18.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Godet Nait Hasani, Specialja nuk kalon. Kosova ne zgjedhje

Nait Hasani mendon se “zgjedhjet në Kosovë janë të pashmangshme”, ndërsa “Gjykata Speciale, padrejtësi që po i bëhet Kosovës”.

Në Info Magazinen e sotme, në Klan Kosova, me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani, u diskutua rreth votimit të Gjykatës Speciale, ngjarjeve të fundit politike në vend dhe zhvillimeve brenda Partisë Demokratike të Kosovës.

Hasani e rikonfirmoi qëndrimin e tij fillestar për mosvotimin e Gjykatës Speciale dhe shpalosi disa nga diskutimet që janë bërë brenda partisë së tij në lidhje me votimin e kësaj gjykate.

“Unë kam argumentet pse gjykata s’duhet të jetë e bazuar në ndarje etnike, racore, gjinore, fetare apo diçka tjetër”

“Në mbledhjen e grupit parlamentar ka pasur mendime pse duhet të votohet dhe pse nuk duhet të votohet. Unë kam mendim ndryshe prej kryetarit”.

“Asnjëherë nuk kam pasur asnjë presion nga askush, vetëm propozim pse duhet të votohet”.

Deputeti Hasani është shprehur se ka besim te deputetët e partisë së tij se nuk do të ndryshojnë qëndrim, pasi një tërheqje prapa në këtë çështje dëmton integritetin e deputetit dhe karrierën politike.

“Unë besoj tek deputetët që kanë një qëndrim të vetin, një uni të vetin. Shumica e deputetëve të PDK-së janë nga familje që kanë qenë pjesë e luftës apo pjesë e të persekutuarve.”

“Unë them se deputetët që kanë integritet nuk ndryshojnë”.

“Unë besoj që deputetët që e ndryshojnë qëndrimin e vetë e humbin ekuilibrin në politikë. Bien sikur një leckë, nuk mund ta ndryshosh bindjen për një çështje për një kohë dy javore”.

Ish i burgosuri politik deklaroi se mesazhi nga krerët e partisë është i qartë në lidhje me votimin e Specialës dhe se Thaci e Veseli janë të bashkuar për gjykatën.

“Ajo çka kam kuptuar unë është se duhet të votohet domosdo Gjykata Speciale”.

“Hashim Thaçi edhe Kadri Veseli janë të bashkuar në çështjen e Gjykatës Speciale”.

Deputeti i partisë më të madhe në vend foli edhe për zhvillimet në partinë e tij dhe deklaroi se zgjedhjet janë të pashmangshme, dhe kurdo që mbahen PDK-ja do dalë e para; gjithashtu ai theksoi se nuk sheh ndarje të deputetëve në mes të Thaçit dhe Veselit.

“Zgjedhjet janë të pashmangshme. PDK-së çdo herë i konvenojnë zgjedhjet, tash vjen edhe më e fuqishme pavarësisht ndarësive”.

“Zgjedhjet nuk do të thotë të jesh vetëm kryeministër, kush do të jetë kryeministër mund të vendos kryesia partia”.

“Nëse Thaçi nuk shkon për president nuk e konteston askush a duhet të jetë apo jo kryetar partie”.

“Deri tani nuk kam parë ndarje të deputetëve që janë të Veselit apo të Thaçit, janë të PDK-së”.

Në përfundim, deputeti Nait Hasani tha argumentet e tij kundër Gjykatës Speciale dhe i bëri thirrje deputetëve të mos ta votojnë gjykatën, pavarësisht presioneve që mund të vijnë. Ai tha se Kosova duhet ta formoj vetë një gjykatë për krime lufte që nuk është selektive.

“Formimi i Gjykatës në Kosovë do të thotë se Kuvendi i Kosovës qytetarët e Kosovës marrin një përgjegjësi që do ta dënojnë veten”.

“Ne jemi të gatshëm ta ndërtojmë një gjykatë për krime lufte në Kosovë, por jo të ketë ndasi etnike por të ketë dënime për të gjithë pa dallime racore,etnike”.

“Krimet në Dubravë nuk janë gjyku kush do t’i dënoj këta, nëse bëhet një gjykatë vetëm për Kosovën dhe për UÇK-në, atëherë cili është qëllimi i kësaj”.

Argumentet kundër Speciales Hasani i mbështeti në dështimin që nga paslufta e misioneve ndërkombëtare në Kosovë

Më Shumë

Policia jep detaje për aksidentin me dy të vdekur në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Drejtori i Policisë në Prizren,...

Dy arsye pse Allegri mund të shpëtojë punën e tij te Juventusi

Massimiliano Allegri thuhet se mund të shpëtojë punën e tij te Juventus-i për dy arsye, edhe nëse bardhezinjtë duket se kanë marrë tashmë një...

Lajmet e Fundit