18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Heqja e klasës së 13-të dyfishon numrin e maturantëve

Nxenesit6-11Me heqjen e klasës së 13-të, sivjet është dyfishuar numri i maturantëve që pritet të konkurrojnë në institucionet e arsimit të lartë. Universitetet publike dhe kolegjet private ende nuk kanë caktuar kuotat se sa studentë të rinj do të pranojnë, por ai që do të ketë fluksin më të madh është Universiteti i Prishtinës. Drejtues të Universitetit dhe të Ministrisë së Arsimit thonë se caktimi i kuotave do të bëhet në bazë të kapaciteteve që kanë institucionet e arsimit të lartë.

Universiteti i Prishtinës është institucioni që sivjet do të ketë një fluks më të madh të kandidatëve për të filluar studimet. Kjo për arsye sepse është dyfishuar numri i maturantëve me heqjen e klasës së 13-të. Megjithatë, Universiteti i Prishtinës ende nuk ka caktuar kuotat se sa studentë do të pranojë për këtë vit akademik. Këshilltari për media në UP, Ardian Gola, tha për Radio Kosovën se njësitë akademike nuk kanë bërë ende propozimet për numrin e studentëve që do t’i pranojnë.

“Ato propozime bëhen gjithmonë duke pasur në konsideratë, sidomos këtë vit, numrin e madh të maturantëve që do të vërshojnë universitetet në Kosovë. Por, gjithmonë këto propozime bëhen edhe konform kapaciteteve pedagogjike, kapaciteteve administrative, infrastrukturore me të cilat disponon UP-ja. Më pas këto propozime do të miratohen në Senat dhe më pas shkojnë në Ministrinë e Arsimit për t’u aprovuar”, tha Ardian Gola.

Ndërkohë, pritet që edhe këtë vit akademik, fakultetet më të preferuara për të rinj të jenë: Ekonomiku, Juridiku dhe Edukimi. Prodekani për çështje mësimore në Fakultetin e Edukimit, Zeqir Veselaj, tha se nuk e kanë ndërmend t’i rrisin kuotat për pranimin e studentëve të rinj.

“Ky fluks i madh nuk do të ndikojë që ne të rrisim kuotat, sepse tashmë janë hapur fakultetet e Edukimit edhe nëpër universitetet e tjera. Raportet e akreditimit dhe projekti ‘Tempus’ që bëjnë vlerësimin, tregojnë që puna me grupe të mëdha të studentëve në Fakultetin e Edukimit nuk është efektive. Nuk mund të bëhet punë serioze me një mësimdhënës të ardhshëm nëse në një grup janë më shumë se 200 studentë”, tha Zeqir Veselaj

Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, theksoi se edhe pse është rritur numri i maturantëve, secili që konkurron do t’i jepet mundësia për të studiuar, pasi, siç tha ai, janë hapur edhe universitete të tjera publike.

“Duke pasur parasysh që tashmë kemi 6 universitete publike në Kosovë dhe kemi 23 kolegje private, mund të themi që çdo maturanti do t’i krijohet mundësia që të jetë pjesë e këtyre universiteteve. Ne duhet të dimë që jo të gjithë që e përfundojnë shkollën e mesme të lartë i drejtohen universiteteve, për arsye se, sidomos numri i maturantëve që vijnë nga shkollat profesionale – një numër i vogël i tyre drejtohet në arsimin e lartë, pasi ata i drejtohen tregut të punës”, tha Nehat Mustafa.

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës dhe Ministria e Arsimit janë të angazhuar që të vendosin numrin e kuotave për studentë të rinj, duke pasur në konsideratë nevojën e tregut dhe kërkesat e maturantëve. Vitin e kaluar Universiteti i Prishtinës ka pranuar rreth 12 mijë studentë të rinj.

Më Shumë

Sot mot me diell dhe vranësira – priten shkarkime rrufesh e breshër

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se sot parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të cilat vende- vende do të...

Rreth 60 aksidente trafiku për 24 orë

Brenda 24 orëve në Kosovë u shënuan 59 aksidente trafiku. Kështu bën me dije raporti i policisë. Po ashtu u regjistruan 24 aksidente me të lënduar...

Lajmet e Fundit