9.5 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Haradinaj: Faji për mosformimin e Qeverisë bie tek Vetëvendosja

Gati dy muaj pas certifikimit të rezultateve nga ana e KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ende nuk kanë arritur që të merren vesh për koalicion qeverisës. Madje zyrtarë të këtyre dy partive këtë javë kanë ashpërsuar komunikimet me njëri-tjetrin duke drejtuar akuza dhe kundër akuza për dështimin eventual të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Tërë këtë zvarritje të procesit për krijimin e Qeverisë, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, fajin ia hedh Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se e tërë kjo tingëllon më shumë si mos gatishmëri e tyre për të udhëhequr institucionet.

“Zvarritja e krijimit të institucioneve më së shumti e godet qytetarin e Kosovës e më së paku partitë e dala fituese ose më saktësisht bartësin e këtij procesi, LVV-në si partia e parë që ka dalë në zgjedhjet e 6 tetorit 2019”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se ndarja e përgjegjësive nuk duket të jetë problemi i LVV-së dhe LDK-së.

“Ndarja e përgjegjësive nuk duket të jetë problem i tyre, më shumë tingëllon mos gatishmëria e tyre për të udhëhequr institucionet në këtë etapë tepër me rëndësi që po kalon vendi ynë”, u shpreh Haradinaj për Telegrafin.

Më tej shef i grupit parlamentar dhe deputeti i AAK-së, theksoi se Qeveria do të krijohet, mirëpo shtrohet pyetja se “a do të shkojmë në zgjedhje?”.

“A po shkojmë në zgjedhje? Ose a po e kryeni detyrën për çka u mandatuat nga vota e popullit? E tërë përgjegjësia shkon tek LVV-ja pasi që doli e para”, tha Haradinaj.

Ndryshe dje, lideri i LVV-së, Albin Kurti i ka dërguar një letër kreut të LDK-së, Isa Mustafa, ku ka shprehur keqardhjen e tij për ndërprerjen e takimeve.

Madje në këtë letër Kurti ia përmend Mustafës edhe çështjen e kryetarit të Kuvendit, ku i thënë se nëse janë pishman për kryeparlamentarin mund të iniciojnë shkarkimin e tij.

E Mustafa ka thënë se asnjëra parti nuk duhet të ngutet me deklarata, ngase sipas tij marrëveshja mund të arrihet, me vetë faktin që kanë arritur deri në këtë fazë.

Sipas Mustafës ishte e qartë që partisë fituese i takonte posti i Kryeministrit, ndërsa, sipas tij, dihet që LDK-së i takonte kryeparlamentari dhe se e vetmja pozitë për të cilën do të harmonizoheshin, ishte ajo e Presidentit. /Telegrafi/

Më Shumë

Rikthehet Superliga: Malisheva pret sot Dukagjinin

Superliga e Kosovës rikthehet sot, duke hapur javën e 14-të me dy ndeshje të rëndësishme që premtojnë spektakël dhe emocione. Sfida e parë, Malisheva-Dukagjini, është...

Sonte shfaqet filmi i fundit i nëntorit në Kinema “Lumbardhi”

Kinema "Lumbardhi" në Prizren do të shfaqë filmin e fundit për programin e Kinemasë së Zgjeruar për muajin nëntor, të martën, më 26 nëntor,...

Zemra e Forcës

Lajmet e Fundit