27.8 C
Prizren
E premte, 19 Korrik, 2024

Hajdari paraqet shkeljet e bordit të shkarkuar të ujësjellësit në Prizren

Qeveria në detyrë ka treguar arsyet për shkarkimin e bordit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor” në Prizren.

Duke u bazuar në opinionin e auditorit, sipas tyre, gjendja me pasqyrat financiare është përkeqësuar nga viti në vit.

“Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë opinion të kualifikuar për vitin 2017, që domethënë se pasqyrat financiare kanë pasur gabime materiale në disa aspekte. ZKA ka dhënë opinion të kundër për vitin 2018, që domethënë se pasqyrat financiare nuk pasqyrojnë gjendjen e vërtetë në të gjitha aspektet. Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi bordin e shkarkuar, që ka qenë i emëruar më 2015, ka pranuar pasqyrat financiare dhe nuk ka marrë masa për të adresuar çështjet”, ka thënë ministrja në detyrë e MEPTINIS-it, Rozeta Hajdari.

Ajo thotë se ka pasur shpenzime të pakontrolluara.

Sipas saj, përgjatë viteve 2016 e 2017, ndërmarrja ka shpenzuar rreth 50 për qind më shumë nga ç’ka planifikuar të shpenzojë.

“Për 2016, s’janë planifikuar as 3,5 milionë euro shpenzime, por janë harxhuar mbi 5 milionë. Për 2017, s’janë planifikuar as 3,5 milionë, e janë shpenzuar gati 5,4 milionë euro. Ndërmarrja ka planifikuar mbi 8 milionë shpenzime për 2018-tën, shumë përtej shumës së planifikuar dhe të shpenzuar në vitet paraprake. (Raportet e ZKA-së) Mosrealizimi i projekteve- Donatorët ndërkombëtarë janë ankuar vazhdimisht për pengesa në projekte investive për shkak të mosbashkëpunimit të menaxhmentit. Bordi nuk ka adresuar situatën. Investimet e dyshimta — Ndërmarrja ka dhënë një tender për të shpuar puse të ujit mes puseve ekzistuese. Çdo person laik do të mund të këshillonte ndërmarrjen se shpimet e reja nuk do të rrisnin sasinë e ujit që mund të nxirret. Në rastin e KRU Hidroregjionit, sasia e ujit që nxirret nga këto puse ka rënë”, ka deklaruar ajo.

Më Shumë

Lajmet e Fundit