Sot lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka mbajtur takim me përkrahësit dhe strukturat e partisë në Suharekë. Takimi u mbajt menjëherë pas takimit që ai e mbajti në Deqan. Takimi u organizua në Kompleksin turistik “Solid” dhe të pranishëm ishin mbi 150 persona.
Fjalën hyrëse e mbajti kryetari i AAK-së në Suharekë dhe njëherit deputeti i vetëm nga Suhareka i kësaj partie, Bali Muharremaj dhe më pas foli edhe ish-kryetari i Suharekës dhe Sekretari Organizativ i AAK-së, Blerim Kuçi.
Ndërsa në fjalën e tij Ramush Haradinaj ndër të tjera tha: “Ka pasë ndërmjetës kur ka pasë kriza politike por pas pavarësisë ata na kanë thënë që ju duhet me vendos vet. Ka ndodh një vendim i Gjykatës Kushtetuese. Tash ajo si ndërmjetëse në vend se me i dhënë rrugë zgjidhjes, e vështirësoj më shumë situatën. Na kemi kërku të drejtën tonë me bë zgjidhjen. E erdhëm deri në këtë situatë.Tash jemi në situatë jo të mirë. Nëse deri në dhjetor ska parlament bjen në krizë buxhet.
LDK i lujti rendet, po sonte kemi për tu parë në ora 20:00 në takim. I kam treguar Isës e LDK-së se sbashku mundemi me ndryshu gjendjen. Po tash të shohim se si t’ia lidhim kryt kësaj pune”, raporton TherandaPost.
Ai foli edhe për Gjykatën Speciale dhe dialogun: “Këto janë çështjet që ndërkombëtarët po duan t’i perfundojnë por unë jam i interesuar jo t’i krijojmë institucionet veç për këto gjëra por për ta organizuar shtetin më mirë.”
Ai gjithashtu u përgjigj pyetjeve nga të pranishmëve. Dikush pyeti se a është qëndrim i Bllokut se kryeministri i takon LDK-së dhe ai ju përgjigj se ai është vetëm qëndrim i LDK-së e jo i Bllokut. Më pas pyetja tjetër ka qenë se a e ka ndryshuar LDK-ja qëndrimin e tyre dhe Haradinaj ju përgjigj duke thënë se:” janë LDK-ja ata që më kanë thirrë spari herë dhe u sigurova që janë serioz. U afruam edhe me pakicat por në javën e fundit i ndryshuan senet.”
Pyetjes se a do të shkojmë në zgjedhje të reja, Haradinaj ju përgjigj se nuk ka logjikë që të shkohet në zgjedhje të reja.