9.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Gozhdimi i Fahri Musliut. Pse?!

Agim MuhaxheriShkruan: Agim Muhaxheri

E gozhdojnë gazetarin Fahri Musliun, korrespondentin 40 vjeçar të mediave shqipe nga Beogradi, autorin e disa librave. Pa asnjë argument, por vetëm sipas thashethënave, e nxjerrin në shtyllat e turpit si baba biologjik i kryeministrit serb Aleksandër Vuçiq. Zjarrit i fryen revista dyjavore e serbe “Tabloid” (prill 2013). Kërkohet burgosja e Fahriut, por edhe “burgosja” e librit të tij “Ditari i një shqiptari në Beograd”. Autori Milovan Brkiq i bie flakaresh edhe kryeministrit të vet Vuçiqit, të cilit i vë epitetin e pederit. Në lojë të kësaj propaganda të pistë hyn portali DNEVNO. hr. i Zagrebit (22 shtator 2014). Një pjesë e gazetarisë sonë bie në grackë. Kurreshtarët, ata që janë të prirur për incidente, gazetarin Musliu e bëjnë “shoshë” në “Facebook”. Kujt t’i ankohet Fahriu për linçimin që i bënë ? T’i padis shpifësit në Serbi, Kroaci, apo në Gjykatën e Strasburgut ?

Njerëzit ngjajnë njëri me tjetrin. Ngjanë shqiptari me serbin, me spanjollin, britanikun, gjermanin, zviceranin, francezin, italianin… Dikush i ngjet Adolf Hitlerit. Ka shumë dytësa të Hitlerit, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë Kosovës, për të cilët kanë shkruar gazetat.

Diktatori libias Muammar al-Gaddafi i ka pasur dytësit e tij.

Dytësit e tij i ka pasur edhe Enveri (Hoxha), shkruan Ismail Kadare në romanin e tij “Spiritus”.

Kësaj radhe nuk është fjala për dytësin e Hitlerit, por për gazetarin tonë Fahri Musliun, të cilin e gozhduan së pari serbët, pastaj kroatët. Shpifën për të se është babai biologjik i Aleksandër Vuçiqit, kryeministrit të Serbisë. Më vonë një pjesë e gazetarisë sonë ia dha hakun. E “bombarduan” edhe në “Facebook”.

Nuk u bë asnjë ekspertizë, as ajo e mjekësisë ligjore, të jetë vërtetuar ajo që i vishet Fahriut.

E tëra ishte një pallavër. Trillim i psikopatëve, i atyre që kanë probleme jo vetëm nervore.

Mbeti enigma. Përse shpifësit serbë dhe kroatë u morën me të ?

Përse e bënë hatanë ?

Ku të ankohet Fahriu, në Serbi, Kosovë, apo në Gjykatën e Strasburgut ?

Në kësi rastesh padia mbetet “ad acta”. Politika i përzien gishtërinjt. Gazetarit i qesin gurin e madh në qafë, si të Sizifit.

Shpifësit nuk përgjigjen, s’i kap paragrafi, pavarësisht se ku gjenden ata.

Lajmi për njollosjen më tepër e ka prekur familjen e tij. Ka reaguar e bija e Fahriut, Valbona.

Për krimet ndaj gazetarëve flet publicisti gjerman Hans Habe në librin e tij “Zotërinj porotë”.

Fahriun e kisha porositur të më gjej librin “Zotërinj porotë”, në kroatishte. E kishte kërkuar ai në Beograd, s’e kishte gjetur. Përmes miqve të tij e ka sigurua në Zagreb, të cilin në Prishtinë ma ka sjellur më 19 qershor 2014. Këtë ditë në Prishtinë derisa bisedonim me Fahriun (ishte i pranishëm analisti politik Nexhmedin Spahiu) ia përmend procesin e Alfred Dreyfus (Drajfus). E Drajfusi është sinonim i njeriut të pafajshëm. Fahriu tërhoqi vërejtjen: “Edhe unë jam si Drajfusi”. Rrëfeu ai për shpifjen që i kanë bërë si “baba bilogjik i Vuçiqit”.

Para tre vitesh plas sherri. Revista dyjavore e skandaleve e Beogardit “Tabloid” merret me Fahriun. Shkruan për të se shetit lirshëm në Beograd, pushton gratë, ka dashnore, miq, bën barsoleta në llogari të serbëve. Lavdërohet se është babai i një politikani të ri serb. Miqtë e tij janë Natasha Kandiq, Sonja Biserko… Kërkohet të burgoset, të “burgoset” edhe libri i tij “Ditari i një shqiptari në Beograd” (2006). “Tabloidi” nxjerrë një fragment të këtij “Ditari”.

Për ta sforcuar tekstin e tyre Fahriun e quajnë “srbomrzac” (urrejtës i serbëve). Kërkon nga prokurori për krime të luftës arrestimin e tij dhe dëbimin për në Kosovë.

Karremin kanë mundur ta hanë katundarët e Shumadisë, por jo elita e intelektualëve serbë.

Intelektualët serbë nuk reagojnë, ngase e dinë se çka i pret nga mafia serbe.

Në po këtë revistë, në prill të këtij viti, Milovan Brki? shkruan komentin “Fahrijin sin” (I biri i Fahriut). Ky autor pasi i vajton serbët, Kosovën, e gozhdon Fahriun si baba biologjik i Aleksandër Vuçiqit. Nuk e përmend asnjë fakt. Ai bëhet nervoz, i bie edhe Vuçiqit.

Sipas Brkiçit, biografia e Vuçiqit dhe e rrethit të tij është e errët duke e barazuar me “Prve pederske lože u Srbiji” (Lozhat e para të pederëve (bythaxhive) në Serbi).

Në skenë dolën edhe ata të portalit DNEVNO.hr. të Zagrebit.

Kroatët për inat të serbëve i hynë lojës. Pikësynim i tyre është ta komprometojnë Aleksandër Vuçiqin.

Fahri Musliu është autor i disa librave, ndër ta “Gjykimet e pengjeve” (2002), “Ditari i një shqiptari në Beograd” ( 2006), “Shthurrja e nyjes së Kosovës” (2005), “Masakra e Suharekës” (2010), të shkruara në shqip, serbisht e anglisht.

Jo rastësisht engjëjt e zinj nuk u morën me këtë gazetar.

Skandali ndaj tij është i paparë në rajon.

Gazeta Express dhe portalet e tjera në Kosovë u morën me Fahriun pas ndeshjes së ndërprerë Serbi – Shqipëri. E bënë “shoshë” edhe në “Facebook”. Ata me “hu në krah” shkruajtën për të çfarë u erdhi në mendje. Thënë thjesht, e linçuan.

Gazetaria jonë ra nga provimi, ngase i imitoi serbët dhe kroatët…

Nëse dikë e njollosin, i vënë etiketën se është babai i filanit, babai biologjik, ballkanasit nuk i gjenë gjë. Nuk i kap shpata e drejtësisë.

Si ta kap shpata e drejtësisë serbin e Serbisë, apo kroatin e Kroacisë, pse i ka vënë damkën shtetasit të Kosovës !

As Serbia, as Kroacia nuk e nxjerrë të vetin në gjyq për shpifjen e përmendur. Të paktën kjo nuk do të duhej të ndodhte me Kroacinë, ngase Kroacia është anëtare e BE-së.

Marrëzitë serbe janë tragjikomike. Nëse marrëzitë e kësaj natyre ndodhin në ndonjë vend të Evropës, shpifësit e paguajnë shtrenjtë llogarinë, përfundojnë në burg.

Ballkanasit shpifin pa kokërr turpi, s’i gjenë gjë.

Fahriut ia bënë kulaçin në fillim serbët, pastaj kroatët. Kroatët hynë në lojë “për inat të serbëve”. I publikojnë fotografinë e tij dhe të Aleksandër Vuçiqit, i bëjnë bashkë. I servojnë lexuesit ngjashmërinë e tyre, si babë e birë. Dhe mbaron filmi.

Karremin e kësaj propagande të pistë e ha Gazeta Express, pastaj lajmin e saj e bëjnë copy-paste portalet e tjera.

Kush është Fahri Musliu ?

Fahriu është me origjinë nga Opoja e Dragashit. Një kohë të gjatë ka qëndruar në Beograd, ndërsa tash rron në Prizren.

Me të kemi punuar në të njejtën gazetë, gazetën “Rilindja”, unë si gazetar i redaksisë, ndërsa ai korrespondent në Beograd. Ka punuar në këtë gazetë që nga viti 1985 e deri në mbyllje të saj.

Në një bashkëbisedim me të, ai shpalos biografinë e tij. I përmend vitet dhe muajt. Tregon se më 1967-ën ka punuar si mësues në fashatin Brodosanë të Dragashit. Në Nëntor të 1969-tën ka shkuar ushtar. Nga ushtria kthehet më 28 prill 1971, ndërsa pas një muaji kthehet sërish të punoj si mësues në shkollën e përmendur. Më 1 nëntor 1972 vajti në Beograd, i ndjek studimet në Fakultetin e shkencave politike – Dega e gazetarisë. Punoi në disa ndërmarrje në Beograd. Nga viti 1975 rifillon bashkëpunimin e jashtëm me gazetën “Rilindja” nga Beogradi. Shkruan kryesisht tema nga kultura dhe jeta e shqiptarëve në Beograd. Prej 1982 punoi në Radio Jugollavia (redaksinë e gjuhës shqipe). Më 1 prill 1985 pranohet korrespondent i rregullt i “Rilindjes” nga Beogradi.

Më tej, Fahriu shton: Nga maji i 1993-ës deri në qershor të 2005 -ës ka qenë korrespondent i “Zërit të Amerikës”. Ndëtkaq, nga qershori i 2005-ës e deri në fund të 2013-ës ka qenë korrespondent i rregullt i RTK-së, kurse ndërkohë prej 2008-ës deri në 2012-ën ka raportuar edhe për BBC-në.

RTK sot e asaj dite i ka borxh Fahriut nja 18 mijë euro !

Aleksandër Vuçiqi ka lindur më 5 mars 1970, në kohën kur Fahri Musliu gjendej në shërbimin ushtarak.

Shpifjen ndaj meje se qenkam babai i Vuçiqit, thotë Fahriu, e ka bërë revista Tabloid e Beogradit, në prill të 2013-ës, e cila boton artikullin të titulluar “Fahrijin sin” (I biri i Fahriut). “Është një revistë gjoja kundër mafias e drejtuar nga një psikopat kundër të cilit janë ushtruar mbi 1200 padi por të gjitha janë hudhur poshtë se ai ka mbulesë një dokument mjekësor”, më thotë Fahriu.

Më tej bashkëbiseduesi vazhdon: Nga ky tekst dhe teksti i një libri që e ka botuar një kundërshtar i Vuçiqit është sajuar teksti shpifës dhe pa argumente në portalin DNEVNO.hr të Zagrebit për të cilin më thanë se gjithashtu është portal ekstremist dhe fare s’ka të bëj me gazetari. Qëllimi ishte të komprometohet Vuçiq. I pyetur se kush ia ka bërë kulaçin në Kosovë, Fahriu shprehet: “Dyshoj se në këtë punë të pistë kamë gisht ata të RTK-së. Jam i bindur se këtë e kanë inicuar dhe dirigjuar drejtuesiet e RTK, Mentori, Ngadhnjimi dhe Mustafë Mustafa emër i njohur për kosovarët, me qëllim të më hakmirren dhe të më komprometojnë për kritikat publike që ua kam bërë”, thotë ai.

(Autori është analist për çështje juridike)

Më Shumë

Kurti: Edhe pas një çerek shekulli fati i Ukshin Hotit nuk është zbardhur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se më 16 maj 1999, profesori Ukshin Hoti, pas lirimit nga burgu i Dubravës, u rrëmbye dhe u...

Ylli sot pret Trepçën në ndeshjen e dytë finale

Sot zhvillohet përballja e dytë finale e “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë mes Golden Eagle Yllit dhe Trepçës. Ylli synon titullin e kampionit, që do...

Lajmet e Fundit