu, më 27 janar 2017 është dorëzuar në Prokurori si provë, video-recorderi digjital me model 8116V.

I pyetur rreth çështjes se a është bërë ekzaminimi i provës së lartcekur nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë (AKF), Bacaliu ka thënë se me siguri është kryer ndonjë ekzaminim i kësaj prove.

“Nuk po më kujtohet, por po e vërej se ka përfunduar në Prokurori, me siguri është kryer ndonjë ekzaminim i kësaj prove”, ka thënë Bacaliu.

Tutje, dëshmitari ka treguar se me Agim Fetiun nuk ka asnjë raport, por të njëjtin e njeh vetëm si emër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Murat Ademi, avokati Florin Vërtopi e pyeti se a i është dorëzuar ndonjë raport nga hetuesi se atë ditë ka ardhur në vendin e ngjarjes i akuzuari Fetiu i paftuar, Bacaliu ka mohuar një gjë të tillë.

Ai ka shtuar se të gjitha informacionet dhe dëshmitë e siguruara dorëzohen tek hetuesi i rastit.

Dëshmitari Bacaliu ka treguar se nuk ka qenë prezent më 27 dhjetor 2016, kur është gjetur trupi i të ndjerit A.B në vendin Oraqa, në fshatin Studençan të Suharekës. Ai ka treguar se prova DVD recorder është gjetur në bodrumin e marketit “Bunari”.

Po ashtu, në këtë seancë është deklaruar edhe dëshmitari Besim Rexhepi, i cili ka thënë qëndron në tërësi pranë deklaratës që kishte dhënë më 29 tetor 2020.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Fetiu, avokati Sefer Morina, nëse janë aplikuar masat e përgjimit edhe ndaj të akuzuarit Reshat Ademi përveç ndaj të akuzuarit Fetiu, Rexhepi ka thënë se të gjitha masat e aplikuara në këtë rast janë të transkriptuara dhe janë dërguar në Prokurori.

Kurse, i akuzuari Fetiu ka pyetur dëshmitarin Rexhepi se a është në dijeni se kanë bashkëpunuar së bashku dhe se janë takuar katër herë, i njëjti ka thënë se për këto pyetje është përgjigjur në deklaratën e mëhershme.

Tutje, dëshmitari Rexhepi ka treguar se e njeh oficerin Agim Fetiu, por nuk e di se çfarë lidhje familjare ka me të akuzuarin Fetiu.

Ndër të tjera, ai ka treguar se nuk i kujtohet se çfarë prova janë siguruar me rastin e këqyrjes së vendit të ngjarjes në shtëpinë e të akuzuarit Fetiu. Sipas tij, gjatë kontrollit të market “Bunari” është gjetur një recorder, i cili është sekuestruar nga oficerët e forenzikës.

Pas kësaj, prokurori Genc Nixha ka thënë se DVR, modeli 8116V, në sektorin për fotografi, video-analizë dhe ekzaminim të së njëjtit, është parë që nuk është përputhur me vitin, datën dhe kohën reale.

Nixha tha se video-incizimet sipas DVR, përmbajnë incizime nga 29 gushti 2014 deri më 15 shtator 2014, të cilat nuk përputhen dhe nuk ka lidhje me rastin e rrëmbimit. Ai ka thënë se kjo provë nuk është e cekur në aktakuzë.

Ndërsa, sa i përket ekzaminimit të DVR, Rexhepi ka thënë se nëse është bërë ndonjë raport nga AKF, i njëjti duhet të jetë në dosje të Policisë dhe Prokurorisë. Ai tha se nuk i kujtohet nëse ka intervistuar me urdhër të gjykatës të akuzuarin Fetiu në qendrën e paraburgimit.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës, kjo seancë është ndërprerë, kurse ajo e radhës u caktua të mbahet më 13 qershor 2023.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B, kurse Resmije Bytyqi akuzohet për shtytje në kryerjen e vrasjes.

Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkon me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.

Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.

Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.

Në dispozitivin e aktakuzës, thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Ballkani fiton dhe e konsolidon pozitën e parë në tabelë

Ballkani e ka konsoliduar udhëheqjen e tabelës së Superligës së Kosovës në futboll, duke bërë dy pikë më shumë se sa Drita dhe pesë...

Djali i Ancelottit nuk i fsheh ambiciet: Dua të bëhem trajner i Realit

Nga Carlo Ancelotti te Davide Ancelotti, te Reali mund të ketë një rokadë baba-bir për sa i përket stolit të ekipit të bardhë. Por...

Lajmet e Fundit