Ministrja e e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, tha se Dita Botërore e Turizmit për vitin 2023 me temën botërore për më shumë investime të gjelbra, u shënua në bukuritë e bjeshkëve të Deçanit, gërshetuar me kulturë, trashëgimi e traditë.
Hajdari, në një postim në Facebook, tha se Organizata Botërore e Turizmit e Kombeve të Bashkuara (UNWTO) thekson nevojën për më shumë investime të gjelbra dhe të synuara më mirë për njerëzit, për planetin dhe për prosperitet.
“Gjersa vendi ynë ka shumë potencial për zhvillim të shpejtë të turizmit me ndikim në zhvillimin socio ekonomik dhe rritjen e punësimit, me strategjinë e re për turizmin dhe plotësimin e legjislacionit dhe ndërtimin e instrumenteve dhe skemave mbështetëse për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit natyror dhe kulturor, synojmë që Kosova deri në vitin 2030 të shndërrohet në destinacion të qëndrueshëm turistik dhe konkurrent në Ballkanin Perëndimor”, shkruan ministrja Hajdari.
Bëhet e ditur se Dita Botërore e Turizmit 2023 këtë herë e organizua me ecje në natyrë, folklor, ekspozim të punimeve artizanale dhe veshje kombëtare e tradicionale të rajonit të Dukagjinit.
“Të ftuar në këtë ngjarje ishin kolegë qeveritar, kryetari i komunës së Deçanit, partnerë diplomatik dhe zhvillimor, organizata jo qeveritare të turizmit dhe akterë aktiv të turizmit”, tha Hajdari.