2.9 C
Prizren
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Haradinaj: Latifi e ka dëshmuar veten për të qenë kryetar

Haradinaj-Krushë e MadheDega e Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës në Rahovec, ka mbajtur tubim parazgjedhor në Krushë të Madhe. Të pranishëm në këtë tubim ishte kryetari aktual i Komunës dhe kandidat për kryetar, Smajl Latifi, i shoqëruar nga kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi dhe anëtarë të tjerë të kryesisë së partisë.

Hardinaj foli për virtytet personale të kandidatit për kryetar të Komunës së Rahovecit Smajl Latifi, duke potencuar faktin se ai ka treguar praktikisht se si ndërtohet shteti dhe si duhet t’ju shërbehet më së miri qytetarëve.

“Smajli i ka dhënë mësimin më të mirë klasës politike në Kosovë. Ai ka dëshmuar se është i denjë për të qenë në krye të kësaj Komune edhe për katër vitet e ardhshme, sepse në pranverë ne do të punojmë së bashku në vepra të mëdha”, tha Haradinaj. Duke shtuar, ai tha se pas marrjes së detyrës si kryeministër i vendit do të punojmë me partnerët tanë ndërkombëtar për rregullimin e shtratit të lumit Drini i Bardhë që nga Peja deri në Gjonaj. “Kjo do të krijojë mundësi për shfrytëzimin sa më racional të tokave bujqësore, si dhe ndalimin e degradimit”, tha Haradinaj.

Haradinaj ka folur edhe për “vjedhjen” e ideve nga partitë tjera, pasi që kohë më parë AAK ka prezantuar idenë e rregullimit të shtratit të Drinit të Bardhë, përfshirjen e sa më shumë njerëzve në procesin e prodhimit dhe përpunimit të prodhimeve bujqësore, si dhe ide të tjera që ndikojnë në mirëqenien e familjeve kosovare.

Kurse, kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se gjatë kësaj kohe të shkurtër që i është dhënë mundësia të qeverisë me pasurinë e qytetarëve të Komunës së Rahovecit, ka dëshmuar angazhim dhe përkushtim të madh.

“Janë realizuar shumë vepra kapitale, që kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve socio-ekonomike të qytetarëve. Mirëpo, të gjitha këto do të mbeten nën hije të punëve që do të kryhen në periudhën katërvjeçare. Ndër këto punë mund të përmend vazhdimin e fazës së dytë të punimeve në shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, funksionalizimin e kanalizimit të ujërave të zeza, si dhe përfundimin e punimeve në rregullimin e rrugëve në fshat”, tha Latifi.

Ai tha se përkushtimi kryesor do të vazhdojë të mbetet në bujqësi. “Në këtë drejtim do të ofrojmë gjithë mbështetjen profesionale dhe materiale e teknike në hapjen e qendrave të reja të grumbullimit dhe përpunimit të pemëve e perimeve, si dhe do të stimulojmë ekonomitë familjare, si mundësia më e mirë për të tejkaluar gjendjen e rëndë ekonomike në vend”, shtoi ndër të tjera Latifi.

Nërkaq, deputeti i Kuvendit të Kosovës Ramiz Kelmendi i ftoi banorët e Krushës dhe të rrethinës që të mbështesin Aleancën, pasi që projektet që do të realizohen në territorin e Komunës së Rahovecit do të jenë një mundësi e madhe për bujqit e vyeshëm të kësaj ane. “Siç edhe mund të jeni në dijeni, ne kemi filluar ngritjen e një qendre për grumbullim dhe përpunim të perimeve në Xerxë, ku do të punohen dhjetëra qytetarë të kësaj komune. Kjo do të ofrojë siguri më të madhe për perimtarët e Rahovecit”, tha Kelmendi, duke kërkuar mbështetje për Smajl Latifin dhe listën e AAK-së./PrizrenPress.com/

Më Shumë

Inaugurohet kabineti i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi” të Prizrenit

Të mërkurën është përuruar kabineti i ri i shkencave të natyrës në shkollën “Hysen Rexhepi”. Ky projekt u realizua falë bashkëpunimit mes Drejtorisë Komunale...

Mbi 1 mijë e 700 tiketa trafiku shqiptoi policia gjatë një dite

Policia e Kosovës ka shqiptuar 1 mijë e 746 tiketa trafiku gjatë 24 orëve të fundit. Gjatë kësaj periudhe kohore kanë ndodhur 36 aksidente me...

Lajmet e Fundit