Gjergj Meta
Në rrugën e tij të kthimit nga Brazili, ku ishte për Ditën Botërore të Rinisë, Papa Francesku mbajti një konferencë për shtyp me gazetarët që e shoqëronin në këtë udhëtim. Një konferencë jo krejt e zakonshme. Pyetjet kësaj here nuk ishin të filtruara, por Papa iu përgjigj të gjitha pyetjeve, edhe atyre më pak të rehatshme apo të sikletshme. Me atë stilin e tij latino-amerikan, shumë i gëzueshëm, Papa vuri theksin mbi disa gjëra të rëndësishme që përfshijnë jetën e Kishës, por edhe në përgjithësi jetën e përditshme. Mediat botërore në mënyrë të veçantë u përqendruan në fjalinë e Papës për personat homoseksualë. Në të vërtetë, Papa nuk tha asgjë të re, përveçse i mëshoi, me një ngjyrim pozitiv e shumë atëror, së njëjtës doktrinë të gjithmonshme të Kishës. Unë nuk dua të ndalem këtu në këtë çështje, shpeshherë e debatuar dhe e komentuar, por në një tjetër çështje që mua m’u duk shumë e rëndësishme, ajo e pjesëmarrjes së gruas në jetën e Kishës dhe më gjerë.
Sigurisht duhet të thuhet se gruaja në histori, sa i përket trajtimit të saj, shpesh ka pasur pjesën më të keqe. Jo rrallëherë kjo është ndihmuar nga një mendësi maskiliste e përhapur gjerësisht në realitetin njerëzor e pse jo, shpesh e ndihmuar edhe nga mendësi me karakter religjioz.
Çka përbën lajm në këtë çështje është fakti se Papa Françesku rimerr, duke u hequr pluhurin, disa mendime të paraardhësve të tij (Gjon Pali II dhe Pali VI), por edhe të ndonjë teologu të rëndësishëm të shekullit të XX (Hans Urs Von Balthasar) mbi rolin e gruas në Kishë dhe fton të gjithë që të rimendojnë një teologji të gruas. Ndoshta është e pakuptueshme pak për botën laike kjo gjuhë e përdorur prej tij, por në substancë ai thotë që roli i gruas duhet të rivlerësohet edhe më shumë për vendin e rëndësishëm që ajo ka edhe brenda Kishës.
A është i vonuar apo i parakohshëm një diskutim i tillë? As njëra e as tjetra. Është në momentin e duhur, sipas këndvështrimit tim. Kjo për shumë arsye. Po lëmë mënjanë arsyet teologjike, që sipas Papës duhet të shpalosen nga ata që e kanë zanat këtë punë, d.m.th. teologët, por duke u nisur thjesht nga disa konstatime të realitetit aktual mund dhe duhet të themi se është koha për më shumë guxim.
Emancipimi i gruas nga një lloj patriarkalizmi shumë i theksuar ka sjellë që gruaja të ketë akses në arsimim, çka e ka ngritur cilësisht vendin dhe rolin e saj në shoqëri. Ky emancipim ka edhe abuzimet e veta sigurisht. Duhet theksuar se në vendin tonë p.sh. në fakt, edhe pse disi i sforcuar dhe me abuzime e veta të thella, modeli i njeriut të ri komunist u mundua të emancipojë gruan shqiptare. A ishte ai një emancipim i vërtetë? Këtë nuk mund ta them, pasi në rrënjë ajo ideologji ishte e gabuar e prandaj edhe koncepti i emancipimit që solli ishte mjeran. Mund të themi se në Perëndim po ashtu asistojmë në përdorimin e gruas, megjithë arritjet e mëdha që janë bërë, p.sh. në industrinë e reklamës, të pornografisë e të modës. Edhe ky është një emancipim mjeran apo një lloj skllavërimi modern.
Po ashtu numri i madh i grave dhe vajzave që sot gjenden nëpër katedra, nëpër administratë, në shkolla, në biznese private etj., rrit nevojën e përfaqësimit të tyre në strukturat e jetës publike. Por gjithashtu, duke u nisur edhe nga disa fenomene negative që kanë ndodhur kohët e fundit, sidomos vrasjes dhe dhunimit të grave, akoma dhe më shumë advokimi i gruas nëpërmjet vetë gruas kthehet në një domosdoshmëri.
E gjitha kjo sigurisht, e mbështetur nga njëra anë mbi barazinë gjinore e nga ana tjetër mbi diversitetin funksional ndërmjet burrit dhe gruas, gjëra të rëndësishme për t’u trajtuar në mënyrë që të mos bihet pre e abuzimeve.
Po brenda Kishës? Flas për Kishën Katolike, pasi aty është konteksti im më imediat, por për hir të së vërtetës të gjitha komunitetet fetare duhet të nxisin një reflektim mbi rolin e gruas në jetën e brendshme të komuniteteve të tyre. Duke perifrazuar, Papa Bergoglio thotë që një grua nuk mund të jetë vetëm thjesht një ndihmëse e priftit në altar, apo vetëm presidente e një organizate bamirëse brenda Kishës. Ajo duhet të jetë më shumë, shumë më shumë. Ajo, thotë Papa, është më e rëndësishme se priftërinjtë e se ipeshkvinjtë, d.m.th. edhe se vetë Papa, ashtu sikurse Maria Nëna e Jezusit, ishte më e rëndësishme se apostujt. Fjalë jo të reja, por të thëna në një epokë të re. E më pas iu lë detyrë doktrinarëve të studiojnë e të kuptojnë më mirë se çfarë do të thotë konkretisht në jetën e Kishës ky pozicion i gruas. A është një avanguardizëm, progresizëm brenda Kishës? Jo! Është thjesht një detyrë, një detyrim që Kisha dhe shoqëria kanë ndaj gruas, një borxh që duhet ta shlyejnë duke i dhënë asaj vendin që i takon./mapo/